Martin Nedi:Endërr


Endërr

Indriti ndodhej para kompjuterit. Kishte hyrë në profilin e tij në Facebook dhe rrëshqiste mausin teksa lexonte postime të ndryshme. I tërhoqi vëmendjen një postim i sapohedhur. Ishte një këngë e një këngëtari të famshëm italian. Pa emrin e postuesit. Ishte femër. U bë kureshtar. Klikoi në profilin e saj. Quhej Keti Komina. Ishte një grua mbi të tridhjetat. Në foto dukej shumë e bukur dhe kishte një fytyrë engjëllore. Ishte flokëzezë, i mbante të prera shkurt. I shkonin për bukuri. Kishte sy të zinj, që ngjanin si dy kokrra ulliri të pjekur mirë, hundë e gojë të rregullt dhe buzë të plota epshndjellëse. Kishte veshur një fustan të lehtë pranveror. Vijoi të vështrojë foton e gruas së bukur. I zbriti sytë te gjoksi i saj i hedhur, që dukej sikur rënkonte nën petkat e fustanit dhe donin të çliroheshin prej tij. “O zot, sa femër e bukur! Engjëll! Me sy të shkruar!” – tha me vete dhe nisi të kërkonte edhe më shumë në profilin e saj. Nëpunëse. E martuar dhe me dy fëmijë. Si engjëj edhe ata. Vajza nuk ishte më e madhe se dhjetëvjeçe. Djali ishte i mitur. Një foto tjetër ishte e familjes. Në të ishte edhe i shoqi. E pa shkarazi, pa i dhënë rëndësi. Vazhdoi të shkasë mausin në foto të tjera, por në çast i lindi mendimi t’i kërkonte miqësi në Facebook. Ashtu bëri. Një ankth i brendshëm nisi ta gërryente. A do t’ia pranonte miqësinë? I duhej të priste. Ajo patjetër do të hynte në profilin e tij e do të lexonte: “Indrit Dibra, 35 vjeç. Profesioni – piktor. Diplomuar në Fakultetin e Arteve. Gjëndja shoqërore, beqar.” Të dhënat e tij ishin premtuese. Mund t’i pëlqenin asaj.

Tek mendonte këto dhe ishte në pritje të pranimit të miqësisë, papritmas i shkrepi një mendim. “Do t’i bëj një portret!” – tha me vete. U ngrit dhe shkoi në dhomën tjetër, që e përdorte si studio.

Pas dy orësh doli me portretin e saj në dorë. E vuri me kujdes mbi tryezë, sikur të kishte frikë se mos e vriste engjëllin që kishte përballë. Ajo ia kishte ngulur sytë dhe i buzëqeshte nga letra e bardhë mbi tavolinë. “O Zot! Sa e bukur është?!” – tha përsëri me vete dhe shkoi të qetësohej mbi divan pas asaj pune të lodhshme në studio.

Vonë në mbrëmje u ul përsëri në kompjuter. Menjëherë hyri në Facebook. Keti Komina e kishte pranuar miqësinë e tij. U gëzua. “Faleminderit që e pranuat miqësinë time! Jam shumë i gëzuar që ftesa ime nuk u refuzua nga një grua shumë e bukur si ju!” – i shkroi menjëherë te mesazhet në Inboks. “Mos ishte e tepërt kjo që i shkrova?! – pyeti veten me dyshim. – O sa budalla që jam! Kushedi çfarë do të mendojë për mua! Unë as që e njoh atë dhe menjëherë drejt e në thela!”

“Ju lutem! Faleminderit juve që më kërkuat miqësinë!” – lexoi te mesazhet në Inboks

Indriti dukej më i qetë dhe zemra, që deri ato çaste po i hidhej kraharorit, dukej sikur e kishte fituar ritmin e duhur. Gruaja me të cilën shkëmbeu mesazhe, jo vetëm që ishte inteligjente, por edhe e kohës:

“Në qoftë se dëshironi, mund t’ju ftoj për një kafe?” – i shkroi ajo.

Indriti shqeu sytë. Propozimi i saj iu duk fantastik. Nuk vonoi t’i kthente përgjigje. “Oh, faleminderit shumë! Me gjithë qejf!”

– “Faleminderit që pranuat, po ku dëshironi të takohemi?” – e pyeti ajo –

– “Ku të dëshironi ju!” – ia ktheu ai.

– “Mirë, – i shkroi ajo, – atëhere takohemi në njerin nga lokalet që ndodhet në qendër të qytetit. Rreth orës gjashtë të mbrëmjes, si thua?

