Mbrojtja e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimi i saj,një detyrë e shenjtë-Nga Viron Kona


Nga Viron Kona

 

                                 

Përjetime nga libri “Këshilluesi gjuhësor” i Muhamet Cenkos

       “Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme…”

                                                                          Eqrem Çabej

   

       “

        Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar është fryt i përpjekjeve të shumë brezave, që kanë punuar e luftuar pareshtur, madje edhe duke sakrifikuar. Ishin ato përpjekje që çuan në Kongresin e Manastirit (1908), i cili vendosi një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe; në vendimet e “Komisisë Letrare të Shkodrës”(1916-1917), e cila kodifikoi përfundimet kryesore të përpjekjeve të bëra gjatë Rilindjes për gjuhën letrare kombëtare dhe që u miratuan edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) duke ruajtur sa më shumë të përbashkëta, atë që i afronte variantet letrare të shqipes e duke lënë mënjanë atë që i largonte. Vendimet e Komisisë Letrare u bënë baza e  drejtshkrimit të shqipes deri në vitet e para pas Çlirimit. Në vazhdim erdhi natyrshëm Kongresi i Drejtshkrimit, më 1972, i cili vendosi për herë të parë rregullat e njësuara drejtshkrimore të gjuhës shqipe,  që përdoren edhe sot. Padyshim që libri  “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, shërben edhe në ditët e sotme si bazë e drejtshkrimit  të njësuar të gjuhës shqipe,  ndërsa pas botimit të tij janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen edhe shumë e shumë libra të tjerë gjuhësorë në nivel akademik, libra shkollorë, por dhe studime të thelluara dhe artikuj gjuhësorë, që mbështetin, thellojnë apo pasurojnë gjuhën letrare kombëtare të njësuar.

        Në këtë atmosferë Muhamet Cenkoja sjell te lexuesi librin e tij “Këshilluesi gjuhësor” me të cilin afirmohet si një intelektual dhe qytetar atdhetar e i vëmendshëm, që reagon ndaj vërshimit të gabimeve të shumta drejtshkrimore, që cenojnë sot gjuhën letrare shqipe të njësuar. Nëpërmjet këtij libri ai përpiqet të ndikojë dhe të na këshillojë me modesti se si të shkruhet shqip sa më mirë, sa më qartë, kuptueshëm dhe pa gabime drejtshkrimore. Duke shkruar për fjalët, shprehjet  apo tekstet e shkruara gabim, ai këshillon ndreqjen dhe korrigjimin e tyre, duke ia arritur të na bëjë më të ndjeshëm, më të interesuar  dhe më aktivë në mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde.

      Libri “Këshilluesi gjuhësor” sapo ka dalë në treg. Ai ka si bazë nisjeje faqen e veçantë të internetit “Këshilluesi gjuhësor’”, që drejtohet nga vetë z. Cenko. Këtë faqe tërheqëse dhe me vlera,  ai ka rreth 10 vjet që e ka  çelur dhe deri më sot ajo ka mbi 13 mijë ndjekës, që janë nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe shqiptarë të vendeve të ndryshme të Evropës, Amerikës etj. Ata shprehin pëlqime,  bëjnë komente, tregohen të interesuar dhe bëjnë pyetje për probleme të ndryshme gjuhësore.

