Mbas zbulimit të çdo të vërtete, jeta plaket më shpejt se zakonisht
Arjan Rama

Fjalët i kemi aq të shumta sa vetiu, mendimi figurativ, si tapa e dyllosur e një shampanje “par exellence”, shpërthen në hiperbola marroke kur shohim (apo besojmë se shohim) çdo ditë këtë realitetin tonë të zymtë që duket se po deformon jo vetëm vizionin tonë për personalitetin njerëzor, por edhe trajektoren e planetit rreth “diellit të moralit” bashkë me atë të “fytyrës së ftohtë të hënës” së etikës. Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët e shtetit-amë janë të interesuar për çmimin dhe cilësinë e mallit në tregun e lirë të shitjes me shumicë të erëzave të famshme të gënjeshtrave ideologjike, dhe frutave të hidhura të të vërtetave historike. Shqiptari im i varfër nuk e ka luksin të shijojë bukurinë dhe harmoninë e gjërave që ka përpara syve, sepse atij nuk i bën punë, bukuria e gjithësishme. Ai ende nuk është i gatshëm “të printohet” në letrën alfa-celulozë për të rrëfyer portretin modern të dinjitetit të tij misterioz si në një art pamor me ekran mëndafshi. Ai është i detyruar të zgjedhë midis gënjeshtrave dhe të vërtetave, patate të nxehta në tryezën e mjeruar të përditësisë së tij dramatike, pak a shumë si në pikturën e famshme të Van Gogh-ut “De Aardappeleters”- “The potato eaters”-“Ngrënësit e patates.” Por si e përjeton shqiptari im i varfër vaktin e tij me patate në muzgjet monotonë ku vdesin ëndrrat për një jetë më të mirë, dhe lindin epshet për një natë më të mirë? Fillimisht, pa pritur që patatet më të mëdha të ftohen, dhe mbasi i ka spërkatur me erëzat e famshme të gënjeshtrave ideologjike, ai fillon t’i kafshojë. Ndërsa përtypet, ndjen një kënaqësi të parrëfyer në stomak dhe vërshimin e lëngjeve të brendshëm të trupit drejt korteksit cerebral. Ai fillon të perceptojë iluzione të çuditshëm, imazhe surealë fitoresh revolucionare, pra, të shikojë “ëndrra me sytë hapur.” Pushtohet nga ndjenjat e pafajësisë fëmijërore, fanatizmit fetar, sektarizmit krahinor, admirimit e adhurimit për erëzat e gënjeshtrave ideologjike të tretura në tulin e patateve të mjerimit. Ai ndjen sikur rinohet, ngazëllehet padjallëzisht, forcohet bindshëm për misionin e tij historik si “luftëtar” i një kauze që nuk është kauza e tij, (që nuk ka përse ta kuptojë), por që fatkeqësisht është njëherësh edhe pjesë e të shkuarës së tij kulturore. Nën qiellin e ngrirë akull të natës së tij, dhe me “blue light” të celularëve në duart e tubimeve qesharakë ai ulërin: “Jetoni ëndrrat, dhe bukurinë e vizioneve të profetëve, shokët e mi të armëve, dhe nuk do të plakeni kurrë.” Pak më vonë, përsëri ai, kureshtar dhe ende i uritur si një vogëlush i padijes, mbasi i spërkat patatet e mbetura me frutat e thara e të bluara të të vërtetave historike, fillon t’i kafshojë. Kafshata e parë, e dytë, e tretë…o zot, po mbytem, më vjen për të vjellë-bërtet ai. Një shije e neveritshme, hidhësi dhe erë e padurueshme. Stomaku tkurret si një grusht që godet trastën e shqyer të zorrëve. Truri mpihet dhe ankthi i panikut për një vdekje të beftë zotëron mendimin. Ai ndjen se si neveria dhe frika e shkaktuar nga këto patate të spërkatura kësisoj, po ia tretin mukozat ngjyrë trëndafili të rinisë, dhe jeta e tij po mpaket e plaket me shpejtësi. Ai është i tmerruar nga frutat e hidhura të të vërtetave historike. Zbulimi i çdo të vërtete e plak jetën e tij më shpejt se zakonisht, në të njëjtën mënyrë që thatësira e zgjatur grryen skeletët e gjitarëve të mëdhenj, dhe rrënon fytyrën madhështore të deltës që dashurohet me energjinë oqeanike. Ai fillon të ulërijë: “O njerëz, o vëllezërit e mi! Mos u merrni me të vërtetat historike. Ato po na plakin shumë shpejt”, dhe niset kështu drejt fatit të tij dramatik të shkruar në membranën niktituese të syve mizorë të kafshëve me gjak të ftohtë, duke tërhequr zvarrë peshën më të rëndë në botë mbas urisë, etjes dhe torturës: verbërinë e padijes.
