Lulet e Epirit-Leonard Pipa


1.

Ja mbrëmja po shkon përmbi kalë të zi,

Ora po afron në pafundësi…

Ti ende s’ke ardhur nga e diella e përrallës,

Kumbullat i mblodhëm në shaminë e hallës.

Nëna, nënëmira tek ty e ka shpirtin,

Mbaje mirë më thotë dhe më drejton gishtin.

Ç’të mbaj i them unë ajo të më mbajë,

Dhe pse gjysmën e botës e ka bërë të saj.

Arrat edhe mjaltin po i mban mënjanë,

Sa të vish ti kemi Ramazan!

S’guxojnë t’ë afrohen as pulat e gjora,

I pret tek veranda me një shkop tek dora.

Gjeli gjëlëziu këngën fare shteri,

Që kur e dëgjoi për ty do t’a theri.

Dhe unë si të gjithë nisa të besoj,

Eja, kur të vish fshati do ndriçoj!

***

2.

Në ëndërr në të kam bezdisur,

Me zjarre puthjesh si rrebesh,

Kjo koka ime e pabindur,

Në ëndërr çdo që të vjen shpesh!

Në të kam dashur pak më shumë,

Kam humbur peshë, kam humbur masë,

I kam harruar në një gjumë,

Tani të dua veç me pashë.

E mira ti mos merr inat,

Se përqafoj si dallgë proi,

Shkova në kurs për delikat,

Po zonja dhelpër s’më pranoi.

E di, s’beson më si më parë,

Sa i jam lutur me lot në sy,

I futa mik dhe një gomar,

Të njëjtin hall kishim të dy…

***

3.

Në ardhç sot në ëndërr druri,

Të ma bësh gjumin si erën,

Nëse s’ngjitesh dot nga muri,

Të t’a lë pak hapur derën.

Mos prit të fundoset nata,

Me këmborë të rrënda resh,

Gjumin me hapadollapa.

Do t’a bëj gjer në mëngjes!

Në se vesh fustanin e bardhë,

Vish të kuqin alla frënga,

Se erdhëm njëherë vërdallë,

Mezi t’a hoqa nga mënga!

Në ardhç siç vjen me të madhe,

Sa të skuqet trëndafili,

Ëndërr është hedhim një valle,

Me muzikë të blertë prilli.

Bëjmë një xhiro mbi Epir,

Puthemi në gji të Artës,

I pyesim: ” çish bëni mirë?”,

Prishim pagjumin e natës

Sot, në ëndrrën në më shfaqesh,

Qoftë dhe për të fundit shpresë,

Mbytur në vrulle meraqesh,

Do të lutem për martesë!

***

4.

Më përmendi jotja këngë,

S’di se kush po e dëgjon,

Zemra ime u bë mëngë,

Nëpër dridhma po përgjon!

Nëpër gjumë tingull i vjetër,

Me magji mi hapi sytë,

Të kish qënë këngë tjetër,

Do isha në gjumë të dytë!

M’u kujtua buza jote

Përdredhur në cep me naze,

Si i kaptove kaq mote,

Prishe gjumin me avaze?!

M’u kujtua…oh moj kohë,

Të gjitha si vetëtima.

U bënë shekuj që se shoh,

Më mbushte me cicërima!

***

5.

Kur u poqe musht i mushtit,

Kur t’u skuq faqja si pjeshkë,

Të zhvishja si vapë e gushtit,

Mu bë shpirti mu si eshkë!

T’i hiqja nga një si gjethe,

Bluzën fllad përmbi kërthizë,

Më zunë disa palë ethe,

Dy gisht fundi si puhizë.

Buzë e kuqe çeli flakë,

Gjak si trëndafil Epiri,

Sa të preka fare pak,

Më vajti dora tek gjiri…

Dorë zeza s’qe më dorë,

Ishte mjaltë mbi kraharor,

Ç’të duronte jotja buzë,

U fik fitil në ventuzë.

***

6.

Për nazet si thupra bliri,

E lidha gjumin në ferrë,

Në mos qofsh shurup Epiri,

Do të pi le të jesh vrrer!

Kali si duf vetëtime,

Mall për ty dridhet i tëri,

Nëpër lumenj hingëllime,

Desh u mbyt, si dilte zëri!

