Zë nate nuk dua të jem
zëkatje bulkthi në errësirë
edhe kur nata shtërnguar i ka duart
në fytin e gojëtarit të artë
edhe kur mbretëria e shpirtërave
kërkon qetësinë anembanë.
As zë i mbytur nuk mund të jem
në heshtje guri
as melodi e këputur
në telin e shtendosur pa frekuencë zërash
te një dashuri e nemitur.
Nuk mund të jem hije, e pazëshme
e zgërlaqur, shetitëse
rruginave pa jetë.
Isha lindur motit
kur qiejt me bubullima
u bënë refreni i një kënge
që mē ndoqi pas në pakohësi…
Prandaj shpirti rreket, ma kërkon
të lindë diçka e re, e vrullshme
gjeratore e fjalëve të ethshme, turbulente
për dashurinë e mpiksur në gene
dhe për vuajtjet që e përndoqën
të cilat nuk dua të mbyten
në litarin e heshtjes.
Dua ta godas fort timpanin
kur gjithçka e bukur që lind
bëhet gati të vdesë
tamam dhe posaqërisht nga heshtja.
Loja me heshtjen, një lojë që s’më mund
se e shkund si aguridhe
dhe e përplas në murin
që ka krijuar vetë
ditëve pa puls…
Zgjimi i saj më gëzon, nuk më tremb
se është një zë i bukur, i vërtetë
Kur u këndoj gjërave më të dashura
dhe atyre që më mbajnë
si zog fluturues në jetë