Livadhi i dashurisë-Namik Selmani


Kushtuar nënave që ndërrojnë jetën nga kanceri i gjirit

Namik Selmani

Aty

Nis jeta me ëndrra me hapa.

Aty

Dashuria është në livadhin më të bukur.

Aty

Bëhesh princ

Zog

Shqiponjë ose flutur.

Aty

Belbëzojnë fëmijët dhe burrat që bëhen mbretër

Vajzat që më vonë pushtojnë skena, stadiume.

Udhë me shira.

Aty

Nisin këngët që mërmërihen në shekuj.

Aty

Merr frymë ajri, dielli dhe violina.

Oh, ç ’mëkat!

Të nisë aty vdekja,

Të nisë kryedhimbja,

Të çahen malet e lartë,

Të vijnë netët e errta,

Të mbetet e verbëruar ripërtëritja.

Oh, ç’mëkat!!

Të hapet aty portëza e lotit,

Ehoja e mëshirës,

Të të qëllojë kamxhiku i mungesës,

Të të nxihet dielli i ditës.

Aty

Jeta kthehet mbrapsht si një monedhë

Mbase ka mbetur diku një shteg

Ku unë dhe ti të lutemi në heshtje,

Me sy nga qielli që nuk flet!!!