Mirë me mua mban inatin,

Ngritur si flamur mbi kodër,

Po me kalin ç’ke, të ngratin,

Si manar të bëhej lodër?!

Në s’ke hiç mendje të ndalësh,

Ç’inat mban, ç’furtunë vesh,

Shpirtin çika të ma falësh,

Trupin të ma bësh përshesh!

M’a prano të fundit lutje,

Kalit zemrën mos ja merr,

Në inate shtyje tutje

Në një ëndërr e kam blerë!

Merre hakun gjithë mbi mua,

Merre hakun e pa hak,

Çoje dhimbjen gjer në thua,

Sepse unë duroj dhe pak!

***

7.

Njëherë kam trembur një thëllëzë,

Me buzë të kuqe flakërimë,

Më gjak të ngrirë u fut rrëzë,

U fsheh më la në gjoks një vrimë…

I merrakosur e kërkova,

Mos ishte vrarë,mos ish lënduar,

Të gjitha shkurret çrrotullova,

Me zemrën copë si plis në duar.

Si gjë nuk gjeta përrallit sertë,

U nisa rrugës si litar,

Po nuk më bindej zemra e shkretë,

Meraku shkrinte lot mbi bar

Mezi e binda që s’ish punë,

Kërkonim gjilpërën në kashtë,

Mes rozgash isha bërë dhunë,

Më digjnin gjëmbat, pesë a gjashtë.

Thëllëzën tremba veç njëherë,

Betohem nuk i bërë gjë,

Dhe si mallkim që atëherë,

Thëllëza s’kam parë më!…

***

8.

Për dy sy, vetëm për dy,

Jetën jepja dyqind herë,

Kur me dritë si hyjni,

Më kërkonin nëpër tmerr!

Më mbulonin ngrohtësi,

Sa freskohej pakëz moti,

Ishin fllad e lehtësi,

Dhe në zheg si ky i sotmi!

Ti e dije se për t’a ,

Unë i vija zjarrin botës!

Po prapë ike tjetër krah,

Dhe më le pa mend e kokës!

Humbe si guri në ferrë,

Si ajo natë s’ka të dytë,

Malli më merr ndonjëherë,

Jo për ty, vetëm për sytë!

***

9.

Ç’i bëra atij qerpiku?!

Zemrën m’u në mes ma piku.

Se mos vetëm zemërzezën,

Si shkrepse me ndezi

shpresën.

Beli që lëshonte yje,

Më la pa pikë fuqie…

Këmba që shkelte mbi rërë,

Shponte zjarrin me gjilpërë.

Buza kullonte argjend,

Pse më la pa frymë në vend?!

Më ka thënë nënë gjora…

Kështu i ka vajzat Vlora!

***

10.

Erdhe ti çeli natyra,

U ngjall vendi si i vdekur,

Zogu i ëndrrës ngjyra ngjyra,

Ndali krahët si i mekur!

Erdhe ti si shtatë pranvera,

Bukuri e bukurive,

S’qesh më hëna,ri tek dera,

Diellin me shkëlqim e shkrive.

Unë si unë, pinjoll gëzimi,

Si duroj për puthjen tënde,

Shpërndaj valë rrezatimi,

Sa të jemi bashkë në mbrëmje.

Sa të kam pritur…o zot!

Të më vish kështu siç erdhe,

Me mjaltë puthjesh fill nga sot,

Të ndërtojmë tonën çerdhe!

***

11.

Për një natë dashurie,

Po qan shelgu anëlumi,

Struket pritja bëhet hije,

Sa të niset tek i shumi…

Hesht e pikëlluar mbrëmja,

Që nga koha e pa kohë,

Fantazi më mbështjell mëndja,

Hera herës nuk e njoh…

Për një natë,me nimfën tënde,

Shkrihen zemrat qofshin falë,

Ç’mos t’a mbash halë në mëndje,

Hyn i vdekur…del i gjallë!

Për një natë përvëlimi

Zogu vapës bëhet gur,

Ngrin e shkrin që nga fillimi,

Kështu është, ka qënë qëkur!…

***

12.

Sa shumë të desha atëherë,

Sa shumë më deshe ti,

Tani e gjithë ajo pranverë,

Është kthyer dimër i zi.

