Martin Nedi-Mësuesja nismëtare


Mësuesja nismëtare

“Të dashur nxënës, në kuadrin e frymës revolucionare të Kongresit të shtatë të PPSH- së, mendoj dhe ju ftoj që të marrim një inisiativë revolucionare!” – tha mësuese Qerimeja, duke na hedhur një vështrim hetues, por asnjëri nga ne nuk e kuptoi se ku donte të dilte.

Pasoi një heshtje. Secili nga ne hodhi vështrimin nga shoku i bankës për të kuptuar domethënien e fjalëve të saj. Të gjithëve na përfshiu një mbledhje buzësh dhe ngritje supesh. Sytë e mësuese Qerimesë shëtisinin sa majtas-djathtas në të tre rreshtat e bankave të klasës.

“Mendoj të bëjmë një aksion një javor në ndihmë të bujqësisë!”- theu heshtjen ajo, kur pa që nuk mori asnjë përgjigje nga fytyrat tona të ngurosura e të çuditura, njëkohësisht!”

Pas fjalëve të saj u dëgjua një “uuuuuuuu” e zgjatur si një zhaurimë bletësh.

“Do t’ia propozoj drejtorisë së shkollës inisiativën tuaj dhe më pas do ju kthej përgjigje!”- sqaroi ajo.

“O zyshe, po mësim do të bëjmë?” – pyeti Artani, njëri nga djemtë çapkënë të klasës.

“Po jo more, Artan, në vënd të mësimit do të bëni aksion! Do të punoni në bujqësi, nga ora tetë e mëngjesit deri në orën trembëdhjetë. Do të mbillni kubikë!”-

“Urraaaaa, urraaaaa! Dakort jemi, zyshe! – u dëgjua nga të gjithë dhe më pas dikush tha: “O çfarë qefi! S’do bojmë mësim!”, një tjetër ia priti: “Ja hodhëm një javë shkollës!”. Ndërsa një tjetër nisi të hedhë librin e algjebrës në ajër e më pas ta përplasë mbi bankë duke thënë: “Një javë pushim! Një javë pushim!”

“Pushoni! Pushoni! Mbani qetësi! Mbani qetësi!- u dëgjua zëri i rreptë i mësuese Qerimesë. Më pas askush nuk pipëtiu. Ra një heshtje varri.

Mësuese Qerimeja kishte ardhur në shkollën tonë në muajin shtator në fillimin e vitit të ri shkollor. Ne ishim në klasën e shtatë dhe na e vunë mësuese kujdestare. Ajo jepte lëndën e matematikës dhe të gjeometrisë. Mësuese Qerimeja i kishte kaluar të tridhjetat. Ishte e martuar dhe dukej grua e dashur, por në mësim ishte e rreptë dhe kishte autoritet. Ishte femër simpatike dhe flokët i mbante të prera shkurt. Vinte me trup mesatar dhe këmbët i kishte të mbushura me lesh, saqë i dukesh edhe poshtë çorapeve. Një ditë Artani, duke bërë shaka tha: “O çuna, sa me lesh i ka komët zysha! Imagjinoni, sa duhet ta ketë leshin te zogu?!” Ne ia plasëm të qeshurës me të madhe.

Mësuese Qerimeja nuk ishte komuniste, por synonte të bëhej e tillë me anë të këtyre nismave revolucionare. Mundohej të dukej e të binte në sy tek kolektivi i mësuesve, saqë fjalën “parti” dhe “shoku Enver” nuk e hiqte nga goja. Nga fundi i muajit tetor, disa ditë përpara tetë nëntorit ditës së themelimit të PKSH-së, na detyroi të bënim maketin e shtëpisë së Partisë. E bëmë me tapë polisteroli. Doli e bukur. Asnjërit nga ne nuk ia mori mëndja që do dilte aq bukur. E vendosëm në njërin kënd të klasës, pranë katedrës së mësuese Qerimesë, e cila fluturonte nga gëzimi për “kryeveprën” që kishim bërë disa nga ne. Mësuese Qerimeja nuk la mësues dhe prind nga të klasës tonë pa ftuar, për ta parë dhe vizituar kryeveprën, siç e quante ajo. Me këtë veprim mësuese Qerimeja fitoi simpatinë e një pjese të këshillit pedagogjik, por nga ana tjetër edhe urejtjen e disa mësuesve të tjerë të cilët u frikësuan nga ajo, pasi ishte tejet e brymosur me ideollogjinë komuniste, saqë edhe fëmijën e saj nuk e vinte para saj.

