Lin Kiku

Mbretëresha Teuta, kalaja me emrin e saj në Mirditë!
Në vitet 30 të shek. III p.e. sonë shteti Ilir kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi ( historian grek, burimi më i rëndësishëm për këto luftra, është vepra e tij “Historia” e shkruar në shek. II p.e sonë) thotë se “ Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona ( Dalmaci) deri në brigjet e Aoos ( Vjosës) me përjashtim të Dyrrahut dhe Apolonisë. Qytetet e veriut, Lisi, Shkodra, Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme Ilire, dhe përbënin bazën e shtetit Ilir. Ky shtet gjatë sundimit të tij si dhe të trashigimtarëve të tij do të qëndrojë në qendër të lojës politike midis shteteve ballkanike si faktor i ri politik në skenën politike të kohës.
Pozita dhe madhësia e shtetit ilir kushtëzuan angazhimin e tij në kombinimet politike dhe në luftërat në këtë pjesë të Ballkanit. Agroni hyri me mjaft mjeshtri në këto kombinime dhe luftëra duke i siguruar në këtë mënyrë mbretërisë së tij rol të rëndësishëm në ngjarjet që do të pasonin.
Me aleancën midis Agronit, dhe mbretit maqedon, Demetri II, i cili në atë kohë ishte i zënë me luftërat kundër dardanëve, Agroni me ushtrinë e vet prej 5000 ushtarësh u shkoi në ndihmë aleatëve të Demetrit, akarnanasve. Etolasit, kishin rrethuar në atë kohë qytetin akarnanas, Medion. Ushtria ilire duke zbarkuar në afërsi të këtij qyteti, me një sulm të furishëm shkatërroi taborrin etolas. Kjo ishte një nga fitoret më të lavdishme të ilirëve kundër një ushtrie greke e cila shtoi dukshëm prestigjin e armëve ilire në sytë e grekëve dhe të maqedonëve.
Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë mbas të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.
Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që Agroni e kishte me gruan e tij të dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë, Teuta. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të shtresës sunduese ilire, miqtë e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta ushtroi, siç thotë Polibi, drejtimin e punëve. Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir. Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake jo më e vogël se ajo e Agronit, u vu përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë rradhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolasve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje armike të gjithë anëdetjen dhe ti shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota do të mbante nën presion armikun në skajet më të largëta. Kjo ishte një pjesë e planit të saj që të depërtonte nga Greqia. I pari u godit qyteti Foinike, qytet shumë i rëndësishëm strategjik në Epirin e veriut (në afërsi të Sarandës së sotme). Duke zbarkuar në afërsi të qytetit, ilirët e morën pa luftë sepse qysh më parë qenë marrë vesh me garnizonin e përbërë nga 800 mercenarë keltë, të cilët mbronin qytetin. Mbas lajmit për një fitore të re të ushtrisë ilire kundër grekëve, u sulën kundër qyteteve epirote. Ushtria e tyre rrethoi qytetin, i cili ishte i mbrojtur me mure të forta dhe u bëri rezistencë me lehtësi sulmeve. Ilirëve të rrethuar u shkoi për ndihmë në krye të 5000 ushtarëve Skerdilaidi, i ungji i Pinesit, vëllai i Agronit. Për të penguar depërtimin e tij nga Foinike një pjesë e ushtrisë epirote u nda dhe ia mbylli rrugën afër Antigonesë, në lindje të Gjirokastrës. Zvogëlimi i ushtrisë epirote në Foinike u bëri të mundur ilirëve të rrethuar që një natë, befasisht, të dalin nga qyteti dhe të shkatërrojnë rrethimin. Epirotët pësuan edhe këtu një disfatë të rëndë.
Në kohën që ushtria ilire ishte zotëruese e situatës në Epir për shtetin ilir u çfaq një rrezik i ri. Dardanët, të cilët deri atëherë zhvilluan një varg luftërash me maqedonët, u nisën tani edhe kundër shtetit të Teutës. Teuta e thirri Skerdilaidin të kthehet shpejt me ushtrinë e vet në veri. Mirëpo para se të largohej nga Epiri lidhi me ta një marrëveshje shumë të volitshme, e cila i vente epirotët, praktikisht në pozitë të varur ndaj shtetit ilir. Akarnanasit, lidhën gjithashtu me ilirët një marrëveshje, me të cilën njohën pushtetin suprem të ilirëve. Kështu Teuta mbas luftërave në Epir zgjeroi kontrollin e vet prej Neretvës në veri e deri në gjiun e Ambrakisë në jug. Në këtë kohë shteti ilir ishte njëri nga shtetet më të mëdha në Mesdhe.