Pa sytë e tua veç një çast,

Më ngjante bota ferr,

Sot kur këmbehemi ndonjë rast,

Më duken si humnerë!

Po asnjëherë nuk kam dashur,

Të quaj tradhëtare,

Shpirtin kjo botë ma ka plasur,

A jam pa shpirt unë fare!

Sa shumë të desha atëherë,

Sa shumë më deshe ti,

U derdh si kana plot me verë,

Gjithë ajo dashuri.

***

13.

Zëmra nuk ma thotë, goja jo që jo,

Ti moj lumë madhe ende nuk më do?!

Po ç’faj kisha unë atë natë të krisur,

Zoti shtojzovallet enkas i kish nisur…

Kohë pa u parë, as vrarë e as prerë,

Dhimbja si patkua më ngeli në derë!

Mos e ke nga nazet, si shishja që zbrazet,

Mos e ke nga vapa t’a kthej kohën prapa?!

Kohën që kalon para syve tanë,

Tek një rrobaqepës do t’a bëj fustan.

Nuk di si të lutem, falëm këtë natë!

Se pa syrin tënd nuk e kam të gjatë!

Inatin e shiut që mban në sirtar,

Fshehtas do t’a marr, do t’a bëj litar.

Dhe për buzën tënde, mjaltë hiret e tua,

Do lidh marrëzitë si katil në ftua…

***

14.

Pylli hesht lart mbi kodër,

S’pipëtin asnjë guak,

Dhelpra pret, duket si lodër,

E mbyll natën me kapak.

Kali më një fishkëllimë,

Kapërxen nja dy, tre re,

Drithëron nën hingëllimë,

Mani që bën sikur fle.

Erdhi nata, erdhi nata,

Zgjohet bulkthi zhurmaxhi,

Nis me avaze të gjata,

Thyhet hena mbi çati.

Vasha ime u vonua,

Vallë mos i ka ndodhur gjë?!

Apo mbeti mish e thua,

Me qenushin kokëgdhë?

Në Tik-tok e Instagram,

Mos hedh foto me sorkadhet,

Me iriqin llafazan

I tregojnë botës hallet?

Mos po niset e stoliset,

Si degë plot me mollë të kuqe,

Bota sot do të përmbyset

kokëposhtë mbi ato lugje?!

Me një fishkëllimë kali,

Bëhet erë, më lëpin dorën,

Prit e s’ka vashëza ime,

I ka ngrënë qenushi orën!

***

15.

Sot mbeta pa puthjen e vjeter,

Ndaj them në endërr të të shoh,

Eh…ëndrra gënjeshtare tjetër,

Nuk do të vijë dhe s’do që s’do.

Afshin e buzës nuk ma shuan,

Asnjë kallkan, asnjë freski,

E gjora pjergull kot po vuan,

Mi sjell radhë gotat me raki!

Zogjtë në kalim se kthyen kokën,

Si morrën vesh që nuk je ti?!…

Dhe trëndafilat nuk më folën,

E derdhën ngjyrën në avlli.

Sot mbeta prapë, pa puthjen tënde,

Pa përqafimin mëngjesor,

Nja dy tre zënka kam në mëndje,

Një gur të madh në kraharor!

***

16.

Këtë herë si asnjëherë,

Asnjë shkronjë në eter,

Asnjë tingull, në cektina,

S’vjen as zogu me patina.

Pak nga pak po bie nata,

Vajza me qerpikë të gjata,

Sa i mbyll pak ata sy,

S’marr dot frymë as për ty.

Këtë herë s’më qesh as nuri,

Lini hollë zverdhur si guri,

Këngë pa puthur buzënata,

Fluturojnë në shpirt dy pata.

E shtrëngoj sa s’mund tek dora,

Cepi detit shket saora,

Anës, mesit, asnjë grua,

Si hedh sytë si gur mbi mua.

I topitur pres dhe pak,

Mbështjell natën rreth e qark,

Këtë herë… pse këtë herë?!

Më tret humbja si sheqer.

***

17.

SHIU

Shi si ai s’ka rënë asnjë mot,

Gjith’ inatet qielli i zbriti në tokë!

Ç’t’u desh moj e marrë,mirë unë s’kam mend?!

Strehëza s’na nxinte,dy pëllëmbë vend!

