Lin Kiku:Popullsia e Mirditës, dhe Ohërit të Vogël ( Selita, Kthella, Bishkashi) në vitin 1918!


Lin Kiku

Popullsia e Mirditës, dhe Ohërit të Vogël ( Selita, Kthella, Bishkashi) në vitin 1918!

Numërimi i plotë zyrtar i popullsisë, i bërë për herë të parë në historinë e vendit tonë, nga Austriakët!

Numërimi i parë i popullsisë në vendin tonë, u bë në vitin 1918, nga austriakët. Lënda statistike që gjendej në vendin tonë, para se te hynin ushtritë austriake, në Shqipëri, ngushtohej vetëm në referate të zyrave konsullore europiane në Shkodër, Durrës, Vlorë, Manastir e qytete të tjera, si dhe të shpallurat e Klerit roman – katolik të vendit, e në disa shënime të shtegtarëve europianë, prandaj kishte një mbështetje jo fort të themelshme. Zyrat otomane patën provuar disa herë, me bërë numërimin e popullsisë në disa qytete e kaza, por dilte gjithmonë diçka që i pengonte këto veprime qysh në fillim, e deri te prova që u bë në disa vise, për të rregjistruar shtëpijat e vendit e pastaj me bërë me hamendje numërimin e popullsisë, por gjithçka shkoi bosh, pa mundur dot që të bënin ndonjë rregjistrim statistikor, pasi dhe zyrtarët e atëhershëm nuk i kishin vetitë e nevojshme për një punë të tillë. Para fillimit të luftës së parë botërore, provoi qeveria osmane të nxirrte numrin e njerëzve që ishin të zot nën armë, e për shërbime të tjera ushtarake, por edhe këto shënime u panë se nuk mund të përdoreshin për qëllime statistike.

Në vitin 1916 hyri ushtria austriake në Shqipëri, duke pushtuar krejt vendin tonë, Shqipërinë e epërme e të poshtmen, deri në zonën që ishte në dorë të ushtrive bullgare, të francezve, grekëve e italianëve. Në zonat e pushtuara prej austro – hungarezëve, u vendos një rregjim ushtarak me qendër në Shkodër. Kjo komandë, afroi pranë vetes zyrtarët shqiptarë që ishin të zotët e shkrimit e i përhapi në të gjitha viset e vendit. Dy muaj pasi hyni ushtria Austo – Hungareze në Shqipëri, u hap zyra e posaçme e statistikës për të punuar, për të bërë numërimin e popullsisë, por dhe numërimin e bagëtive e të gjësë së gjallë. Në 26 maj 1917, u rregullua numërimi i përgjithshëm, u vunë numrat shtëpijave të banuara si dhe të kasolleve të banuara në pyll, bjeshkë, e kasolleve të barinjve, duke pasur kujdes për të vërtetuar plotësisht emrat e viseve. Gjithashtu u bë një numërim i popullsisë, duke vënë në lista edhe numrin e banuesve të secilës shtëpi.

Por mbledhja e emrave të vendit me anë të zyrave të statistikës, u ndesh në pengesa pasi shpesh emri e një vendi ndërlikohej me atë të krahinës ku gjendej, u vu re se përzihej emri i krahinës me atë të një katundi apo dhe të një mëhalle, siç del emri i Oroshit për Mirditën. Punë fort e vështirë doli caktimi i emrave në bjeshkët e Shqipërisë së epërme. Shqiptimi me emra të shkruar, ashtu siç e kërkonte tingëllimi i fjalës shqipe, mundi që të kryhej vetëm duke afruar njerëz intiligjentë që ja dinin vendit. Qe pengim edhe shqiptimi i keq apo i ndryshueshëm i emrave të viseve me anë të banorëve. Kështu për shembull emri i katundit Kthella, përmendet prej një pjese të banorëve Thkella, Rubigu thirret edhe Robiku e Rrbiku, Lezha edhe Lesh.

Vetëm pasi u gjet shqiptimi i vërtetë i gjithë emrave, mundën këta që ta shkruanin siç e kërkonte ortografija e gjuhës shqipe. Në numërimin e popullsisë u morën në kujdes ata që ishin dhe ata që nuk ishin brenda vendit, pasi në numërimin provizor shumë prej meshkujve nuk ishin paraqitur prej frikës se mos i merrnin për ushtarë, por dhe shumë të fesë muhamedane nuk i kishin treguar emrat e fëmijëve të tyre. Kryetarëve të viseve apo katundeve u qe dhënë si detyrë që të tregonin para komisionerit që merrej me rregjistrimin, të gjitha informacionet e duhura dhe të nevojshme, gjithashtu të ju mbushnin mendjen kryefamiljarëve se rregjistrimi ishte në interes të tyre, të tregonin numrin e saktë të pjesëtarëve të familjeve, pse ndër masat me rëndësi ishte si në të falur të pagesës së të dhjetave, e në dëm të mjeteve të ushqimit, merrej në kujdes numri i pjesëtarëve të familjes.

