MBËSHTETUR MBI FJALË TË URTA
Na flet politika
Në mes të Tiranës,
Si e ëma e Zeqos
Kush e kush më shumë
Daulles t’i bjeri,
Të mjerët e kanë humbur
Si simiten Xhaferi.
Njeri i vë firmën,
Tjetri i vë vulën,
Populli e paguan
Porsi frëngu pulën.
Asnjeri nuk del
Në shesh të mejdanit,
Thonë le të pjerdhë kali
Në derë të hanit.
Rrëmujë gjithandej,
Si lesh arapi,
Populli po shkon
Si cjapi tek kasapi.
Dhe në mes të gushtit,
Ndjehen të rrënqethur,
Kur të venë për lesh,
Do dalin të qethur.
Në Kuvend hahen
Dhe grihen si qen,
Harroje, harroje
Mushkë Valarenë.
E zhvatën, e vodhën
Të gjithë Shqipërinë,
Si gjithmonë hesapet
I bënë pa hanxhinë.
Luftë me njeri – tjetrin,
Pa harruar zakonë,
Akoma s’po merr vesh
As qeni të zonë.
Njëra palë e vodhi,
Tjetra palë e shau,
Popullit po ja fusin
Si pelës kau.
Vidhni sa të mundni
Dhe leshtë e currës,
Se populli ka ngelur
Tek bishti i urës.
Për pare ja fut
Dhe vëllai vëllait,
Si në kohën e Baba Qemos,
A Qemo Babait.
E çuan vendin
Drejt pikës së zeros,
Popullit i kanë ngelur
Vetëm opingat e Sheros.
Me paratë e popullit
Gjezdisën dynjanë,
Shkuan atje ku kishte
Dhe Stavrua hanë.
Për të gjithë turp
Dhe faqja e zezë,
Është veza pulë,
Apo pula vezë.