Mbasi u evitua rreziku prej dardanëve, Teuta vazhdoi politikën e vet ekspansioniste, duke i drejtuar përpjekjet e veta kundër kolonive greke në bregdetin dhe ujdhesat ilire. Në qendër të goditjeve ishin kolonitë në Ilirinë e jugut (Dyrrahu dhe Apollonia) si dhe ato në ujdhesat e Dalmacisë së mesme, më e rëndësishmja në mesin e tyre Isa. Ushtria ilire rrethoi Isën, kurse ajo e vetëdijshme se nuk mund të mbështetej më në ndihmën greke, kërkoi mbrojtje në fuqinë e re ushtarake, e cila në atë kohë ishte gjithnjë e më e pranishme në Adriatik – Romën.
Ky ishte një akt vendimtar i cili solli shpejt ndërhyrjen romake në konfliktet ballkanike dhe fillimin e luftërave të gjata midis Romës dhe ilirëve dhe më në fund solli okupimin romaktë Ballkanit lindor si dhe humbjen e pavarësisë politike të ilirëve.
Senati romak, të cilit edhe më parë i kishin arritur ankesat e tregtarëve italikë dhe grekë për shkak të sulmeve të piratëve ilirë kundër anijeve të tyre që lundronin nëpër Adriatik, i nxitur tashmë edhe nga lutja e isejve përndihmë vendosi t’i dërgojë Teutës një delegacion dhe të kërkojë prej saj të ndërpresë operacione luftarake kundër Isës si dhe të ndërpresë sulmet e piratëve kundër anijeve tregtare greke dhe italike. Delegacioni në të cilin ishin vëllezërit Gaj dhe Luc Korunkani, iu bashkua edhe greku i Isës, Kleemporos, nuk arriti të sigurojë nga Teuta atë që kërkonte. Simbas Polibit, Teuta duke dëgjuar kërkesat e tyre, iu përgjegj, duke mos njohur fare fuqinë e Romës, se ajo do të kujdesej që ilirët të mos u shkaktojnë kurrfarë të këqiash romakëve, mirëpo ajo nuk mund t’ua ndalte nënshtetasve të vet piraterinë, sepse kjo ishte çështje e tyre private. Kjo përgjigje nuk iu pëlqeu delegatëve të Romës dhe njëri prej tyre mori guxim t’i përgjigjet se Roma vetë do t’i mbrojë nënshtetasit e vet prej piratëve ilirë dhe sundimtarët ilirë do t’i detyrojë t’i ndryshojnë ligjet e tyre. Një përgjigje e tillë, sigurisht, në sytë e sundimtares së një shteti të lirë dhe në atë kohë të fortë do të dukej si përzierje prepotente e një shteti të huaj në punët e brendshme të mbretërisë së saj. Nuk dihet se a me dijen e mbretëreshës, ose ndoshta edhe me urdhërin e saj, delegacioni duke u kthyer nga pallati i saj u sulmua tradhtisht: një nga delegatët romak dhe Kleemporosi u vranë. Senatit romak, i cili me kohë kërkonte pretekst për intervenim, kjo vrasje qe e mirëseardhur si shkak për të depërtuar drejtpërdrejt në skenën politike dhe ushtarake të Ballkanit perëndimor.
Teuta u përpoq ta zgjidhë konfliktin e shkaktuar, prandaj për këtë dërgoi në Romë të deleguar të posaçëm, mirëpo nuk hoqi dorë as nga rrethimi i Isës, e as nga qëllimi që t’i nënshtrojë edhe kolonitë e tjera greke në Adriatik dhe në detin Jon. Për të realizuar qëllimet e veta dërgoi flotën e vet në drejtim të Dyrrahut dhe mbasi nuk mundi ta pushtojë, ushtria e saj u nis kundër Korkyrës. Në këto kushte kolonitë iu drejtuan për ndihmë vëllezërve të vet grekë, mirëpo lutjes së tyre iu përgjigjën vetëm ahejët të cilët dërguan kundër ilirëve dhjetë anije të rënda luftarake. Beteja detare midis ahejve dhe flotës ilire në anën e të cilëve gjendeshin edhe shtatë anije luftarake të akarnanasve, u zhvillua afër ujdhesës Paksos, afër Korfuzit. Ilirët në këtë betejë korrën fitore të madhe, kështu që mbas kësaj fare lehtë morën edhe qytetin Korkyra. Duke lënë një garnizon nën komandën e Demetër Farit, ilirët u nisën përsëri kundër Dyrrahut.
