Mbrëmë e takova fatin,
Të panjohurin tim të vjetër,
Me dhëmbë e nduka fort inatin,
Gjuha m’u gris si një copë letër.
S’më përqafoi, s’më dha as dorën,
Kur më pa sytë e përmalluar,
Ashtu nxitimthi sa pa orën,
Tha për diku ishte vonuar…
E di, vazhdoi, më ke pritur,
Të jem pak ndryshe më i ngrohtë,
Po shpresat kush ti ka ujitur,
Dhe e ndjen vehten aq të fortë?!…
Ç’ti thosha unë? Flitet me fatin?!
Thjesht ula kokën si sheleg,
Më dhëmbë e bëra gjak inatin,
Me klithma qesha lart në breg.