         Libri “Këshilluesi gjuhësor” çelet me alfabetin e  gjuhës shqipe dhe vijon me “Disa njohuri për tingujt – fonema të gjuhës shqipe”. Autori citon shkrimtarë të mëdhenj dhe ligjërues të rrallë të gjuhës shqipe si N. Frashëri, Mjeda, Noli, Konica, Fishta, Poradeci, teksa e cilëson gjuhën shqipe – një enciklopedi të gjithë jetës së popullit tonë. Autori na informon se në këtë libër “nuk ka shkruar vetëm për drejtshkrimin e  zanoreve apo të bashkëtingëlloreve, por edhe për përdorimin e apostrofit, shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes, përdorimin e shkronjave të mëdha, ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit, shkrimin e datave, përdorimin e shenjave të pikësimit, zëvendësimin e  fjalëve të huaja me fjalë të shqipes etj. Cenkoja tërheq vëmendjen gjithashtu, që të respektojmë më shumë gjuhën amtare. “Në familje, – shkruan ai, – në shtëpi, vendlindje etj. mund të flasim edhe në dialekt, por në institucione duhet  të flitet e të  shkruhet vetëm në gjuhën standarde”. Këtë mendim ai e mbështet edhe me një thënie të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili në një intervistë të tijën thotë: ”Natyrisht kur ka një gjuhë standarde, asnjë vend në botë nuk lejon që në shkolla, në shtyp, në radio, televizion etj. të flitet e të shkruhet në dialekte apo të folme krahinore”. Muhameti e shpreh shpeshherë interesimin e tij për pastërtinë e gjuhës letrare të njësuar shqipe, madje edhe kur lëviz në rrugë, në sheshe e qytet, në institucione shtetërore, kulturore, sociale, ekonomike, ushtarake, politike; në shkolla, lokale, shitore, sikurse dhe në veprimtari që zhvillohen për kulturën dhe librin. Për ilustrim përmendim këtu disa fjalë apo shprehje ku autori tërheq vëmendjen e lexuesit. Ai nis me fjalën nëpunës, e cila shpeshherë shkruhet  nënpunës. Vijon me  fjalën Mirë se vini!, e cila shkruhet shpeshherë bashkë Mirësevini!. Madje, siç vëren autori, kjo fjalë shkruhet gabim edhe në shkolla, në hyrje të tyre, në një kohë kur shkolla ka mësues të gjuhës shqipe, të cilët nuk duhet të lejojnë gabime të tilla drejtshkrimore. Autori ka kurajën ta mbrojë standardin e gjuhës shqipe, në drejtshkrim dhe në drejtshqiptim edhe në institucione të nivelit të lartë, si Kuvendi i Shqipërisë, ku edhe deputetë, të thjeshtë apo me detyra të larta, shprehen apo shqiptojnë fjalë jashtë standardit të shqipes. Teksa, si pa kuptuar Cenkoja na mëson të gjithëve se s`duhet të pajtohemi me shkrimin plot gabime të emrave të rrugëve dhe shesheve. Ai nënvizon: ”Po të ecësh Rrugës së Kavajës, do të vësh re se nëpër tabela ka emërtime që nuk janë shkruar përshtat normës drejtshkrimore. Kështu, afër qendrës së qytetit, në një tabelë të madhe janë shkruar emërtimet: sheshi Skënderbej dhe posta Shqiptare, për të cilat autori në rolin e këshilluesit gjuhësor  na këshillon se ato duhen shkruar Sheshi Skënderbej dhe Posta shqiptare. Ai vijon të sqarojë se emërtime të tilla duhen shkruar pa gabime. Autori ka vënë re gjithashtu edhe emërtime të tilla rrugësh, si rr Shyqyri Bërxolli apo rr Him Kolli, kur ato duhen shkruar Rruga Shyqyri Bërxolli dhe Rruga Him Kolli. Këtu ai vë  në dukje se në këto emërtime, në tabela duhet të shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë, teksa sqaron se  emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk duhet të vihen në thonjëza. Autori vëren edhe mospërdorimin e nyjave të duhura në disa tabela të tjera, ku tregohen emra rrugësh, sheshesh, shitoresh. Kështu ai ka gjetur të shkruar gabim togfjalësha, si: Rruga Dibrës, Sheshi Flamurit, Mulliri Vjetër etj. Ato duhen shkruar: Rruga e Dibrës, Sheshi i Flamurit, Mulliri i vjetër. Autori këshillon: “Njerëzit që shkruajnë tabelat, posterat, reklamat etj. duhet të jenë specialistë të gjuhës shqipe, të njohin e përdorin mirë standardin.”

                               Mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët,

                kambana e parë kundër gabimeve drejtshkrimore

       Muhamet Cenkoja vëren se veçanërisht në mediet televizive dhe në botimet e gazetave e librave, ka gabime të shumta drejtshkrimore. Krahas tërheqjes së vëmendjes, ai këshillon se: “këto medie televizive duhet të jenë edhe më të vëmendshme ndaj problemeve të gjuhës shqipe, aq më tepër të drejtshkrimit të saj”. Ai sugjeron që, ashtu sikurse në institucionet qendrore  të shtetit janë emëruar redaktorë gjuhësorë, edhe mediet televizive duhet të kenë doemos specialistë të gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Ata duhet të kalojnë në filtër tekstet e gazetave apo ato televizive, më parë se ato t`i bëhen të njohura publikut. Ka ndjeshmëri ky problem me mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët, sepse janë ata të cilët japin dhe mund të japin edhe në të ardhmen një mbështetje dhe ndihmë të madhe për përhapjen dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe të njësuar, si dhe të drejtshkrimit të saj.  Lexuesi kur e lexon një artikull, një libër në prozë apo vargje, natyrshëm ngulit në mendje edhe sesi janë shkruar fjalët, shprehjet, dialogët, fjalët me vizë në mes,  si nisin paragrafët, si vihen shenjat e pikësimit, pika, presja, pikëpresja, pikëçuditja, pikëpyetja, dy pikat,  si bëhet ndarja e fjalëve në fund të rreshtit etj.  Ndaj, specialistët e gjuhës, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët ta kenë çështje të parë drejtshkrimin sapo vendosin fjalën e parë në letër apo në krye të artikullit apo të librit që shkruajnë, teksa librat e shumtë që shkruhen e botohen, doemos duhet ta kenë redaktorin dhe korrektorin gjuhësor, jo thjesht si emër.

