Luftuan me heroizëm për çlirimin e Tiranës-Prof.Dr. Bernard Zotaj


Luftuan me heroizëm për çlirimin e Tiranës

Istref Qazim Meka lindi në qytetin e Bilishtit në vitin 1919. Ai punoi bujk dhe bari, duke e nxjerrë kafshatën me djersë dhe mundime. Në vjeshtën e vitit 1942, Istrefi u lidh ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në dhjetor 1942 çeta partizane e Moravës, me komisar Raqi Themeli, në Bilisht në shtëpinë e Istrefit, zhvilluan një mbledhje me aktivistë e simpatizantë të Lëvizjes. Këtu u zgjodh këshilli nacionalçlirimtar dhe u krijua njësiti gueril i qytetit, ku bënte pjesë dhe Istrefi. U arrestua me 27 të rinj dhe u internua në Porto Romano në Durrës. Kur u kthye mbas pesë muajve nga internimi, Istrefi e shtoi më tepër urrejtjen dhe përbuzjen për pushtuesin dhe tradhtarët, si dhe besimin e vendosmërinë për Luftën Antifashiste.

Gjatë dimrit të vitit 1943-1944, kur forcat gjermane e tradhëtare kryenin operacione të njëpasnjëshme në zonat e cliruara për shkatërrimin e batalioneve dhe të brigadave partizane dhe në qytete kryenin kontrolle, burgime, internime e terror, Istrefi, duke mbajtur lidhje me aktivistët e Luftës në Bilisht e në Devoll dhe me shokët e tij në batalionin “Fuat Babani”, kryente aktivitete të përditshme dhe mbante lidhje me familjet partizane. Krerët ballistë të Devollit në Bilisht përpiqeshin ta thyenin e ta mashtronin Istrefin, që të hiqte dorë nga Lufta Antifashiste. Më 26 shkurt 1944 xhandarë dhe ballistë e arrestuan dhe e burgosën. Estrefi u arratis nga burgu dhe shkoi në radhët e batalionit “Fuat Babani”. Në luftimet që zhvilloi batalioni në Sul, Vidohovë, Trestenik, Menkulas e gjetkë, Istrefi u dallua si një partizan sypatrembur dhe i aftë. Për këto merita pas një kohë komanda e batalionit e ngarkoi me detyrën e nënkomandantit të kompanisë. Me krijimin e BrXVS, u rreshtua në radhët e saj. U dallua në luftimet që zhvilloi brigada në Guri i Kamjes, Pogradec, Qafë-Thanë, Pirg, Kolanec, Potgorie, Zemblak etj. Në muajt shtator-tetor e nëntor 1944, BrXVS sulmoi autokolonat gjermane nga Qafë-Thana deri në Qafë-Kërrabë.

Divizioni gjerman i ardhur nga Greqia ishte përqëndruar në Elbasan. Shtabi i BrXVS vendosi për të sulmuar si brenda në Elbasan ashtu dhe gjatë rrugës deri në Qafë-Kërrabë. Kompania që komandonte Istrefi zuri pritë në Kishën e Shën-Gjonit në Elbasan. Lufta që në fillim ishte e ashpër. Forcat gjermane, duke pasur në krye tanke dhe autoblinda, të mbështetura dhe nga një zjarr shumë i fuqishëm i artilerisë, mortajave dhe mitralozave, e hapën rrugën dhe vazhduan marrshimin për Tiranë. Komanda e kompanisë organizoi sulme me grupe e skuadra të armatosura me granata dhe automatikë. Në një nga këto sulme mori pjesë edhe Istrefi. Ai iu afrua një skuadre ushtarësh gjermanësh dhe në kacafytje me ta mbeti i vrarë.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 46 datë 29.04.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës.

Luftëtar i batalionit “Hakmarrja”

Koço Strati Mele, i lindur më 1928 në Kreshovë të Kolonjës, filloi jetën partizane ende pa mbushur 16 vjeç në batalionin “Hakmarrja” në qershor të vitit 1944. Me krijimin e BrXVS, u rreshtua në radhët e saj dhe u përfshi në veprimet luftarake, sidomos në rrugën automobilistike Ersekë-Korçë, duke sulmuar anash e pas kolonat gjermane, të cilat njëra pas tjetrit, pas humbjeve të mëdha, linin gazermat, bunkerët, qytetet e zonat dhe iknin drejt Tiranës.

BrXVS, në prag të luftës për të çliruar kryeqytetin, zuri pozicione luftimi midis Qafës së Krrabës. Priteshin gjermanë që vinin në mbështetje të Tiranës së rrethuar nga Maqedonia e territore të Shqipërisë së Mesme. Ato ndodheshin para pushkës asgjësuese partizanë të kësaj brigade, ku militonte dhe djali i vogël që shpejt u bë më i rritur, më i kalitur, partizan i vërtetë. Ditë me radhë dueli nuk u ndërpre. Dëmet armike dhe për shkak se lëvizte brenda aksit rrugor, qenë të mëdha. Po, natyrisht, siç është e natyrshme, përleshjet luftarake nuk përjashtojnë humbjet. Edhe mes shokëve partizanë numëroheshin çdo ditë të plagosur, edhe të mbetur në fushën e luftës. Ashtu ndodhi që nga plumbat e pushtuesve gjakatar, me datën 15 nëntor, goditën Koçon, si dhe mitralierin Vait Bahri Hykollari, i shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 5114 datë 03.03.1951 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçë.

