Mbasdite kujtese në “Art hotel” për “Bilbilin e Labërisë”,Hyso Xhaferaj-Nga Besnik Gjonbrataj


Nga Besnik Gjonbrataj

Nga Besnik Gjonbrataj


Në “Art Hotel”, krahas shumë pikturave vendoset piktura e “Bilbilit të Labërisë”, Hyso Xhaferaj.
Po të vizitosh ambientet e Art Hotel në Tiranë, ajo që do të bjerë në sy, janë pikturat e shumta të piktorëve, kryesisht vlonjatë, por jo vetëm. E gjithë kjo falë vlonjatit Bujar Leskaj, të pasionuarit pas pikturave të vjetra, por edhe të kohës moderne edhe si një ish personalitet i lartë i artit e kulturës shqiptare për disa vite me radhë.

Përse ky aktivitet në Art Hotel?

Bujari, si dashamirës dhe mbështetës i polifonisë labe, kishte një njohje të veçantë me të gjithë këngëtarët e poetët e Labërisë si: Lefter Çipën, Petrit Rukën, Feti Brahimin, Nazif Çelën, Hyso Xhaferaj, Vendim Kapaj, Golik Likaj, etj. Hyson e vlerësonte shumë për zërin e veçantë, por edhe si njeri për humorin e hollë dhe si një njohës shumë i mirë i polifonisë, i zakoneve e traditave të Labërisë.

Bujari kishte një peng, sepse në ditën e ndarjes nga jeta të Hysos nuk ishte ndodhur në Shqipëri dhe si për ta hequr këtë peng, në vlerësim të figurës së Hysos, vuri në dispozicion ambientet e tij dhe bërjen e dy pikturave të portretit të Hysos, njërën duke ia shtuar koleksionit të tij të pikturave në ambientet e Art Hotel dhe tjetrën për t’ia dhuruar familjes.

Nga dje një vend të veçantë në morinë e pikturave zë edhe piktura e “Bilbilit të Labërisë” Hyso Xhaferaj. Portreti i Hysos qëndron, i vendosur mjaft bukur rrëzë malit të Bogonicës, që simbolizon qëndresën e popullit të Kallaratit në shekuj për mbrojtjen e tij nga pushtuesit me forcën e pushkës si stërgjyshi i tij, dëshmori i vitit 1914 , Hyso Balil Xhaferaj i Parë, ndërsa Hyso Balil Xhaferaj i Dytë,  duke e lartësuar Kallaratin e tij të dashur me zërin e tij pushkë.

Në ceremoninë tepër të thjeshtë, zhvilluar në mbrëmje përveç pjesëtarëve të familjes ishin të pranishëm: deputet, personalitete të artit, kulturës, shkencës, drejtues të shoqatës “Labëria” e shoqatës “Kallarati”, gazetarë, studiues të muzikës e folklorit, këngëtarë të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, por edhe të grupeve të Labërisë si: deputeti Laert Duraj, profesorët Bardhosh Gaçe e Rami Memushaj, aktori Bujar Asqeriu “Nderi i Kombit”, gazetarët Aleksandër Çipa e Albert Zholi, këngëtarët e labërisë: Nazif Çela e Vendim Kapaj “Mjeshtrit e Mëdhenj”, këngëtari i ansamblit shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Lek Pecnikaj, këngëtari kallaratas Gjergji Leskaj, Gramoz Xhaferaj, djali i Hysos Alvaro Xhaferaj, etj.

Aktiviteti nisi me një video të shkurtër, realizuar nga Besnik Gjonbrataj sipas një interviste me zë, bërë në vitin 2016, por e papublikuar më parë.

Në fjalët e Hysos, nëpërmjet së cilave shpreheshin vlerësime me shpirt  e me zemër për bashkëfshatarët e tij kallaratas me të cilët u rrit e këndoi përkrah tyre, për drejtuesit dhe personalitetet e muzikës, artit e kulturës shqiptare, të cilët e ndihmuan të shpaloste talentin e tij të këngës në institucionin më të lartë, pikërisht në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, për shokët, miqtë e kolegët me të cilët ai këndoi në këtë pjesë të jetës edhe pse të shkurtër, do të shërbenin si një amanet i tij, pasi jeta dhe kënga iu ndërpre në mes, në kulmin e pjekurisë së tij artistike.

