Lirika nga Leonard Pipa


Atë natë nuk kishte hënë,

Vetmia e kishte ngrënë.

E kish lodhur rrugë e gjatë,

Udhëtimi nëpër natë!

Atë natë s’kish as yje,

As një rreze perëndije,

Të kafshonte duf i territ,

Më dhëmbë të gjatë si të derrit.

Po kur zbrite ti nga kali,

Errësira zgjente skutë,

Drita jote pyllin ngjalli,

Lepur i egër u zbut.

E kujtoj shpesh atë natë,

Mbytem në tufane dhimbjesh,

Them sa herë… me sopatë,

Do t’a pres si lis kujtimesh!

***

Tund e shkund gjer në askund,

Ato duar të argjenda,

Zemrën ma ke vënë përfund,

S’di seç më kafshon nga brënda.

Kur më sheh dritë trëndafili,

Më një mijë ëmbëlsira,

Unë s’kam parë as dritë kandili,

Mos më nxirr nga errësira!

Kur më flet me ledhatime,

Të shkrin buza çokollatë,

Ku ka parë buza ime,

Tani s’ka më as inat…

Zot i zot i lavdëruar,

Thuaj a është e vërtetë!

Zjarr i madh më ka rrethuar,

Shpirti më është bërë bletë.

***

Çdo burrë sot është diktator,

Ndaj unë kam frikë nga “burrëria”,

I lutem lepurit në oborr,

Më jep pak gjak nga gjaku tija.

Çdo grua sot është një sirenë,

Ndaj unë rri larg limanit të vjetër,

Inat me mua do të kenë,

Më prishin mëndjen më kthejnë në ketër!

Çdo burrë sot është një luan,

Dhe mbretëron në pyll i parë,

Prandaj dhe mua nuk ma mban,

Dua të jem gomar!

Çdo grua sot është luaneshë,

Të ha për llapë të syrit,

Ndoj unë me gratë s’merrem vesh,

Më pëlqen zanë e pyllit!

Çdo burrë sot është thesar,

Në arkat me flori,

Ndaj si veshgjati unë ha bar,

Më gjëmba shtroj gosti.

Çdo grua sot është diamant,

Shkëlqen në ballë t’ndriçimit,

Prandaj do mbetem emigrant,

Ti thur lavdi mjerimit!

ËNDËRR PREJ VËRTETI

Në natë të errët, në ëndërr të errët,

Atdheun ma morën si kalin nga frerët.

U trëmba, për zotin, aq shumë u trëmba,

Të vetmin ma morën, ma xhveshën nga mënga.

Ma morën e ikën, kusarët e varreve,

Si kali ia hipën,u përpinë zjarreve.

Sa bëra të ngrihem ti ndjek i tërbuar,

Mbi krevat pash vehten nga mallkimi zgjuar…

O zot, thashë me vehte, na shpëto nga ëndrra,

Jeta më ka lodhur, nuk më mban më zemra!

Po nuk shkoi gjatë…”ëndrra s’ishte ëndërr”,

Kur dola në rrugë të gjithë më shihnin shtrëmbër.

Ç’kini, i pyeta, çdreqin u ka zënë,

Një ëndërr kam parë të tmershme unë mbrëmë,

Ju nga e dini, më rrini si hija,

Si dreqin i shihni dhe ëndrrat e mia?!…

Ç’ëndrra mor budallë, mu hodhën për fyti,

Mbrëmë parlamenti të gjithëve na mbyti,

Mirë gjithë të tjerat, përbuzjen, mjerimin,

Tani do të vuajmë dhe shkombëtarizimin!

U ngrit një i dehur, të marrim dyfekët,

Ulu ti, i thanë, po të bien brekët!

Unë asgjë

s’kuptoja,çdreqin kishte ngjarë,

Isha mirë në ëndërr, dy tre orë më parë!

Njëmijë herë ma thanë, jo!… nuk e kuptoj,

Veten nëpër ëndërr ende e kujtoj!

Prandaj le t’a marrin vesh i gjithë “mileti”,

Çdo të thotë të shohësh ëndërr prej vërteti!

Prandaj jam betuar, gjumë nuk vë në sy,

Sa një filxhan hapur i mbaj që të dy!

***

Asgjë nuk i ngjan mallit për ty,

Zemrën ma shtrengon do t’a bëjë dy.