I trembëm dhe zogjtë,s’kishin nga të shkonin,

Cicërimat tona ç’kusur ti dëgjonin!

Uji mori dhenë fundi sa nuk doli,

Në të dy në strehë nuk e pamë ç’ndodhi!

Shira si ai bota i ka tmerr,

Unë i lutem zotit të bjerë dhe njëherë!

* * *

18.

ATË NATË

Atë natë se di nga erdhe,

Tufan dufesh të pa çfryra!

S’gjetëm shkarpa për një çerdhe,

Si dy zogj, të marrtë e mira!

S’gjetëm asnjë fije bari,

Nëpër natën e shastisur,

Duke puthur shpresëvrari,

mbaja zjarrin të pa fikur!

Eh…sa u mundua nata,

Të mbulonte, s’gjeti shkarpa,

Grisi gjysmën e fustanit,

Se desh lamë kokrrën e namit!

Ç’hoqi nata atë natë!…

E shqeu fustan’n e gjatë,

Në mëngjes ne nuk e pamë,

Ikëm…lakuriq e lamë!

* * *

19.

MUZA

Anës prroit kur të gjeta,

Nëpër shkarpa, nëpër fleta,

Kishe ikur nga përralla,

A legjendat janë të gjalla?!

Buzë e kuqe të ish fshirë,

Loti faqes të kish ngrirë,

U trondita, u mahnita,

Në merakun tënd u mbyta!

Kur u zgjove, fluturove,

Sa më trëmbe, më gëzove,

Buza ime të kish ngjallur,

Por për vehte isha kallur!

Anës përroit, s’di pse mbeta,

Nata erdhi me një krah,

I shastisur rashë e fjeta,

Ndënë thanat porsi gra!

* * *

20.

KOKRRA E QERSHISË

Ti,… ti kokrra e qershisë,

Nëpër pupla të kumrisë,

Të kafshoj pak, fare pak?

Kam frikë se të bëj me gjak!

Më është djegur buzë shkreta,

Ca nga vapa, ca nga jeta,

Pak, veç pak sa ta provoj,

Frikë kam më shkrin në gojë!

Po sikur të kap për bishti,

Të varen kokrrat tek gishti?

Ç’faj ka gishti, gisht qyqari,

Të bëhet i kuq si zjarri!

E do buza, bruza-bruza,

Ndaj dhe po më bën merrak!

Ti ngul dhëmbët si topuza,

Do ma bësh buzën me gjak?

* * *

21.

Pas fjalëve të tua, e humbas ngahera,

Si më ikin fjalët…ndoshta m’i merr era!

Sa ikën si vesa fare pa kuptuar,

Menjëherë pse kthehen si lodra në duar!

Fjalët ma dhanë fjalën

Vetëm ti të vish,

Vetë do të rrjedhin si burim lajthish.

Fjalët ma dhanë fjalën po unë s’u besoj,

Po ti vetëm eja le të jem pa gojë!

Po ti vetëm eja, eja në të shkuar,

Si zog i kam zënë i shtrëngoj në duar!

* * *

22.

Kur u shtrive, u përfshive,

Si mëndafsh i bardhë, u shkrive,

Dritëhëna u verbua,

Shkoi u mbyt në përrua!

Natëzeza u bë ditë!

Hape gjoksin e më mbyt!

Zgjate dorën e mëkatit,

Më rrëmbe o lumë i mjaltit!

Një gisht para, dy më tutje,

Nuk kam kohë as për një lutje,

Trëndafilat të mbulojnë,

Se di a të meritojnë!

Jap e marr shtrëngoj burgjitë,

Për një natë që bëhet ditë,

Se jam burrë e më vjen turp,

Herë them… ta ha me bukë!

* * *

23.

Veç pak dua të më duash,

Dashuri për ditëzi,

Emrin në një cep t’a shkruash,

E në u fshiftë prapë…u fshi!

Pak,veç pak më dëshirofsh,

Një natë janari në vetmi,

Edhe në mendje mos e shkofshë,

Unë gjallë a vdekur do të vi!

Qerpikun e zot kur t’a pashë,

Ma shtolle mendjen prapësi,

Pak vetëm pak më paç në mëndje,

Unë mëndje e shpirt do jem tek ti!

