Liqeni vajtonte për Shenjtin me lot të mëdhenj…Kristaq Turtulli


Liqeni vajtonte për Shenjtin me lot të mëdhenj…

(Ngjarje e jetuar)

-Në manastirin e Shën Naumit është varri i stërgjyshit tonë Papa Nikolla,- më kish thënë nëna ime:- Ai ka qenë prift i parë në manastir, por askush nga ne stërnipërit e tij nuk mundi të shkojë, se ashtu shkuan punët, Më 1924 e mori Jugosllavia, erdhi lufta dhe më pas komunizmi.

Para tre vitesh shkova në Shën Naum së bashku me vëllain Vangjushin. Prapa sportelit qëndronte një prift mesoburrë, me mjekër të gjatë, të zezë. Bleva qirinj dhe e pyeta në gjuhën angleze:

-Ju lutem më tregoni ku mund të gjej varrin e Papa Nikollës?

Prifti më veshtoi i hutuar dhe mu përgjigj me një anglishte të çalë:

-Nuk kuptoj anglisht …

– Po shqip di?- e pyeta.

Prifti i nervozuar ngriti supet dhe mërmëriti

-No, no , no…

U ndjeva i trishtuar, në këtë manastir klerikët për qindra vjet kanë qenë shqiptarë dhe flitej shqip.

Për fat të mirë pranë nesh u afrua një djalë i ri, i cili e zotëronte mjaft mirë gjuhën angleze.

U përpoqa ti a sqaroja, interesohesha për varrin e stërgjyshit tim, kryepriftin e këtij manastiri, Papa Nikollën…

-Papa Nikolla, sigurisht duhet të ketë qenë prift bullgar… maqedonas, – më ndërpreu djali i ri.

-Ah jo. Stërgjyshi im, Papa Nikolla, ishte kryeprift shqiptar, sikundër jam dhe unë,- i thashë.

-A, a, a! – Mërmëriti i habitur djaloshi.

-Po. Dhe kjo tokë, ky manastir dikur ishte tokë shqiptare, -i thashë.

-A, a, a, a!- Përsëdyti djaloshi.

-Stërgjyshi im Papa Nikolla, kryeprifti i këtij manastiri ishte shqiptar dhe njeri human. Në ato vite dhe shekuj të rënda të pushtimit, dhunës dhe përdhosjes ishte tmerrësisht e vështirë të përballeshe me ligjet, obskurantizmin fetar dhe terrin e rëndë të Turqisë. Stërgjyshi im Papa Nikolla e kishte mare parasysh rrezikimin e jetës së tij për hir të qëllimit të madh, të shenjtë. Ai ndihmonte familjet e vobekta, me çka mundej. Kur bejlerët donin të dërgonin djemtë e familjeve të varfra krishtere, ushtarë në shkretëtirën e Anadollit, i ndihmonte të bëheshin murgjë e më pas i ndihte të iknin në Evropë. Ndërsa vajzat e vobekta, kur bejlerët i kërkonin për në harem, i fuste në manastir, dorëzoheshin murgesha, dhe më pas i martonte. Por këto veprime humane binin ndesh, u prishte shumë punë bejlerëve vendas, sepse Porta e Lartë u kërkonte ushtarë dhe vajza të bukura shqiptare për harem.

Pashallarët dhe bejlerët ia kishin bërë benë për ta zhdukur, por Papa Nikolla kishte emër të shenjtë në gjithë trevën dhe fshatarët linin kokën për jetën e tij. Por uji fle, hasmi nuk fle. Ishte prifti bullgar, Dushan i paguar nga bejlerët që e tradhtoi e shiti në vrastarët të shenjtin Papa Nikolla. Ky prift Judë, bujti një natë në manastir, gjoja i dërguar nga Patrikana e Ohrit dhe Papa Nikolla e priti me gjithë të mirat. Ky prift Judë, u ngrit në mesnatë dhe tinës u hapi vrasësve derën e manastirit.

Ishte natë e errët me shi kur vrastarët hynë në manastir dhe rrëmbyen kryepriftin e manastirit. Ata lidhën duar dhe këmbë Papa Nikollën, e tërhoqën zvarrë në rruginën e ngushtë të Shën Naumit që çonte drejt liqenit që dergjej në errësirë.

Vrasësit e hipën kryepriftin në varkë dhe lundruan në thellësi të liqenit. Atje ku thellësi e ujit ishte e madhe, qëndruan. Mbajtën vesh një copë herë dihatjen e trazuar të ujit, i acaronte. Shanë me inat. Një napë e rëndë shtypte supet e vrasësve. Nuk ishte e lehtë të martirizohej me mbytje një klerik, një shenjtor. Me ngutje i lidhën tre gurë të mëdhenj; një në qafë, në duar dhe këmbë, që trupi të shkonte në thellësi, të humbiste pa nam dhe nishan. Vrastarët e lëshuan pa zhurmë trupin e lidhur të Papa Nikollën me shikime të mbërthyera në terrin e rëndë. Uji nxinte si mellan. Trupi i shenjtorit pluskoi një moment, pastaj thellësia e errët e ujit të liqenit e tërhoqi me ngut drejt fundit të vet, atje ku dergjeshin varkat e mbytura dhe fshiheshin krime të mëdha.

Vrastarëve iu bë sikur dëgjuan rënkim të thellë, uji i liqenit zjeu, u llokoçit, Ata të trembur rrahën lopatat me ngut, u përpinë nga errësira e thellë. Liqeni vajtonte me lot të mëdhenj për vrasjen e pabesë të shenjtorit. Vrastarët dridheshin nuk pandehnin të shungullonte uji i liqenit dhe kaq e rëndë të ish nata, të behej vrastare si ata.

Çuditërisht pas tre ditësh kërkimesh fshatarët e gjetën trupin e të shenjtit Papa Nikolla në breg të liqenit, të zgjidhur, të bukur dhe trupi i tij mbante erë trëndelinë. Fshatarët e varrosën brenda kishës së manastirit.

-Me sa di unë, përgjatë shekujve, kisha dhe manastiri janë djegur tre herë dhe rindërtuar tre herë,- më tha djaloshi,- Nuk di të ketë ndonjë gjurmë të kryepriftit Papa Nikolla. Ndoshta eshtrat duhet të jenë lënë diku pa ndonjë shenjë të veçantë.

Kristaq@Turtulli