Na ishte një shtëpizë e bardhë mes gjethesh
Sa një sy i kaltër një liqen
Zambakët ngjyrë blu nën një treme
Luizë e bukur aty jetonte
Pendë korbi i kish flokët e saj të zez
Shtegut të blertë kur kalonte
Me shenja më fliste çdo mëngjes.
Takimin e kishim, oh ç’takime!
Rrëzë kodrës së vogël mbi liqen
Unë e përndezja me vështrime
Ajo shpupuriste flokët e zez.
Kur fjalët s’i nxirrja dot nga goja
Një letër ia lëshoja brof në dorë
Zemra sa s’më dilte nga gëzhoja
Faqet më kuqëlonin si mollë.
Aviteshim liqenit që të dy
Kur puhia rrëshqiste lehtë mbi valë
Ndalonim diku mbi një ledh përbri
Në heshtje që fliste mijëra fjalë.
E pashë prapë kur dielli ish praruar
Kur shtegut dilte nga shtëpiza
Rendja si i marrë, i vonuar
Trupi më ngjethej nga mornica.
Por një ditë ajo iku, më s’e pashë
Më kot vështroja shtegut nëpër hije
U fishk oborri me zambakë
Liqeni me valë nuk pipëtinte.
Vitet kaluan, tash është larg
Kështu ish shkruar, e tha zoti
Për Luizën e bukur kam shumë mall
Për flokët e zez, pendë korbi.