O zot, o zot, bëji për mua,

Ata gjinj q’shpërthejn muza,

E do t’i dua, sa do t’i dua,

Ilaçin tënd do vë tek buza!

* * *

24.

Buzë më buzë,më zgjo si prushi,

Ligur, fikur fjalë pakë,

Tani kur të vijë gushti,

Eja mbillëm me zambakë.

Mbase vjen me përvëlima,

S’di të ftohem si kamina.

Gjoksi yt dritë dëborë,

Ngrin e shkrin një meteor!

Eja edhe në shtator,

Thelë moj zemra ime thelë,

Dallëndyshet në oborr,

T’i përcjellim një të djelë!

Synë e zi, ah synë e zi,

Nxirre pak në telefon!

Ç’them dhe unë… me oi,

Eja, eja përgjithmonë!

* * *

25.

Zjarr ti mos u merr me mua,

Ditën, kohën mos e humb!

Thojini,… ua kam hua,

Se do digjet bëhet shkrumb!

Ajo sonte do të vijë,

Sa ma nisi një shkëndijë,

Lermë, ç’ke, merru me shokët,

Mos më gjen pa krehur flokët!

Mos më gjen pa trëndafila,

Mos më gjen pa tulipanë,

Rri më qafsh, mos më fut cfina,

Se ma mban kokën mënjanë!

Ik te mali në Epir,

Bashkohu me vetëtima,

Se po erdhi mikja, bir,

S’ke nga ikën, s’të nxë vrima!

Ja po vjen…më bëre punë,

Nga t’ia mbaj i ziu unë!

Zjarr o zjarr gjer në mëngjes,

O më vdeksh, o do të vdes!

* * *

26.

Ti ikën e vjen e Epirit erë,

Sa ma prek fytyrën dehem si me verë,

Fjalën kur ma thua e përzien me mjaltë,

është si manaferra e embël e thartë!

Frikëzat e tua sa të shkojnë si hoje,

Kur më the të dua, fjalët numëroje,

Ngadalë i rrendisje në zinxhir floriri,

Unë po një gisht ujë ika nga fiqiri!

Sa ma prekje gishtin s’ishte më i imi,

Sa digjej nga zjarri, shuhej përvëlimi,

Këngën unë për ty…ku e çova këngën,

S’di se ku e humba tutje mori mëngën.

Dorën kur t’a preka si pëndë pullumbi,

Dale me ngadale nëpër gjoks më humbi!

Ikën e më s’ikën dielli n’çati,

Një sy kish nga nata tjetrin nga ti!

Moj er’e Epirit ti solle Perinë?!

Parfumin e gjirit era trëndelinë?

Dielli s’perëndon dhe ju nuk më thoni?!

Në kam qënë në gjumë s’dua të më zgjoni!

* * *

27.

Zemrës nuk i’a vura zjarrin,

Ti je e madhe dashuri!

Shpirti shpirtin kur kërkon t’ia marrin,

Për një gonxhe trëndafili do t’a jepja ty!

Ende s’ta kam parë shkëlqimin e syve,

Atë që na vdes e na ngjall të dyve,

Si ëndërr më vjen e në çast më ikën,

Hërë më fut zjarrin, hërë më kall frikën!

Nuk kam pse të ndjell fantazi të marra,

Sepse drita jote më ndriçon e para,

Çdo mëngjes si vesa sa më prek dhe ikën,

Shpesh më lë me zjarrin,dhe më shpesh me frikën!

Si gjithmonë e di gënjeshtare mëndja,

Në çdo trëndafil Gonxhja është tëndja!

Ti s’je dashuri,ti je një Agim,

Ja kam frikën zemrës se mos bën gabim!

Ja kam frikën zemrës, gjoksin po ma çan,

Vitet që kanë ikur mbulon me jorgan,

Ja kam frikën zemrës mos më kap gafil,

Nuk ia fik dot zjarrin me një trëndafil!

* * *

28.

Syrit tënd, e lashë, s’do ja hidhja sytë,

Me njërin ja dola, s’munda për të dytë!

Buzët,o zot buzët, trëndafil me rrëmba,

Sa herë i puthja më shponin si gjëmba!

Nuk po shkoj më tutje se bëj atë gafë!

Boll jam mbytur unë dhe u marr më qafë!