– “Mirë! – ia ktheu Indriti dhe më tej shkroi – Kam edhe një dhuratë për ju!”

– ” Ashtu?! Çfarë dhurate është?”

– “Nuk mund t’jua them! Dua t’ju bëj një surprizë. Nesër!

– “Oh, faleminderit! Po ju do të më bëni të vuaj deri nesër në orën gjashtë të mbrëmjes! – i shkroi ajo.

-“Më vjen keq, por surpriza është surprizë!” – i shkroi ai.

Ajo u dorëzua dhe nuk këmbënguli më, megjithë dëshirën e madhe që kishte për të shuar kureshtjen.

– “Natën e mirë!”

– “Natën e mirë!” – ia ktheu ajo.

Indriti fluturoi nga gëzimi. Engjëllin me sy të shkruar do ta takonte nesër mbrëma. Filloi ta ç’vishte në mëndjen e tij. I hoqi fustanin dhe pa dy gjinj të mrekullueshëm. Të bardhë si qumësht. I shkojë goja lëng. I preku ata. Ishin të mëdhenj dhe peshonin. Duart e tij dridheshin nga emocionet. Uli kokën. Filloi t’i puthte e t’u thithte thumbat e mëdhenj ngjyrëkafe. Iu bë sikur dëgjoi një rënkim të ëmbël. Zbriti sytë më poshtë, në barkun e saj, që dukej në formë të mirë, megjithëse kishte bërë dy lindje. Ia përkëdheli atë. Vazhdoi të zbriste vështrimin edhe më poshtë, mbi organin e saj dhe këmbët e plota. Desh i ra të fikët. “O Zot, mrekullia vetë! – pëshpëriti me vete dhe nxitoi t’i prekte me duart që vazhdonin t’i dridheshin.

Të nesërmen, në orën gjashtë të mbrëmjes u takuan në lokalin në qendër të qytetit. Ajo kishte veshur një fustan të lehtë pranveror. Buzët i kishte lyer me një të kuq të ndezur. Syve të bukur e të mëdhenj u kishte shkuar pak rimel. Këpucët me takë të lartë e majë të hollë e tregonin më të gjatë. Dukej vërtet seksi. Ndërsa ai ishte tip sportiv. Kishte veshur pantallona xhins dhe një këmishë të bardhë. Mbi të një pulovër në ngjyrë gri të hapur. Në dorë mbante portretin e saj. E kishte mbështjellë me një letër të bardhë. U përshëndetën. Shkëmbyen nga një të puthur të lehtë në faqe. Më pas ai i zgjati kornizën e mbështjellë.

– Çfarë është kjo? – pyeti ajo

– Shikoje! – i tha ai.

Ajo nxitoi ta hapte. Shtangu. Fytyra e saj i buzëqeshi nga korniza.

– Uaaaa! – i shpëtoi një pasthirmë habie.

E la portretin mbi tavolinë, u hodh në krahët e Indritit dhe puthi fort në faqe e më pas i rrëshqiti buzët mbi të tijat. Puthja dhe parfumi i saj e dehën Indritin, sikur të kishte kthyer me fund një gotë me pijë të fortë. Ndjeu lëngun e buzëve të saj tek njomnin të tijat. Gjuhët përdridheshin me njëra-tjetrën. Ktheu kokën i frikësuar. Njerëzit nga tavolinat e tjera vështronin të habitur në drejtim të tyre.

– Mos! – bërtiti me të madhe dhe u shkëput me të shpejtë prej saj.

Kishte thirrur aq fort, saqë i doli gjumi. Hapi sytë dhe për një çast nuk po kuptonte se çfarë kishte ndodhur. “Oh, sa keq! Paskam qenë në ëndërr!” – tha me vete dhe ndjeu që gojën e kishte të lëngëzuar. U ngrit në gjysmë trupi dhe u mbështet në shpinoren e krevatit. “Oh sa ëndërr e bukur! Ah, sikur të ishte e vërtetë!” – tha përsëri me vete.

Çudi! Kishte pasur frikë nga bukuria e engjëllit me krahë femre. Cila ishte ajo qënie engjëllore, që e bëri të ëndërrojë një natë më parë?

Nga dritarja e dhomës hyri një rreze drite. U ngrit nga krevati me shijen e puthjes së saj dhe u drejtua për në banjë. U hodhi me të shpejtë ujë syve për të ardhur në vete. “Frikacak! Ke frikë edhe nga ëndrrat e bukura! – i tha vetes dhe u kthye në dhomë për tu veshur.

About Post Author