Pas disa ditësh, mësuesja na dha lajmin e shumëpritur:

“Drejtoria e pranoi kërkesën tonë. Javën e parë të muajit prill do të bëjmë aksion në mbjelljen e misrit me kubikë në fshatin Rrashbull!”

Klasa oshëtiu nga fishkëllimat, thirrjet, duartrokitjet dhe përplasjet e librave mbi bankë. Mësuese Qerimeja u mundua të mbajë qetësi, por këtë herë askush nuk ia vërshëlleu.

Filluam aksionin. Ishte fillimi i muajit prill. Koha nuk ishte edhe aq e mirë. Tek stacioni i autobusit përballë “Pallatit të Sportit” merrnim autobusin e linjës Durrës-Nish Tulla. Vendi i aksionit ishte pas kodrës së Rrashbullit, të cilën e ngjisnim në këmbë deri sa arrinim para shinave të linjës hekurudhore, që lidhte Durrësin me Tiranën. Ishim pesë klasa të shtata, pasi nga nisma jonë përfituan edhe klasat e tjera.

Në atë kohë për mbjelljen e misrit kishin shpikur një metodë të re; atë të mbjelljes me kubikë. Nuk e di nëse ishte shpikje e agronomëve shqiptarë, apo e kishin të huazuar nga jashtë, por ç’rëndësi ka?! Po na dilte nga hundët tërë ai gëzim dhe entuziazëm i fillimit. Për ne ishte tejet e vështirë dhe e lodhshme ajo punë. Asnjeri nga ne nuk ishte mësuar me punë të tillë bujqësie. Shumicës nga ne, pëllëmbët e duarve u mbushën me flluska, duke na krijuar pengesë në kryerjen e punës. Nja dy ditë mbrëmjeve ra shi dhe kjo na e vështirësoi edhe më shumë punën, pasi balta na ngjiste në këpucët që kishim veshur e që nuk ishim të përshtatshme për të punuar në bujqësi. Balta rëndonte në to dhe mezi tërhiqnim këmbët. Mësuese Qerimeja na rrinte si xhandar mbi kokë me qëllim që të realizonim normën, të cilën ia kishte caktuar brigadieri i asaj zone. Nuk na linte të pushonim dhe kur dikush kërkonte të fshihej a të bënte hile e pikaste menjëherë dhe nuk i ndahej derisa të bënte punën. Donte që të punonim sa më shumë me qëllim që ne si klasë të merrnim flamurin dhe ajo më pas të lëvdohej dhe të mburrej para drejtorit dhe mësuesëve të tjerë. Ne, mezi prisnim sa të mbaronte java e aksionit, sepse lodhja na kishte vënë përfund. Mbaj mend që sapo kthehesha në shtëpi rreth orës dy e gjysmë, haja drekën dhe ia fusja me gjumë deri në mbrëmje, para darke. Kur erdhi e shtuna dhe aksioni mbaroi, thamë se shpëtuam.

Pas aksionit, mësuese Qerimeja mori një nismë tjetër. Këtë herë, më patriotike, më revolucionare. Kaloi çdo imagjinatë tonën dhe të ndonjë mësuesi i cili u shpreh me frikë dhe me me rezerva për atë që dëgjoi. Mësuese Qerimeja detyroi drejtorinë që të fuste në programin mësimor orën e përgatitjes luftarake. Ia arriti qëllimit. Çdo të enjte, në klasën tonë vinin dy ushtarë të armatosur nga reparti ushtarak më i afërt me shkollën dhe na mësonin “artin luftarak”. Na mësonin si të montonim dhe çmontonim karabinën dhe automatikun. Qëllimi ishte që kur të na sulmonin armiqtë edhe ne si pionierë, të ishim të përgatitur për t’i bërë ballë sulmeve të tyre.

Edhe për këtë nismë mësuese Qerimeja mori lëvdata dhe përshpejtoi rrugën e saj në qëllimin që i kishte vënë vetes për t’u bërë komuniste.

Pasi mbarova klasën e tetë, nuk u interesova më, nëse Qerimeja u bë apo jo, komuniste.

About Post Author