Mos e patë nga shkoi shtajzovallen time?

Sa të mbledh pak zemrën

Se m’u bë thërrime!…

***

29.

Kam pasur mike një bjondinë,

Me kaçurrela ar,

Me sy të gjelbra si lëndinë,

Sikur të mbjella bar.

Vrapoja pas saj si i marrë,

Në borë,breshër, shi,

E mbaj mend puthjen tonë të parë,

E mbaj mend si tani!

Po, si tani më kujtohet…

I turpshëm prisja tek rruga e vjetër,

Nga larg me sy ta shoqëroja,

Mos e ngacmonte ndonjë tjetër!

Po atë ditë…ah atë ditë,

Ajo m’u qas si një fajkua,

Më shihte thellë në dritë të syrit,

Më dridhej trupi mua!

Një shpullë më dha me flakërimë,

“Po ti qënke frikacak!”

Dhe zgjati buzët vetëtimë,

Më puthi si trumcak!

Dikur kam dashur një bjondinë,

Po çthem…e dua prapë!

Edhe pse e humba në lëndinë,

E kam ende në gjak!

***

30.

Buza jote bërë plagë,

O e shkreta buzë,

Herë më duket si zambak,

Herë si Meduzë!

Hërë më ngjan si karafil,

Pikon gjak mbi mjekër,

Hërë herë si trëndafil,

Në kopështin e vjetër!

Pse nuk vjen si flutur bari,

Siç vije gjithmonë,

Hënën në gotë qelibari,

T’a shtrydh si limon.

Kohën, tinëz mos të iki,

Ta lidh në kalatë,

Me zinxhirë të ndryshkur shpirti,

Deri në shtrëngatë.

Buzën plagë si ujë të pakët,

T’a mjekoj me mundje,

Atë çast t’i fshihen plagët,

Me të parën puthje!

***

31.

Nëse do më doje… yll i rënë nga qielli,

Ti që më verbon kur ndriçon si dielli,

Shpirtin m’a këput si lule në arë,

Ti që më shastis me vështrim të parë.

Ti që po të duash më luan si lodër,

Zemrën ma bën mal,shpresën ma bën kodër,

Ti që mua trimin më bën si kotele,

Mjafton të pimë kafe Vlorës një të diele.

Ti që Perëndia të ka mrekulluar,

Zogjtë me sqep argjendi të kanë vizatuar,

Ti që përvëlon brënda edhe jashtë,

Mua ma vë zjarrin sikur të jem kashtë.

Nëse do të dish…si mjalti në hojë,

Kur më kalon pranë ndroj nja dy tre bojë,

Për inat të hënës në m’a bëfsh me sy,

Unë nga hutimi do t’i shkel të dy.

Mos më dërgo puthje si lule në varg,

Se i bie botës dy herë rreth e qark,

Në më do vërtetë eja jepmë shpëtim,

Puthjesh të harrohemi deri në agim.

***

33.

Më vështron e fap.. ul sytë,

Sa e kap vështrimin tënd!

Vetëtimat e gjëmimet,

Sikur mblidhen në një vënd!

Lehtas, fshehtas, ndënë buzë,

Qesh si gjithë lozonjaret,

Dhe mundohesh gjith namuz,

Gjoksit të kuq ti mbytësh zjarret.

Unë mëkot shpresoj kur kthehesh,

Ti hidhesh në tjetrin krah,

Frikë nga zjarri mos rrembehesh,

A ke frikë se mos të ha?!…

E më qesh e më nënqesh,

Gaz i buzës vesh më vesh,

Ah ti, ti…të shkriftë gazi,

Më le pus…mbytur tallazi!

***

34.

Kur të vish ti mbushur plagë,

Përvëluar zjarre malli,

Mos ma bëfsh buzën me flakë,

Të kem vdekur si i ngjalli!

Kur të vish siç vinë furtunat,

Të më shqyesh degë e rrënjë ,

Ti harroj mbi gur të shtunat,

Shpirtin pa dalë nëpër dhëmbë!

Ta humbas në xhep toruan,

Shpirtin zhele në fundkëmbë,

Kur të vish bashkë me përruan,

Me një vrrull e me një këngë.