Në këtë kohë romakët përgatiteshin për sulm kundër ilirëve. Në pranverë të vitit 229 para e.r. në bregdetin përballë, në Brundisium (Brindisi i sotëm në Apuli) u mblodh një ushtri e fortë prej 20.000 ushtarësh, 2.000 kalorësish dhe 200 luftanijesh. Kjo ushtri u nis kundër ilirëve në kohën kur ushtria ilire gjendej rreth mureve të Dyrrahut. Ky ishte fillimi i luftës sëparë romake-ilire.
Flota romake e udhëhequr nga Gnei Fulv Centumali u nis në drejtim të Korkyrës. Demetër Fari as që u orvat të bëjë rezistencë, e cila do të ishte e kotë kështu që ua dorëzoi qytetin romakëve, dhe vetë vihet në shërbim të tyre duke tradhëtuar. Romakët u nisën mandej drejt Apollonisë, banorët e së cilës ua hapën dyert e qytetit, dhe mandej vazhduan drejt Dyrrahut duke e liruar nga rrethimi ilir. Flota romake u nis mandej drejt Isës dhe Pharit, të cilat u vunë menjëherë nën mbrojtjen romake, ndërsa ushtria tokësore romake që operonte në Ilirinë e Jugut gjithashtu shënoi rezultate të rëndësishme për një kohë shumë të shkurtër. Vetë në krahinat në veri të Dyrrahut, romakët ndeshën në kundërshtim.Teuta ushtarakisht nuk ishte e aftë që të pengonte depërtimin e legjioneve romake. U tërhoq në kështjellën Rizon (Risan i sotëm në gjirin e Bokës së Kotorit), mirëpo shpejt kuptoi se rezistenca ishte e kotë, kështu që kërkoi paqë.
Në pranverën e vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit e saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes qenë të rënda. Sipas Polibit, Teuta detyrohej: 1. T’u paguante romakëve një tribut. 2. Të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende. 3. Të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por dhe këto të paarmatosura. Të formuluara me terma të përgjithshme, këto kushte janë bërë objekt i diskutimeve të shumta. Për një kohë ka zotëruar një mendim se romakët i ndanë pushtimet e tyre në dy pjesë. Në veri të Dyrrahut, krijuan një shtet të vogël dhe në krye vunë tradhtarin Demetër Farin me qëllim që të vëzhgonte dhe të njoftonte për çdo veprim të mbretërisë Ilire. Në vitet që pasuan luftën e parë iliro – romake, Demetër Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire në vend të Teutës që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar – ( Hequr dorë nga pushteti mbretëror). ( Marrë me shkurtime nga: Historia e Popullit Shqiptar, botuar nga Akademia e Shkencave, viti 2002.)
Sipas legjendës gjatë luftës, Teuta, mori masa që të mbronte thesarin mbretëror. Kështu ajo urdhëroi transferimin e thesarit në drejtim të një vendi të fshehtë, të largët e të sigurtë. Thesari thuhet se u transportua, nëpërmjet vijës “Egnatia” në kufi të Ilirisë, vend ky në rrjedhën e sipërme të lumit Ordaj, rreth 160 km në territoret ndërmjet këtyre vëndeve të banuara nga fiset e Dasaretëve dhe Enkelejve në territorin e qytezës së lashtë Lungë, sot fshati Llënga (në Mokrën e sotme). Në këtë qytezë ndodhet Kanoni i Llëngës dhe N’kisura (ngushtica) e Grykës së Gurit.
Kjo ngushticë, ky vendkalim i rrugës Egnatia ndjek rrjedhën nga vendburimi i lumit Shkumbin (Ordaj). Ky ka qenë vendi i përzgjedhur për vendosjen e thesarit të mbretëreshës Teuta,i cili përbëhej nga një sasi e konsideruesme ari, argjendi dhe stoli me gurë e diamante të çmuar, të cilët u ngarkuan dhe u transportuan nga 40 mushka, sasia e tyre ishte e barabartë në peshë 6000 kg. Tregohet se një njësi e specializuar ndërtuesish,devijuan rrjedhën e lumit në këtë pjesë e vendosën thesarin. Më pas ata e murosën hyrjen me një mur guri, ku si material lidhës shërbyen gëlqere, rërë, vezë e lesh bagëtish.