Koço Strati Mele është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 76 datë 12.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Elbasanit.

Në Peqin mitralozi i Kolit heshti…

Koli Rapi Kolëmarko lindi më 14 dhjetor 1926 në fshatin Bezhan të Kolonjës. I ati u end për shumë vjet rrugëve të kurbetit dhe Koli fëmininë e kaloi në fshatrat Bezhan dhe Rehovë, tek gjyshërit. Koli 15-vjeçar ëndërronte të shkonte partizan. Një ditë maji të vitit 1943 ai gjeti një pushkë dhe u nis për t’u rreshtuar në radhët e çetës partizane të Kolonjës.

10 mars 1944! Kohë me shi, erë e stuhi. Një grup i vogël djemsh morën rrugën nga Bezhani për në Dardhë, po aty nuk e gjetën BrIIS. Kaluan nga Boboshticë, Vithkuq e Lubonjë dhe atje u rreshtuan në radhët e batalionit “Hakmarrja”.Mori pjesë në luftën e Qafës së Shënmërtirit, në Selenicë të Pishës kundër ballistëve e xhandarëve. Në Operacionin e Qershorit mori pjesë në shpartallimin e një grupi armiqsh në Vithkuq. Më 25 qershor 1944, Koli me një pjesë shokësh shkoi nga Kolonja për në Protopapë, ku u bë organizimi i BrXVS. Koli nisi rrugën e betejave të njëpasnjëshme: në pritën e autokolonës armike në Qafë të Thanës, në luftimet në Polis të Madh, Qukës e afër qytetit të Elbasanit, në Gurazi, Shtërmenj e gjetkë.

Më 28.10.1944 kompania ku ishte Koli mori urdhër për të zënë pozicione në rrugën Peqin-Elbasan për t’u prerë rrugën autokolonave gjermane që shkonin për në Tiranë. Beteja në këtë rajon u zhvillua e ashpër. U vranë shumë gjermanë. Mitralozi i Kolit ‘këndonte’. Gjermanët filluan të qëllonin me artileri. Koli u plagos rëndë, mitralozi i tij heshti…

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 76 datë 12.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Kolonjës.

Me plagë në trup parakaloi fitimtarë…

Ramadan Taip Rapollari lindi në vitin 1927 në qytetin e Pogradecit. E kaloi fëmijërinë e tij në rrugët e qytetit duke u ofruar shërbimin të tjerëve. I ati Taip, kishte hapur një dyqan afër pazarit për të meremetuar e për të bërë opinga. Opingat shiteshin me lirë se këpucët. Ramadani u bë ndihmës i të atit. Aty në atë dyqan të vogël pranë pazarit, Ramadani njohu nga afër mjerimin e fshatarëve të krahinës së Pogradecit dhe të zanatçinjvë të vegjël. Pushtimi i Italisë dhe mbushja e tregut me këpucë të dobëta dhe të lira e vështirësuan shumë jetën në familjen e opingarit.

Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, një nga simpatizantët u bë dhe Ramadan Rrapollari. Çeta e Mokrës dhe e Malit të Thatë mbaheshin nga populli i fshatrave dhe nga ndihmat që jepte qyteti. Edhe Ramadani qepte opinga për partizanët në dyqanin e vet dhe ua dërgonte me shokët. Ramadani pa me sytë e vet trimërinë e partizanëve kur më 7 shtator 1943 ata sulmuan ushtrinë fashiste që ndodhej në kazermat e Pogradecit. Qyteti jetoi me shpresën se së shpejti do të çlirohej, por ngjarjet rrodhën ndryshe…

Në qershor të vitit 1944, BrXVS nisi betejën kundër gjermanëve në pikat fortifikuese, rreth qytetit të Pogradecit në kala, në Kullë e gjetkë dhe i detyroi të linin pozicionet e të tërhiqeshin. Shumë të rinj nga qyteti u hodhën me ushtrinë partizane. Një nga këta ishte dhe Ramadan Rrapollari, i cili u bë luftëtar i BrXVS. Një pjesë e mirë e Atdheut që çliruar dhe partizanët niseshin në aksione të reja luftarake. Rruga Korcë-Elbasan gjatë asaj vere dhe vjeshtë mbante gjurmët e shumë pritave që iu bënë autokolonave gjermane. Rrethi i Librazhdit dhe qyteti i Elbasanit, i çliruar nga forcat e kësaj brigade, tregojnë shumë episode trimërie të forcave partizane. Përpjekja e fundit me armiqtë u bë në Qafën e Kërrabës…ku dhe u plagos…

Ramadani në ditën e çlirimit me forcat e brigadave partizane që parakaluan ishte dhe BrXVS. Por plaga e rëndë, bëri që të ndërronte jetë në spital… Ai jetën e dha për Atdheun.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 76 datë 02.12.1970 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Pogradecit.