Angela Kosta
Maria Teresa Liuzzo shkrimtarja italiane me veprat e saj letrare të përkthyera në shumë gjuhë të huaja.
Maria Teresa Liuzzo ka lindur në vitin 1956 në Saline Montebello dhe jeton në Rexho Kalabria, qyteti ku studioi dhe vazhdon punën e saj të larmishme edhe sot e kësaj dite. Ajo është: pedagoge universiteti, gazetare, kritike letrare, shkrimtare, poete, dramaturge, dhe Drejtoreshë e Revistës Ndërkombëtare të Artit dhe Kulturës “Le Muse.”
Maria Teresa Liuzzo ka filluar të botojë për herë të parë në vitin 1970. Lirika e saj e parë është “I dituri.” Që nga viti 1975, tekstet e saj janë shfaqur në antologji të ndryshme si: “Poezi”, “Brishtësia e kohës”, “Shkrimtarët e mesazhit”, “Antologji për Alba Florio”, etj. Prodhimi i saj poetik i madh (me më shumë se 1500 faqe) ka kaluar kufijtë e Italisë dhe disa nga veprat e saj janë përkthyer në: gjermanisht, spanjisht, rumanisht, anglisht dhe së shpejti edhe arabisht. Antologjia e saj “Zanafilla” e vitit 1997, u përkthye dhe u botua në anglisht nga poeti i shquar irlandez Peter Russell. Përmbledhjet e saj poetike janë: “Rrënjët” (1992); “Psyche” (1993) parathënie nga Antonio Piromalli; “Pafundësi” (1995), parathënie nga Romeo Magherescu, “Humaniteti” (1996), parathënie nga Peter Russell; “Eutanazia e Utopisë” (1997), parathënie nga Vincenzo Rossi; “Autopsia e imazhit” (1999), parathënie nga Antonio Crecchia; “Uji me ritëm të ngadaltë” (2001), romane të tjera vijojnë njëra pas tjetrës, me parathëniet nga kritiku letrar Mauro D’ Castelli “Dhe tani unë flas”(2019), “Mos më thuaj që u dashurova me erën” (2021), “Drita e rikthimit” (2022), “Hija e uritur e nënës”, (2022) si edhe së fundmi autorja ka botuar librin me poezi: “Vallëzon nata në bebëzat e tua.”
Çmimet prestigjoze që MariaTeresa Liuzzo ka marrë gjatë karrjerës së saj letrare janë të shumta. Midis tyre po përmendim “Çmimin e Parë Ndërkombëtar për Poezinë Alba Florio” i vitit 1983, gjithashtu “Çmimi i Kulturës” i dhënë nga Kryesia e Këshillit të Ministrave në vitin 1994 dhe sërish në vitin 1996 edhe “Çmimi i Parë Ndërkombëtar për Poezinë Eugenio Frate” (1997). Jashtë kufijve të Italisë, në vitin 1983, ajo u vlerësua me Çmimin e Shoqatës “Kalabresët nëpër Botë” në Nju Jork. Maria Teresa Liuzzo dhe veprimtaria e saj, njihet në shumë shtete të huaja. Ajo intervistohet nga shumë gazeta dhe media të huaja. Gjithashtu, ajo është vlerësuar dhe raportuar në veprat e tyre kritike, nga studiues të shquar si: A. Piromalli, V. Rossi, P. Crupi, S. Veltre, P. Borruto dhe S. Demarchi. Për krijimet dhe poezitë e saj janë interesuar edhe shumë shkrimtarë të njohur.
Ja çfarë shkroi Ninnj Di Stefano Busà për përmbledhjen e saj me poezi “Uji me ritëm të ngadaltë”:
Poetja pasqyron kulmin e ndjenjës së saj në një muzikalitet të brendshëm të vargut, i cili është i mjaft këmbëngulës do të thosha, por edhe frymëzues në tendencën e saj natyrore me shprehjet lirike gjithmonë të rafinuara.
Ja çfarë thuhet për librin: “Hija e uritur e nënës” (2022) në një nga artikujt e shumtë që shkruajnë për librat e Maria Teresa Liuzzo:
Kushdo që ka lexuar romanet e mëparshme, ndoshta pret që i treti të ndjekë një linjë vazhdimësie; do të zhgënjehej sepse në këtë libër mbizotëron një “aurë” e re, nga një eksperimentalizëm jokonvencional, që e bën atë unik në krijimtarinë e shkrimtares, qoftë formalisht apo edhe për nga përmbledhja. Nga ana tjetër, as vetë Maria Teresa Liuzzo nuk ripropozon skllavërimin e modeleve të të tjerëve. Shkrimet e saj tashmë janë të konsoliduara, sepse janë të frymëzuara nga monologu i brendshëm dhe rryma e ndërgjegjes.