Më pas u ngrit me zhavor e gurë shtrati i lumit përpara se të ridevijohej rrjedha e lumit, duke e bërë të padallueshën këtë vëndfshehje të thesarit. Thuhet se personat që e dinin vendin e saktë u eleminuan. Kjo është legjenda. Ashtu si ndodh me çdo legjendë edhe këtu ndërthuret historia reale me mitet.
Kalaja e Teutës në Mirditë!
Midis fshatrave Kodër – Rrëshen dhe Tenë, mbi një kodër në anën lindore të shtratit të lumit Fan i vogël, shtrihet një hapësirë që nga banorët vendas njihet si kalaja e Teutës. Ky toponim është përcjellë ndër shekuj nga brezi në brez, nga banorët e zonës përreth kësaj hapësire. Si ka lindur ky toponim me këtë emër, a ka qenë vërtet një kala aty siç thirret nga banorët e zonës, apo një ndërtim tjetër? Kjo zonë cilit fis Ilir i përkiste?
Në sistemin e kaluar, por dhe në të tanishmin nuk janë bërë përpjekje, për të zbuluar se çfarë fsheh kjo kodër në brendësi të saj, nuk është bërë asnjë lloj gërmimi arkeologjik nga autoritet përkatëse, pavarësisht se banorë të zonës shprehen se herë pas herë, janë parë njerëz të panjohur duke gërmuar në mënyrë ilegale. Këta përsona të panjohur që kanë bërë këto gërmime nuk kanë qenë arkeologë, por logjika të thotë se kanë qenë kërkues objektesh apo sendesh të çmuara, që me siguri kanë ditur apo dëgjuar diçka, pa kanë ardhur dhe kanë gërmuar në këtë vend.
Të kthehemi pas në mitologji. Sipas legjendës së mësipërme, Mbretëresha Teuta, transferoi thesarin mbretëror, në një vend të largët, të fshehtë dhe të sigurtë, dhe ky vend ishte në kufi të Mbretërisë Ilire. Lind pyetja, sa e sigurtë ishte rruga për dërgimin e thesarit deri aty, a kishte kaq siguri rrugës që mos të sulmohej një karvan i tillë kaq i madh? Punimet për fshehjen e thesarit nuk kanë zgjatur një apo disa ditë, por muaj të tërë, dhe në situatën që ndodhej në atë periudhë shteti Ilir, nga sulmet e njëpasnjëshme romake, mundej që të bënte një fshehje të tillë pa u diktuar nga armiku, apo fqinjët përreth kufirit, ku po fshihej thesari, të cilët kishin mbajtur një qëndrim që nuk pajtohej me detyrimet e tyre si aleatë ndaj shtetit Ilir?
Nga kështjella Rizon (Risan i sotëm në gjirin e Bokës së Kotorit) në të cilën ishte e tërhequr Mbretëresha Teuta, e deri në Dasaretia ku sipas legjendës u fsheh thesari, ishte një distancë jashtëzakonisht e madhe për të lëvizur, dhe një nga kushtet e marrëveshjes së Teutës me Romën, sipas Polibit, ishte që të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende, pra Dasaretia ishte jashtë shtetit të mbetur Ilir. Por edhe më parë për vetë natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë kishin lidhje të forta. Kështu që miti i legjendës për dërgimin e thesarit në zonën e Dasaretisë mund të jetë i dyshimtë, por dhe i pavërtetë. Ku mundej që Teuta, ta dërgonte thesarin e saj për ta fshehur në një vend të sigurtë, brenda shtetit Ilir, pasi kushti tjetër nga romakët ishte, të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por dhe këto të paarmatosura? Pra kufiri i lëvizjes ishte Lisi.
Në kufi ngjitur me Lisin, ndodhej fisi Ilir i Pirustëve, në brendësi të shtetit të atëhershëm Ilir, banorë të krahinës së sotme të Mirditës, por edhe më gjërë, pasi Pirustët kishin një shtrirje të madhe territoriale. Deri më 168 p.e.r. bënin pjesë në Mbretërinë Ilire dhe përmenden nga Livi (historian romak) ndër fiset që mbetën të pavarura pas shkatërrimit të saj nga romakët. Pavarësinë e ruajtën edhe në vitin 54 p.e.r. kur Cezari i detyroi të paguanin një dëmshpërblim. Në vitet 6-9 morën pjesë në kryengritjen e madhe ilire kundër pushtimit romak nën udhëheqjen e Batos së Desidiatëve dhe ishin ndër të fundit që u nënshtruan. Për herë të fundit përmenden në shek. II të e.r. nga Ptolemeu, përmenden si minatorë dhe për punimin e metaleve, e sidomos të bakrit. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar -1985).