Më pas fjalën në emër të shoqatës Kallarati, por edhe të grupit organizator e mori z. Besnik Gjonbrataj, i cili falënderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre, ardhur në këtë mbasdite kujtese, si miq e shokë të Hysos e të familjes së tij dhe z. Bujar Leskaj për organizimin e këtij eventi në ambientet e tij private të Art Hotel – ndërmjet të tjerash u shpreh: “Mjaftë kuptimplotë tingëllojnë sot vargjet e këngës që Hysua vetë me shokë këndoi “Luanët një vdekje kanë”. Vërtet luanët, por edhe  artistët si Hysua një vdekje kanë, por kënga e tyre nuk vdesë kurrë. Hysua do të rrojë, sa të rrojë vetë kënga, siç shprehet poeti Nexhip Onjea në baladën kushtuar Hysos e interpretuar nga aktori Bujar Asqeriu “Nderi Kombit”.

Piktura me portretin e Hysos iu dorëzua vëllait, Bakos e djalit Alvaros nga z. Bujar Leskaj, i cili në fjalën e tij e cilësoi Hyson “Artist të përmasave e vlerave të mëdha të polifonisë labe”, i cili mbetet nderi dhe krenaria e Vlorës dhe e Shqipërisë.

Surpriza e kësaj mbrëmje ishte krijimi më i fundit “Këngë vaji’ i bërë enkas nga dy miqtë e shpirtit – siç shprehej Hysua – me të cilët këndoi kushedi sa këngë, dy “Mjeshtrit e Mëdhenj” Nazif Çela e Vendim Kapaj, e cila me melodinë e cylës dyjare luajtur nga Vendimi e zërin e veçantë, melodioz e vajtues të Nazifit, sollën emocione të papara tek pjesëmarrësit.

Të gjithë pjesëmarrësit, si Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Prof. Dr. Rami Memushaj, gazetari Aleksandër Çipa e Albert Zholi, deputeti Laert Duraj, këngëtarët Lek Pecnikaj, Nazif Çela e Vendim Kapaj, në fjalën e tyre sollën kujtime të pashlyeshme me Hyson, qoftë nëpërmjet këngës, apo edhe të bisedave me të, si dhe bënë vlerësime maksimale për figurën e tij si këngëtar i veçantë i polifonisë labe.

Bujar Asqeriu “Nderi i Kombit”, aktor: “E quaj veten me fat që kam njohur një artist të rrallë si Hyso Xhaferaj. Jo vetëm kam dëgjuar zërin e tij por kemi bashkëpunuar në disa projekte me të. Ai mua më shkatërronte me modestinë e tij. Nuk kam parë artist me aq talent të rrallë të dedikuar nga zoti e të ishte aq modest. Ai futej në skenë aq natyrshëm sikur ishte askushi dhe jo një artist me zë të rrallë. Ai nuk kishte vetëm zërin, kishte të zhvilluar mjaft edhe anën njerëzore e sidomos humorin. Kishe qejf ta dëgjoje kur fliste me një dashuri të paparë për këngën, për Labërinë, për Shqipërinë. Ai ishte konsultuar me “Mbretërit e Polifonisë”, me të madhin Lefter Çipa, të cilin e kishte idhull. Hysua e kishte kuptuar që Lefteri ishte “Gjeni” dhe prandaj konsultohej me të. Ikën të dy, duke lënë pas poezitë e këngët e tyre” – përfundon Bujar Asqeriu.