Po ju sjell gjithashtu reçensionin tim të shkurtër të librit “Dhe tani unë flas”(2019):
Në romanin: “Dhe tani unë flas”, i përkthyer në shumë gjuhë të huaja, autorja Maria Teresa Liuzzo tregon historinë e Merit, protagonistes kryesore të librit, vajzës e cila përfaqëson “Perëndeshën” e vuajtjes dhe mbijetesës. Pavarësisht torturave fizike dhe psikollogjike nga vetë familja e saj, nëpërmjet shkrimit dhe poezisë, që në moshë fare të vogël, Meri arrin të kapërcejë gjithçka që e shtyn të përfundojë në një burg çmendurie. Por megjithatë, edhe pse ata e dënonin brenda katër mureve të shtëpisë, nuk mundën gjithësesi ta fusnin shpirtin e saj të kulluar në një kafaz të hekurt. Meri ndjehej e lirë, sepse ëndërron dashurinë e saj të madhe, unike dhe të virtytshme, atë ndaj Rafit, i cili i shkruan vargje dashurie nga qielli, aty ku Zoti ka mbretërinë e tij. Pikërisht besimi i fuqishëm dhe i zellshëm i Merit, nuk i lejoi familjarët e saj, t’ia zbehnin dritën që shihte dhe që mbarte në shpirt. Zoti, shpëtimtari i saj, i fali një dhuratë të çmuar e të madhe: atë që të shkruante dhe të thurte vargje e poezi. Kjo gjë, bëri të mundur që Meri të mposhte dhimbjen; gjithashtu kjo e shoqëron në udhëtimin dhe në rrugën e jetës dhe, pikërisht me këmbëngulje nga ana e saj, Meri rritet dhe bëhet një vajzë me karakter të fortë, dhe me pastërti në shpirt. “Dhe tani unë flas” arrin ta tërheqë lexuesin faqe pas faqeje, duke i shfletuar ato me padurim, për të parë se çfarë ndodh deri në rreshtin e fundit. I gjithë romani duket sikur është poezi lirike, në të cilën forca, bukuria dhe thellësia e shpirtit të Merit, përshkruhen në vargje. Dy romane të tjera, vijimi i kësaj trilogjie të mrekullueshme, plotësojnë historinë intensive dhe unike të protagonistes, e cila hyn dhe qëndron në zemër dhe në mendje për një kohë shumë të gjatë. Pena e autores është e lirshme dhe mjaft frymëzuese, këtë e ndeshim gjatë të gjithë leximit.
Maria Teresa Liuzzo drejton dhe menaxhon Revistën Ndërkombëtare të Artit dhe Kulturës “Le Muse” që prej njëzet e katër vitesh, ndaj për këtë arsye, kjo revistë mund të konsiderohet historike në gamën e gjerë letrare. Shumë revista të këtij zhanri përfundojnë proçesin e tyre pas një kohe fare të shkurtër. Edhe gjatë periudhës së epidemisë Covid – 19, revista vazhdoi aktivitetin e saj kulturor. “Le Muse” ose “Muzat” siç do ta quaja në shqip, ka korrespondentë të huaj në: Shqipëri, Rumani, Spanjë, SHBA, Argjentinë, Kinë, Arabi,Rusi, etjer. Kjo revistë shpërndahet në shumë shtete të botës sepse Maria Teresa Liuzzo, u lë hapësirë botimi në këtë revistë, shumë autorëve të huaj nga e gjithë bota. Maria Teresa Liuzzo ka bërë të mundur lidhjen vllazërore të poezisë italo – shqiptare. Personalisht, kam pasur privilegjin e madh, të përkthej në gjuhën tonë shqipe, disa poezi të poetëve italian që ndodhen jashtë kufijve të Italisë. Në këtë revistë kanë marrë pjesë edhe shumë autorë dhe artistë shqiptarë të tjerë. Mund të përmendim midis tyre, artistin Gjergj Kola, i cili me pikturat e tij, përcjell jo vetëm punën e tij të përkryer, por gjithashtu edhe vlerat e artit shqiptar në mbarë botën. Falenderojmë nga zemra Maria Teresa Liuzzo për këtë mundësi që u jep autorëve të huaj kudo që ndodhen dhe i urojmë gjithashtu vazhdimësi të mbarë në punën e saj krijuese letrare.
Angela Kosta, qershor 2023