Majë tehu(fondi Një)-Klejda Plangarica


Klajda Plangarica

Pezull po pushojmë ka do kohë

mbi një teh fluturimesh të pandodhura…

Ti regëtin mbi mua si e pathënë,

si një morfemë pa shije buzësh

që shpirtin ter e kurmin njom.

Dhe emrin tënd – prej flatrash zgjedhur

majë tehu e kam lënë, pa qiell…

Ti emra s’do, veç fton vështrime!

Me buzagazin-bosh të gdhendur

në sy flakëndjellës shkon e prehesh.

Tash po tëhuaj çdo rreze tënden

(Veç rreze kishim, as buzë, as kurm…)

se historitë që lindin si shkreptimë

rrallëherë vdesin me bubullima,

veç tinëz, frymë japin si brymë.

Me emër dhe pa emër tash

ti zbraz mbi mua ca rreze ftohtas

e unë lëndueshëm po shkund drejt teje

“Sikuri”-n tënd, trazimin tim…

Gjithë të rrëfyerat e parakohshme.

Dhe shpirti teret… Dhe kurmi rreshket…

Ti s’fluturon, ti regëtin

pikë-pikë më njom me fraza boshe.

I pikuri im nga qielli ti…

Oh, llohë e thiktë, e pakundshoqe!