Fron perëndish
Të gjitha kujtimet me kujdes i mblodha
Të ëmbla të hidhura gjithë çfarë kanë qenë
Një shikim të gjithave një nga një u hodha
Ç’mëkat paskësha bërë nuk e kam idenë!
Nga të gjitha yjet më t’bukurin pate zgjedhur
Sa që edhe hëna qe bërë shumë ziliqare
Nektarin e shpirtit për mua pate mbledhur
Në sy të gjithë botës fare ashiqare .
Në çdo dite të re që e gdhinë agimi
Me diellin që ngroh anembanë dynjasë
Përherë më ëmbëltoje me hoje mjaltimi
Si zog flatëroja nga ndjenjë e sevdasë.
Kush të morri mësysh ato ditë o xhan
Kush të theu mendjen e t’bëri për vete…
Nuk dukeshe gjëkundi si nata pa hanë…
Në mos m’harrove fare apo jo helbete?!
Më thoshe se pa mua do të fikej bota
Se për ty unë isha gjithçka më e bukur
A mos vallë na qenkan ato fjalë të kota?
Por jo se pa mua nuk mund të jesh e lumtur.
Për dikë vërtet thonë janë lindur me këmishë
Nga kjo ndjenjë magjike që të bën me krahë
Bekuar dhe ngjitur në atë fron perëndish
Kur tik take zemre në simfoni ju rrah.
Lumni Nimani