Në këtë numërim popullsie do të shënoheshin edhe sa ndërtesa zyrtare, dyqane e sa ndërtesa besimi kishte ky vend. Data që u caktua për numërim e shënjim të emrave, dita 1 mars 1918, por hasi në pengesa, dhe kjo punë u krye vetëm në fund të shtatorit të viti 1918. Kjo punë ngeli pa u kryer në rrethin e Beratit, Fierit, Lushnjes e Skraparit pasi një oficer sllav pa asnjë kuptim e dogji materialin e mbledhur, kështu që për këto krahina u muar për bazë materiali provizor i mbledhur në vitin 1916.

Mirdita në këtë studim prezantohet me emrin e Oroshit, dhe në vitin 1918, ka këto të dhëna: Popullsia, 17679 – banorë. Hapësira në km² – 1072. Shpeshtësia e popullsisë për 1 km² – 16. Numri i banimeve – 2491. Numri i familjeve – 2518. Numri i meshkujve – 9085. Numri i femrave – 8594. Popullsia sipas besimit dhe profesionit, katolikë – 16060, myslimanë – 1619 ( kjo pjesë e popullsisë është numëruar në fshatrat kufitarë me Mirditën me popullsi myslimane, dhe i është bashkangjitur krahinës si popullsi me besim ndryshe, pasi popullsia e Mirditës ka qenë homogjenikisht e besimit roman – katolik – shënimi im), Bujkë – 17608, të tjerë – 71. Popullsi sipas kombësive të tjera nuk ka.

Ohëri i Vogël, që përfshin Selitën, Kthellën dhe Bishkashin ( pa emërtesat osmane, bajraku – turqisht – flamuri – shqip) ka këto të dhëna: Popullsia, 7965 – banorë. Hapësira në km² 380. Shpeshtësia e popullsisë për 1 km² – 21. Numri i banimeve – 1107. Numri i familjeve – 1691. Numri i meshkujve – 4140. Numri i femrave – 3826. Popullsia sipas besimit dhe profesionit, katolikë – 6485. myslimanë – 1481. Bujkë – 7920. të tjerë – 46.

Popullsia e Bishkashit.

1) Bazja – ( Cakonaj, Gjinaj, Gjonaj, Konaj) 126 – banime, 203 – familje, 953 – banorë.

2) Brija – 30 – banime, 36 – familje, 173 – banorë.

3) Hotaj – 20 – banime, 30 – familje, 129 – banorë.

4) Kokërlloku – ( Kokërlloku, Ulzogji) 39 – banime, 52 – familje, 264 – banorë.

5) Shtogu – 80 – banime, 104 – familje, 493 – banorë.

6) Stojani – 29 – banime, 46 – familje, 175 – banorë.

Popullsia e Kthellës.

1) Ferra – Skurraj – ( Ferra – Skurraj, Shkopeti, – austriakët e kanë futur këtë zonë në pjesën e Kthellës – shënimi im) 20 – banime, 35 – familje, 169 – banorë.

2) Kthella e epër – ( Kthella e epër, Vjollca) 48 – banime, 61 – familje, 292 – banorë.

3) Malaj – ( Kameci, Malaj, Shjalci, Tena) 74 – banime, 114 – familje, 526 – banorë.

4) Përlataj – ( Kalba, Katundi i vjetër, Lurthi, Ndoja, Nedhishta, Sari i Bozhigës, Sari i Ndrecës, Streza, Shullani, Zalli i Lek Gegaj) 131 – banime, 233 – familje, 1117 – banorë.

5) Proseku – ( Kazaçi, Platkna, Proseku, Rrushkulli) 69 – banime, 126 – familje, 575 – banorë.

6) Rrsheni – ( Bunga, Fusha e Lumthit, Jezulli, Kaçorraj, Reçi, Rrsheni, Sheshaj, Shtana, Tarrasi) 115 – banime, 183 – familje, 878 – banorë.

7) Shebja – 52 – banime, 77 – familje, 347 – banorë.

Popullsia e Selitës.

1) Bozhiqa – 32 – banime, 44 – familje, 192 – banorë.

2) Dajçi – 38 – banime, 47 – familje, 218 – banorë.

3) Gjocaj – 47 – banime, 66 – familje, 306 – banorë.

4) Kurbneshi ( Komula, Kurbneshi) 48 – banime, 67 – familje, 339 – banorë.

5) Lëkunda – 41 – banime, 54 – familje, 283 – banorë.

6) Lufaj – ( Lufaj i epër, Lufaj i poshtëm) 35 – banime, 54 – familje, 281 – banorë.

7) Zajzi – 33 – banime, 59 – familje, 256 – banorë.

Në fotot poshtë janë të dhënat e ndërtuara sipas statistikave të atëhershme.

“Numrim i parë i popullsis në Shypni”, marrë me shkurtime nga revista Hylli i Dritës, (dhjetor – 1922, janar – 1923) .

Lin Kiku