Asnjë bukuri sa ty s’është e bukur,

Me krahë perëndie gjithmonë më je dukur!

Asgjë nuk më tremb, më struk,zvogëlon,

Për veç syrit tënd kur s’qesh, kur s’driçon!

Ehh bija ime, e arta mbi arin,

Pas rapit meraku m’a lidh shpesh beharin!

***

VJESHTA

Pas pjekjes së frutave,

U poqëm

edhe ne të dy.

Në degën e vjeshtës,

Si kokrra kërthi…

Pas rënies së gjetheve

patëm shpresë,

Çdo mëngjes

të na rrëzonte era ethet.

I besoj ngazëllimit tënd që pikon pritjes.

Edhe pak do…

të dryshojë ngjyra e flokëve,

Ngjyra e syve…

Po vjeshta sa ka ardhur!

***

Kali bardhë i fëmijërisë,

Hingëllin e më harlis,

Nëpër toka të pandara,

Nisim botën nga e para.

Nëpër guma të pagjuma,

Iriqin mbërthejmë me thumba,

Rrugë shkretës së parrugë

I japim ujë me lugë…

Lart tek retë ngrejmë foletë,

Arnojmë qiellin çika-çika,

Ti kemi për tjetër jetë,

Në mos ne…të shkojë frika!

Në qytetet pa flamurë,

Rrethojmë kohën me gurë…

Në rëntë prapë shiu kuq,

Le të shkojë mundi huq!

***

Thonë se atije ku linda unë,

Irakliu ka lindur në të njëjtën orë,

Ndonjë ditë kur të zgjohem i pa punë,

Do t’a ngre Karaborunin me një dorë…

Atije ku linda unë në lis,

Akilin e kam patur fis,

Mos u çuditni ndonjë të dielë,

T’u ftoj të gjithëve në duel.

Atje larg në Dangëlli,

Të mund çdo kush me dituri,

Veç unë për fat mbeta budallë,

Ma shkroi jeta vulë në ballë.

Në shkarpat ku jam përpëlitur,

Më gjuan shpullë imzot Naimi,

Ju që s’më doni,ju ditur,

Merrni litarin dhe më lidhni.

Atije ku kam lindur unë,

S’ka ngelur asnjë budallë për besë!

S’di ikën vetë a i përzunë,

Po dielli shkon me shumë përtesë…

***

Nata ende nuk ka rënë,

Copë të bëhet mbi minare,

Tash është koha për të ngrënë,

Dy tre petulla … sheqerpare.

Tash është koha të nxitosh,

Nëpër rrugët si damarë,

Mua pak të më kujtosh,

T’më japësh ndonjë të sharë.

Nata ende nuk ka rënë,

Përmbi turpet e qytetit,

Gjuhën macja s’ta ka ngrënë,

Sa pa nisur shiu dreqit.

Po të isha kohës tutje,

Njëzet vite më i ri,

Ti do vije të më puthje,

Do të bënim dashuri…

Nata ende nuk ka rënë,

Kokëthyer mbi dritare,

Tash është koha për të ngrënë,

Futja fundja një papare!

***

Zemër zemra, zemra ime,

Është shqyer është çarë,

Mirë më mirë bëhu trime,

Eja lidhma me litar.

Eja, eja dili zonjë,

Kraharorit vrima vrima,

Vetëm krahët më mungojnë,

Ti nis zogu nëpër filma.

Syri, syri doli udhës,

Kokën mban nga rrugë e heshtur,

Sa të shfaqet dritë e buzës,

Sa të shuhet zjarr i ndezur!

Anës anës errësira,

U largua në të prera,

E shtyn era në rrëpira,

E tremb ujku në rrufera.

Këmbëgjatë si lejleku,

Shkel mbi gjëmba, shkel mbi ferra,

Më ka rrahur si dybeku,

Një mirazh me luleshqera…

Më kanë shkelur dy majmunë,

Kokë qethur nëpër kujë,

Djath i hëngra tre sapunë,

Shiva lëmin vërrë në ujë!

Qepa mëngës lara lara

Tatëpjetës me hilera,

Fustanin më tre të çara,

Keq i’a kishte grisur era…

Zemër zemrën në përfund,

Ku e humba, e përhumba…

Eja dreqin, mos u tund,

Ose nisëm dy pëllumba!