Martin Nedi-Qëndra e Durrësit në dy kohë


Koha e parë më sjell para syve dhe mendjes time qëndrën e qytetit.

Në pjesën jugore ndodhej ndërtesa e bukur e Komitetit Ekzekutiv,

ndërtuar nga italianët që para Luftës së Dytë.

Poshtë tij si një lumë, një bulevard i madh, i gjërë, me pllaka shtruar dhe nga të dy anët pemë, pemë shumë, një lum alegorik.

Në mëndje më kanë mbetur aty në krah të bulevardit ca shkallë,

ndoshta njëqind a më shumë.

Tek i ngjisje ato, të shfaqej një Amfiteatër roman,

ndërtuar shekuj më parë, më i hershmi dhe më i madhi në Ballkan.

Jam në kohën e dytë dhe mëndje të çmendura apo tinzare asaj ndërtese

të Komitetit që ështe ende aty, ia kanë prishur origjinalitetin

e kanë shëmtuar, me ca bojra të errta shpërfytyruar,

me ngjyra vdekjeje lyer.

Nuk jam në ëndërr….dhe Amfiteatri aty pranë është, por si një gropë e madhe me gojë shqyer, veç vegjeton, si një plak i moçëm rënkon.

Rënkon, e ai vetë nuk po kupton se çdo bëhet me të.

Në anën perëndimore dikur ndodhej Pallati Rinia, ndërtuar në vendin ku më parë kishte qenë Xhamia e madhe, prishur nga idiotësia njerëzore me një urdhër makabër nga partia. Ajo parti që hipnotizoi shqiptarët dhe i bëri të besonin që nuk kish Zot, sepse vetë ajo ish Perëndia.

Gjithsesi, Pallati Rinia për kohën e shkuar na ushqente me këngë e humor, na bënte të harronim vuajtjet dhe ishte argëtim për ne që jetonim në atë botë të mbyllur, në atë mjerim.

Fryu një erë, një e çmendur furtunë, dhe prisnim të dilte diell e të qetësonte qiell.

E zhdukën pallatin Rinia. U hakmor Xhamia. U rindërtua në vendin që kishte pasur dhe që i takonte, për besimin e saj të munguar, që si ujët e pakët e kish pritur njerëzia.

Kujtoj, që para Pallatit Rinia, pak metra më poshtë, në mes të një lulishteje të bukur na ndodhej një bust i një kërme të ngordhur me emrin

Stalin, të cilin më pas e çuan më poshtë, përballë godinës së partisë.

Aty ku kish qenë Stalini, ndërtuan një ndërtesë të partisë, të quajtur Komitet të tyre. Aty është dhe sot, e quajnë Prefekturë.

Në kujtesën time ka mbetur një pamje…

anash atij Komiteti një rrugë malore e ngushtë. Në krah të rrugës një dykatëshe tullëkuqe, e quajtur biblotekë.

Eh, kohëra më parë shumë të rinj durrsakë, tek lexonin librat e Shekspirit, merrnin atë të përpjetë për tek kodra Vilë, të argëtoheshin, të bënin fshehurazi pak dashuri, larg syve të gojëve të liga e shpirtrave cmirëzinj.

Kodra e qyetit kishte parqe të shumtë e pemë shumë, kurorë gjigande mbi të Zogut Vilë, kryelartë si një mbretëreshë, simbol i qytetit, që shihej ngado, gjatë bregut të detit e përtej.

Po sot ku është? Ka humbur mes gërdallash pallatesh të shumtë, pa plan pa rregull, ndërtuar me përdhunë.

Të çmendur apo tinzarë këta urdhërues….!?

Qyteti rënkon si një i sëmurë tuberkuloz, ia hoqën mushkërinë, ia prenë atë pyll me pemë, ia mbyllën oksigjenë.

Në pjesën veriore të qytetit ndodhej Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu”, gjigandi i kulturës e krenaria e artit tonë.

I bukur Pallati me strukturën e veçantë për nga lloji i tij. Aty është përsëri

me vlera dhe i bukur si në rini.

Në pjesën lindore na ish një restorant, që gatuhej paçe dhe pilaf, pihej raki, birrë dhe verë, që haej qëndruar në këmbë. Lokali ishte i rrethuar i tëri me xhama dhe quhej Serë.

Kjo ishte qëndra e qytetit tonë dhe në mes të saj ndodhej një shatërvan, i madh, i bukur, shumëkëndor, me shkallë të lëmuara e shumë paqësor, ishte si qershia mbi tortë.

Na ishte një shatërvan i rrethuar me lulishte e plot gjelbërim, ku nga të gjitha moshat e sidomos ata të moshës së tretë, uleshin në stola, kalonin kohën me biseda e muhabet.

Na ishte një shatërvan, që sot nuk është më. E shkulën, e zhdukën me rrënjë më keq se pemët, që sot nuk iu gjindet asnjë shenjë.

Na ishte një shatërvan me ujë shumë, ku në vend të tij mbollën pllaka, gurë, stola betoni dhe ca të gjatë hunj, në formë kryqesh si për të rikryqëzuar Krisht Jezunë.

Na ishte një shatërvan, që ishte dje dhe sot nuk është, nuk ka asnjë gjurmë.

Na ishte dhe kujtesa ime, ajo kujtesë që më ripërtërihet nga koha në kohë.

About Post Author