Kur të vish, veç kur të vish,

Më trego për plagë, për vraga,

Lodhur prijesh mos më grish,

Nuk jam si herët e paka.

Malli më ka marrë shumë,

Më ka bërë dhimbja zog,

Nuk më lag më asnjë lumë,

S’ma mbush mëndjen asnjë kokë.

Kur të vish do e kuptosh,

Sa jam plakur, jam rinuar,

Eja kur mos u vonofsh!

Malli më ka ndezur…shuar!

***

35.

S’ka ardhur, jo, ende pranvera,

Me krahë të gjelbër fluturimi,

Të veshësh ti robat e verdha,

Të ngjallësh botën nga fillimi!

Bluja e thellë si rubin,

T’i çeli prapë sytë e tua,

T’i shoh të qeshin në agim,

Asgjë të mos më mbetet mua.

E më pas vera s’do vonojë,

Do marrë zjarr,do ndizen urrat,

Po nuk e di a do duroj,

Të shohin gjithë epshe burrat!

Kur ti të veshësh dekoltenë,

Ti derdhësh hiret symiletit,

A kur të shrihesh dy gisht rrenë,

Sa gjerë e gjatë në anë të detit.

Po në mos ardhç në plazh të

Vlorës?!

Të digjesh prej inatit tënd!

Mërinë t’a bësh zinxhir të dorës,

E të kujtosh se po çmëd?!

Po do të vish,… gjithmonë ke ardhur,

Se unë e di që ti je shtrigë,

Në shpirt gjithmonë të kam mbajtur,

Kot ke kujtuar… të kam frikë!

***

36.

Në ëndërr ah…sikur të shoh,

Qoftë dhe një copë herë,

Më thënç: “Me çadër më mbulo!”,

Njësoj si atëherë!

Të them ato që dot s’ti thashë,

Se koha s’më premtoi,

Përhumbur puthjesh një larash,

Në sqep i vuri, shkoi.

Ne nuk e pamë, ah… nëpër bar,

Dalldisur dashurisë,

Na kishin dehur me nektar,

Vetë lulet e qershisë!

Në ëndërr ah… sikur në ëndërr,

Të prek veç pak me duar,

Të shtunën kur u bëra

dhëndër,

S’di pse e kam harruar!

I etur të të puth në buzë,

Zhuritur zjarr pendimi,

Se atë ditë, ah… ramë në pus,

Pa ndarje përqafimi!

***

37.

Në do të vish si lule pjeshke,

Të zbresësh nga një mëngë bjeshke,

Unë do të pres si priten lulet,

Zemra nga gjoksi do më shkulet.

Të kenë petalet pakëz borë,

T’i ngroh a mos t’i ngroh me dorë,

Po të vë buzën kam merak,

Se mos më fishken si zambak.

Në do të vish si vjen një përrua,

Të më përmbytësh gjer në thua,

Të jetë shkruar si imi fundi,

Tufani yt le të më mundi!

Në do të vish prapë si dikur,

Me gjithë naze me gjithë nur…

Në dreq të shkojë…ti vetëm eja,

Shkrumb të më bësh si rrufeja!

***

38.

Ti më doje Pelasinë,

Që kur ishim zoq,

Zemrën kur t’a lashë në dorë,

Zjarrit tënd u doq.

E zënë në faj,

Flakë si Meduza,

Me buzën e kuqe,

Më nduke te buza.

Ti më doje Pelasinë,

Edhe kur u rritëm,

Eh… sa netë agimin,

Ndënë thanë e pritëm.

Se di si u zhduke

Pyllit me gështenjë,

Nuk pashë asnjë gjurmë,

S’gjeta asnjë shënjë.

Sa hap e mbyll sytë,

Se di pse u zhduke!

S’të pëlqeu puthja?

U vele me puthje?

Brengën e kam venë,

Qysh nga ajo kohë,

Shkruam ku ke shkuar

Veç pak sa të shoh.

S’më ka qeshur buza,

S’më ka fjetur syri,

Dhe siç kam dëgjuar,

S’kam mbetur as hiri.

Në ke mend të kthehesh,

Fare mos u kthe,

Si jam katandisur,

As nëna s’më njeh.

Hiç mos eja fare,

Po s’je zanë mali,

Lermë të vdes i ngopur,

Ëndrra si i marri!