Lek Pecnikaj, këngëtar i ansamblit: “Hysua dhe unë ishim shokë të ngushtë dhe kudo që shkonim në turne të ansamblit brenda e jashtë shtetit do të zinin të njëjtën dhomë hoteli. Edhe pse ai nga Vlora e unë Tropoja përveç këngës na bashkonte çiltërsia, besnikëria të burrëria. Shokët e tij ishin edhe shokët e mi. Nëpërmjet tij njoha edhe të madhin Lefter Çipa, “Nderi i Kombit”, idhullin e tij. Hysua kishte një zë të veçantë. Ai më mungon mua si shok, por i mungon edhe Ansamblit u mungon këngës labe, i mungon familjes, por kemi zërin e tij që nuk do ta harrojmë kurrë”

Prof. Dr. Rami Memushaj, gjuhëtar: “Hysua ishte talent i rrallë që i bënte nder Polifonisë Labe. Ai eci në gjurmët e të atit Balilit, por edhe të bashkëfshatarëve të tij Zeqos, Yzeirit, Hekuranit, Sulotes, Haires, Mjaftimes dhe trashëgoi çdo gjë të mirë prej tyre, duke e ngritur këngën labe në nivelet më të larta në përbërje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Si mbetet krenaria e Kallaratit dhe i Labërisë”.

Aleksandër Çipa, gazetar: “Ky event dëshmon për respektin ndaj artistëve të mëdhenj si Hysua. Ikja e parakohshme nga jeta e Hysos, ishte një humbje e madhe shpirtërore edhe për familjen tonë, sepse Hysua ishte një mik i rrallë për të gjithë ne sidomos për Lefterin. Hysua shkonte në Pilur te Lefteri ndoshta më shumë se unë djali i tij. Po ashtu kur Lefteri vinte në Tiranë më parë do kërkonte Hyson se sa mua si djalë. Kaq shumë ishin të lidhur me njëri tjetrin. Ajo që i bashkonte ishte kënga labe. Te Hysua Lefteri shikonte një talent të jashtëzakonshëm të këngës labe, një njohës dhe mbrojtës të polifonisë labe. Me ata të dy nuk mund të bëje kompromise për këngën labe. Ikën të dy gati në të njëjtën kohë, duke lënë pas si trashëgimi “Polifoninë Labe”- siç me të drejtë e quante- im at Lefteri. Qofshin të paharruar!

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, shkrimtar: “Hyson e kam njohur familjarisht shumë herët, biles në shtëpinë e tyre te xha Balili kam ngrënë bukë e pirë raki, se ishte shtëpi mikpritëse e me taban labërie. Hyson e vlerësonte shumë Llambro Hysi, Feti Brahimi, Muhamet Tartari, Avni Varfi, Kristo Çipa e mbi të gjitha i madhi Lefter Çipa si një këngëtar me zë të rrallë. Ky është Hysua i dytë – siç e kam shkruar edhe në librin “Enciklopedia e Vlorës”, pasi i Hysua i parë ishte ai i 1914-ës që dha jetën për mbrojtjen e fshatit nga andartët grekë. Lefter Çipa duke vlerësuar zërin e Hysos do të shprehej: “A sikur t’a kisha gurmazin tënd në trupin tim”!. Njerëz të tillë si Hysua mbeten të pavdekshëm.

Laert Duraj, deputet: “Çdo njeri i rëndësishëm, çdo artist rri mirë i ulur te “guri i vetë”. Edhe Hysua rrinte ulur te “guri i tij” atje në Kallarat. Por Hysua falë aftësive të veçanta të zërit e mori “gurin e tij” dhe u uli në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. I tillë ishte “Bilbili i Labërisë” Hyso Xhaferaj.

Zoti Bujar Leskaj hodhi idenë që për artistët të tillë si Hysua, të caktohet çdo vit “Dita e përkujtimit” të tyre, që e mira do të ishte ditëlindja, ku të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore në kujtim të tyre. Fjala vjen le të quhet, “Dita e poetit të madh të Labërisë, Lefter Çipës” ose “Dita e Bilbilit të Labërisë, Hyso Xhaferaj”, etj sepse vetëm kështu poetët, artistët e këngëtarët e Labërisë nuk do të harrohen, por do të kujtohen e vlerësohen në breza.

Bakua dhe Alvaro, në emër të familjes, falënderuan gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre dhe vlerësimet e bëra për Hyson, “Bilbilin e Labërisë”.

Në fund një koktejl nga të zotët e shtëpisë dhe foto e përbashkët e mbylli këtë takim mbresëlënës në kujtesë të “Hysos së këngës”

Një falënderim të veçantë për stafin e Art Hotel.