Maji brenda meje-Nga Përparim  Hysi


Nga  Përparim  Hysi

Në fusha fëshfërit bari,
Flladi ia tund “jeletë”
Dalëngadalë një peizazh ari
Të kënaqet syri për rreth.

Një re bletësh gumzhin rrotull
Shkojnë e mblidhen në pemë
Tutje-thu,në rrugë,”popull”
Ca shpezë po lahen në liqen.

Dikush sikur po më ndjek prapa
Dhe ndalem pak që ta shoh
Për pak me dorë e kapa
Është  një”mik” që kam kohë që e”njoh”.

Është një ketër që nga unë s’ndahet
E kam mësuar prej kohësh si”ogiç”
Ia di”huqin” se çfarë i hahet
Dhe është besnik ndaj miqësisë.

S’ka më besnik se një kafshë,
Kafsha nuk ha bukën e të përmbysi kupën
Ndaj,sa më sheh, më ndjek pas
Hallall,o ketër, ma paç bukën!

Zë hedh sytë mbi liqen
Është i mbushur me shpezë plym
Ky peizazh aq më pëlqen
Sa nga gëzimi jam bërë tym.

Se më vijnë peizazhe nga fshati
(unë, den baba den,jam fshatar)
Si balonë më mbushen mushkëritë nga gazi
Dhe në maji nuk jam fare moshatar.

Më vjen keq që nuk jam piktor,
Më vjen keq që nuk jam fotograf,
Të kundronit këtë peizazh kaq gazmor,
Kam frikë se vargjet nuk do jenë të mjaftë!

Sidoqoftë, një gjë duhet të dini
Maji brenda meje më kthen në”djalosh”
Pasi të lexoni vargjet,hajde dhe më shihni:
-Nuk jam më”thinjosh”…