LUTJE PASTRUESEVE-Lumo Kolleshi


LIRIKA 15.11…

Atë stol të vetmuar në hyrje të parkut,

rrugën me blirë,

Lëreni pa fshirë,

Se gjethet,

Si tufa e guhakëve nën lisat me lënde,

Do të tremben,

Do çmenden.

Lëreni pra, të flejë stolin e vetmuar mbuluar me gjethe,

Të shikojë ëndrra dashurie.

15.11.2023

PRITJE SHEGE

Ti nuk ke parë pritje shege në nëntor,

Para portës së shtëpisë, pritje shege nuk parë,

Ca kokrra i ka mbajtur mes shirave me zor,

Nga malli dhe pritja ca kokrra i ka çarë.

Sapo shkel poshtë saj,të lumtur mblidhen zogjtë,

Mbi supe dhe mbi flokë mbulojnë te verdhat fletë.

Malli pëlcet dhe gurët e shkëmbit më të fortë,

Kështu më ndodh në vjeshtë kur shega mbi portw pret.

2016

MUND

Ti mund të më vësh taksë te riska e bukës,

Te gualli i qepës ngjyer me kripë,

Te këmisha e hollë e hudhrës,

Te guaska e vezës veshur me një cipë.

Ti mund të ma lodhësh varfërinë,

Për dheun e zi mund të më bësh edhe gur,

Taksë s’më vë dot për dashurinë,

Një zambak do të shpërthejë shkëmbit,si dikur.

2019

Ti kërkon më kot skenë dhe spektatorë,

Në labirinthet e Dedalit luan dramën jeta jote.

Po ta them sot e gjithmonë:

Me qira e kanë dhënë veten fytyrat,

Sot maskat janë pushteti i kësaj bote.

2015

MË THUA…

Më thua të të pëërkëdhel,të puth,të thith të tërën,

Më thua të ta shuaj zjarrin që të djeg.

Bëhem vjeshta e artë per gjethet e trupit tënd

Ku fryjnë erërat e thella që rrëzojnë çdo fletë.

Në detin më të thellë i futemi lundrimit magjisjellës,

Bëhemi korale e vetplotësojmë mrekullinë,

Në sytë e tu pikturoj perëndime të një dielli tjetër

Që ende nuk ka lindur për qiellësinë.

Pastaj, më i etur se dhe vetë etja,

Filloj t’i ripi me fund kupëzat e syve të tu.

Në qiej te pazbuluar rënkon tretja

Për të pikuar bardhësisht s’di se ku.

2011