LULE PËR TË RËNËT-Lutfi MEMA


LULE PËR TË RËNËT 💐

Ajo vajzë ish yll apo perri,

që u ngjitej kreshtave përpjetë?!…

Si lule shkëmbinjve kish mbirë,

flokët larë e krehur nga rrufetë…

Rrobat nëpër shkrepa janë shqyer,

ajo gjithnjë veshur me furtunë…

Sytë asaj i shkrepin posi yje,

me shokët në ballë s’bënte gjumë…

Këndon pushka në maja, lugina,

malet lartësohen hijerëndë,

djegur, shkrumbëzuar trëndelina,

si lule në krisma mbijnë këngë…

Ato duar nuk i ke të buta,

janë me kallo, pushkën ke shtrënguar,

janë gjurmë që ty të la lufta

zbret tani nga malet e gëzuar…

Dhe fitorja si pranvera erdhi

dhe vërshon gëzimi si ujëvarë,

lotët posi vesë me lule sjellim

si kurorë për shokët që ranë…

Posi lule na mbetën kujtimet

në vendin që shokët lanë bosh,

ndjejmë ne krenari e dhimbje,

sytë për ta na mbushen me lot…

Ata ecin nëpër histori

dhe në vite flakërojnë në qiell,

koha derdh përmbi ta lavdi,

lartësive xixëllojnë si yje…

Lutfi MEMA

Personalitet i Shquar i Arsimit Kombëtar

Komente:

“Respekt për penën tuaj!” (Marsela Bucaj)

“Vëllai im i dashur, Profesor Lutfi Mema! Pena jote nuk pushoi as në ditët më të vështira…Është ilaçi i shpirtit tënd dhe krenaria jone…❤️💔❤️”(Tefta MEMA)

“Vargje shumë të bukura! Respekte!” (President Muhedin Mahilaj)

“Të lexosh vargjet poetike të profesorit të nderuar Lutfi Mema, emocionohesh për forcën e fjalës, për mesazhet që përcjell, për pozitivitetin, që ato kanë…

Mos shterofte pena juaj prefesor!”🌹🙏🌹🙏(Ilia Bombaj)

“ Lutfi Mema, Vargu yt na lartëson. Shëndet!” (Noke Abilekaj)

“Respekt për Ty, që në çdo përvjetor përmes vargjeve të Tua, i rikujton dhe u thur Lavdi të gjithë Atyre, Djem e Vajza, që luftuan e dhanë edhe jetën për Liri! Lavdi Dëshmorëve në Përjetësi!” (Meshtane Hodaj)

“Profesor Lutfiu, pena juaj skalit në vargje çdo ngjarje të jetës tonë. Kjo kohë e lavdishme e popullit tonë nuk mund të mos shkruhet me ato vargje të ndjera për bijtë e tij nga pena juaj e artë.Ju uroj vetëm suksese!” (Vasil-Ermijoni Bombaj)

“Aurela Lutfi Mema, Ajo vajzë yll apo peri, ne fact Lutfiu nënkupton nga ana figurative, Vajzën shqipetare, yll, Perri, jo per pasarela dhe modele, por yll, perri, Shqiponje qe u bën ballë rrufeve dhe vetëtimave…Ngjitet nëpër male, shkrepa me pushkë në dorë, pranë vëllezërve të saj, e kudondodhur, atje ku e do Atdheu, në ballë të luftës…Nuk ka si të ndodhe ndryshe, Shqiponja qëndron gjithmonë lart, në shkrepa, në maja, e bukur, e mprehtë deri sa arrin fitoren…,Kthehet fitimtare, por lot dhe lulet jane kurorat, kurorat që meritojnë vetëm trimat, të rënët, dëshmorët, që vetëm bijtë e shqipes dinë të nderohen…Personazhi që ka sjellë profesor Lutfiu është Ajo, vajza me flokë të krehura jo nga krehëri, por shiu, rrufeja, ajo që mbijeton.Unë ndjeva krenari që e lexoj dhe rilexoj, sepse këtë ta jep Lutfi Mema nëpërmjet përshkrimit dhe vargjeve madhore…Ju uroj veç shëndet, profesor Lutfiu, për të mirën e frymëzimit, që krijoni në poemat tuaja! Respekte nga Florida!” (Harilla Bombaj)i