Mandarinat e Dhimitrit që ëmbëlsojnë Tiranën edhe sot…


Nga Panajot Boli

Tani mbi flokët e agronomit shkencëtar Dhimitër Koça, nga fshati i vogël i Ardhasovës, ka rënë një mbrymë që argjendon. Ashtu si vesa e bardhë që vezullonte në gjethet e limonave dhe portokalleve të Stjarit që e dashuroi shpirti pasionant i të riut që filloi punën në vitin 1977 në këtë sektor të fermës se NB së Vurgut. Dhimitri është një tip i qetë ëndërrues. Ai ta sjell bisedën shtruar dhe ti sikur ecën në një fushë të madhe që e zbukurojnë lloj-lloj pemësh me lule dhe fruta me erë të këndshme. Kur i përmend mandarinat, limonat, portokallet, sikur gallërrohet. Sytë i marrin një shkëlqim të çuditshëm. Pikon shpirti i tij ëmbëlsi. Gjoksi gufon nga pasioni kur flet për to. Sikur flet për gjënë më të bukur, sikur ledhaton fëmijët e vet. Dardha bie nën dardhë, thotë populli. Kështu ndodhi edhe me Dhimitrin. Babai i tij ishte mjeshtër i pemëtarisë në fidanishten e Kranesë. Duarfloriri, thoshnin. Përuleshin para tij edhe kuadrot dhe ata me akademi. Djali minoritar, që shkëlqeu në gjimnazin e Konispolit, mendonte të bëhej arkitekt, mjek i dëgjuar… Por brenda tij gjallonte edhe një pasion tjetër: ai i babait. Dhe fitoi ai. Se kish rrënjë. Ishte mbjellë pa kuptuar ai pasion i babait: dashuria për pemët, një art i bukur. Të flasësh me to, të dashurohesh me to, të gjallosh me to. Ëndrra e studentit të shkëlqyer donte guxim. Të ngrihej mbi paragjykimet. Të përçonte të renë shkencore. Të përballej me mendësitë konservatore. Dhe e vunë në provë. Bloza në agrumet rrezikonte prodhimin dhe pemët. Duheshin përdorur metoda trajtimi shkencore bashkëkohore.Dhe brenda një periudhe të shkurtër i rigjeneroi të gjitha, triumfoi te mosbesimi i kuadrove që e shikonin një të ri entusiast e pa përvojë. Shpejt fitoi besimin e të gjithëve. Puna e tij jep rezultate të larta. Dekorohet me urdhërin e klasit të parë, për punë të shquar në ekonominë bujqesore në 1982, megjithse i ri.
-Kish ardhur Ministrja e Bujqesisë, Themie Thomai në sektorin tonë. Në një moment m’u shkrep t’i them një mendim -kujton Dhimitri… I shpreha mendimin, se kodrat e Tiranës duheshin mbjellë me mandarina. Dhe konkretisht i thashë të mbillen me mandarina Satsuma me nënshartesë trifolata, një lloj si nërënxa. Kjo mandarinë fillon e piqet që në 15 tetor. Bile e sqarova se nënshartesa Trifolata duron edhe -25 gradë. Të njejtën gjë edhe mbishartesa mandarina Satsuma duron po atë gradë. Më pa e habitur dhe mbajti shënim. Mbas disa ditësh më thotë ‘Pa hajde pak lart në Tiranë’ Fillimisht u tremba se thashë kushedi se çdo më kopanisin. Por jo. Ndodhi e kundërta. Më pyetën me hollësi. U pëlqeu propozimi im. Atëhere përgatitëm 10 mijë Trifolata në Stjar dhe i shartuam, ia nisëm ndërmarjes bujqësore ‘Gjergj Dimitrov’ në Tiranë. Pas 5 vitesh nisi prodhimi. Tirana filloi të ëmbëlsohej me mandarinat që i kishim përgatitur në Stjar-.
Dhimitri na thotë se gjithmonë e reja ndeshet me të vjetrën. Duhet guxim. Dhe rastet në punën e tij ishin të shumta. Ai kujton një rast në Stjar, kur e thirrën urgjent dhe e vunë me shpatulla prej muri organizata e partisë, se rrezikohej prodhimi i domates, pas ankesës të brigadierës se binin lulet e domatës. Ai buzëqeshte kur ata i thoshnin se rrezikonte… Ai i mori drejtuesit dhe i çoi në fushë. U tregoi se janë dy lloje lulesh që çel domatja, femra dhe mashkull. Lulja mashkull pasi fekonton lulen femër bie. Pra, ranë ato lule që s’janë për domate kokërr… Përgatisnin goditjen e madhe dhe ikën të zhgënjyer… Ose çuditeshin kur unë urdhëroja në pranverë të ujisnim agrumet, kur kish thatësirë. Pa atë ujitje lulet binin
Dhimitri nuk iu nda shkencës. Në vitin 1884 bëhet bashkëpunëtor shkëncor për pemëtarinë… Dhe shkallëve të ngjitjes nuk do t’i ndahet. Më 1889 bëhet kandidat i shkëncave. I futet eksperimenteve si përgjegjës i stacionit të pemëtarisë që varej nga Vlora. Njëkohësisht bën specializimin pasuniversitar dhe në 1993 mbron titullin doktor i shkencave për pemëtarinë… Në 1996-ën, për 4 vite bën një specializim në Greqi. Në vitin 2000, behet Prof As dhe punon deri në 2020 në Ministrinë e Bujqesisë të Greqisë.
Shkrimet dhe studimet e agronomit minoritar, Dhimitër Koça nga fshati Ardhasove, afër Livadhjasë, do të botohen në shtypin shkencor gjerman, amerikan, anglez dhe francez.