Në datat 26-28-29 Tetor 2023, në ambientet e Universiteti të Arteve, salla Black Box, ora 19:00, në kuadër të projektit “Mbreti po vdes” do të jepet shfaqja po me të njëjtin titull, realizuar nga një grup aktorësh të rinj nën drejtimin e regjizorit Armand Bora.
“ Mbreti po vdes ” është një nga veprat më të njohura dhe me më shumë sukses të shkruara nga dramaturgu franko rumun Eugène Ionesco. E shkruar në vitin 1962, që prej shfaqjes së saj të parë e në vazhdim këtë vepër e ka shoqëruar një sukses i jashtëzakonshëm. Për shumë kritikë të teatrit kjo vepër konsiderohet si një hymn kushtuar anktheve dhe frikës prej plakjes dhe vdekjes. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë autori në një prej intervistave të tij ku rrëfen për makthet e tij të herëshme, që prej fëmijërisë së tij. Kjo temë dhe ky shqetësim do të vijë qartësisht gjatë gjithë zhvillimit të veprës, por krahas kësaj teme rrjedhin edhe shumë tema të tjera që kanë ngjyrime sociale apo edhe filozofike si ajo e raportit të individit me pushtetin apo sjelljen që tregon shoqëria në momente të ndryshme me pushtetin.
Ky projekt përveçse do të sjellë në skenën e teatrit shqiptar një autor shumë të njohur të teatrit botëror, mundëson gjithashtu, nën drejtimin e regjisorit Armand Bora, angazhimin e një grupi aktorësh të rinj që do sjellin një formë modern të teatri grotesk dhe komik.
Free Entry