Straboni ( historian dhe gjeograf i madh Grek) në shekullin e parë shkruan kështu: Pas Epidamnit dhe Apolonisë, gjer te malet Keraune, ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët, aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion. Mungesa e të dhënave më të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brenshme Ilire. Straboni tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë të pasur me miniera, të cilat përbënin dhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve, qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike. Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet Ilir si Damastioni, është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV. P.e. sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, Damastioni u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. ( Historia e Popullit Shqiptar, botuar nga Akademia e Shkencave, viti 2002.).
Periudha e antikitetit nuk e përcakton saktë, vendndodhjen e qytetit të Damastionit, dhe as zonat e mineraleve, që shfytëzonin banorët e zonës ku jetonin, dhe për pasojë dhe vendbanimin dhe vendndodhjen e saktë të fisit Ilir që i shfrytëzonte këto minerale, në rastin konkret Pirustët. Me studimin dhe përpilimin e saktë të hartës minerare të vendit tonë, bërë në vitin 1922, e para e këtij lloji në Ballkan, arrijmë dhe në përfundimin se të kujt zone i përkisnin ekzaktësisht këta banorë, përpunues dhe shkrirësh metalesh të asaj periudhe. Harta gjeologjike dhe ligji minerar u miratuan mbi bazën e studimit te E .Nowack. Këto të dhëna dhe studime të bëra në vitin 1922, ku paraqesin vendndodhjen e saktë të këtij minerali, me sasi, pozicion gjeografik e kordinata të sakta, duke i krahasuar me referencat e vjetra historike, na paraqesin qartë vendndodhjen, vendbanimin dhe veprimtarinë që zhvillonin në fushën e zejës, dhe konkretisht të bakrit si minatorë, fisi Ilir i Pirustëve të dikurshëm, çka na nxjerr në konkluzionin përfundimtar se zona Rubik – Derven, në Kulmen e sotme, ka qenë kryeqendra e vendbanimit, dhe e vendndodhjes së Pirustëve. Shtrirja territoriale dhe gjeografike e Pirustëve ka qenë shumë e madhe, por kryeqendra e tyre, zona e lartpërmendur. Ku ka pasur zejtari, kanë qenë dhe kushtet për urbanizim, kështu që nga konkluzioni i mësipërm për Pirustët, mund të mendojmë që Damastioni mundet që t’i përkasë kësaj zone. Gërmimet arkeologjike mund t’a vërtetojnë një hipotezë të tillë, që qyteti i vjetër, Damastion, ndodhej në kryeqendrën e Pirustëve, Kulme, Derven – Rubik.
Damastioni dhe fisi i pirustëve ishin pjesë e shtetit Ilir, pavarësisht se ky qytet nuk përmendet nga Polibi, ku Mbretëresha Teuta, mund të kishte siguri për veprimtarinë e saj, për vetë pozicionin gjeografik që kishte ky qytet dhe fis në brendësi të shtetit Ilir. Ky pozicion gjeografik i kësaj zone ishte i favorshëm edhe për transportimin e fshehjen e thesarit shtetëror këtu, pa u rrezikuar dhe pa u diktuar nga romakët. Vendi më i favorshëm për një fshehje të tillë, ishte në thellësi të zonës së pirustëve. Kishte siguri, pak rrezik, mundësi transporti të rojeve, ndërtuesve, por dhe të skllevërve që morën pjesë për ndërtimin e këtij vendi të fshehtë, kishin mundësi ushqimi dhe fjetjeje për kohën e qëndrimit aty, pasi ishin në një nga pjesët më të mbrojtura të shtetit Ilir. Siç e thotë dhe Livi, se pirustët ishin ndër fiset e vetme që mbetën të pavarura, pas shkatërrimit të Mbretërisë Ilire nga romakët. Këto kushte të favorshme, si dhe emri që ka mbetur ndër shekuj, mund të hipotetizojmë që legjenda e vendndodhjes së thesarit të Teutës, gjendet pikërisht në atë vend, midis fshatrave Kodër – Rrëshen dhe Tenë, ku nga banorët njihet me emrin Kalaja e Teutës. Gërmimet arkeologjike nga institucionet përkatëse mund t’a vërtetojnë një gjë të tillë, a është mit, legjendë apo e vërtetë.
Lin Kiku