     Në vazhdim autori shkruan se edhe në institucione publike ka gabime të shumta drejtshkrimore, që duhen korrigjuar doemos dhe urgjentisht. Kështu shkruhet arshiva në vend të fjalës arkivi, shkruhet arshivistja në vend të fjalës arkivistja. Gabime të tilla i sheh edhe në faqet e shtypit të përditshëm. Te rubrika “Fjalë shqipe në vend të fjalëve të huaja” autori nënvizon: ”Është thënë shpesh që, kur i kemi fjalët tona në shqip, s`kemi pse të përdorim fjalë të huaja. Por, janë të shumta rastet kur fjalët e  huaja përdoren pa vend dhe pa qenë nevoja. Përdorimi i tyre shpesh bëhet jo për mungesë në gjuhën shqipe, por për mbivlerësim të gjuhëve të tjera, për t`u dukur më modern etj.” Mund të themi se përdorimi pa vend i fjalëve të huaja të panevojshme nga disa njerëz, të cilët duan të bëjnë përshtypje tek të tjerët, nuk tregon kulturë, por krahas mendjemadhësisë tregon se ata kanë mangësi të dukshme në leksikun e gjuhës shqipe. “Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, – shkruan Çabej, – krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare…”. Duke ballafaquar shumë fjalë të huaja të panevojshme që përdoren nga folës të ndryshëm në gjuhën e përditshme, autori sjell edhe një listë fjalësh të huaja që duhet të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe. Për këto zëvendësime është folur e shkruar shpeshherë nga gjuhëtarët, por duket se ata që i përdorin ato fjalë e shprehje nuk duan të “lëshojnë pe”. Ndërkaq, autori  na këshillon sesi të përdorim zanoret e dhe ë, prapashtesat, numërorët tre dhe tri, shkronjën e madhe, përemrat kush dhe cili?, si të shkruajmë datat, shkurtesat e  fjalëve etj., etj. Dikush mund të thotë se ne kemi në duar prej kohësh librin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, një libër mjaft i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Natyrisht që ai libër është bazë e shkrimit të gjuhës shqipe me standardin e  saj, por në librin “Këshilluesi gjuhësor”, autori e  ballafaqon lexuesin me shembuj konkretë, që ai i ka ndeshur dhe ndesh në jetën e përditshme.  Këtë e bën, jo vetëm duke e adresuar saktë gabimin drejtshkrimor, por edhe duke e sjellë atë në libër të fotografuar. Pra, autori e prek problemin në shembuj konkretë, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj gjuhës shqipe letrare të njësuar, por edhe duke na e ngulitur më mirë në mendje mënyrën sesi duhet shkruar shqip. Ai këshillon se si të hartojmë një dokument, si të shkruajmë drejt emërtimet e shkollave, shkrimin e datave, emrat e ditëve të javës, të muajve e të stinëve etj. Për të gjitha rastet dhe shembujt që ai shkruan, i ka parë vetë të shkruara gabim, ndaj dhe i përmend realisht gabimet drejtshkrimore, madje tregon edhe sesi duhet të shkruhen mbështetur në fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe. Kështu ai tërheq vëmendjen edhe për shkrimin gabim të disa fjalëve  të zakonshme, që i ndeshim në mjedise publike, në plazhe, në hotele, në klinika spitalore, në shitore, në kafene e restorante, në tabelat paralajmëruese të policisë rrugore etj. Si për ironi, autori vëren se gabime drejtshkrimore vihen re edhe në institucione arsimore, studimore, kulturore, artistike e letrare, apo dhe  në festime e përurime ngjarjesh të mëdha. Për shembull, ai ka vërejtur se në hyrje të Pallatit të Kongreseve ishte vendosur një reklamë që fliste për Panairin e librit,  që zhvillohej nga data 14 nëntor deri në datën 18 nëntor 2018 në Tiranë. Në atë tabelë, të vendosur në krye të atij institucioni autori ka gjetur disa gabime drejtshkrimore, që duheshin ndrequr: Nuk duhej shkruar ”panairi i 21 i librit”, por “Panairi i 21-të i librit”. Jo “tirana – 2018”, por “Tiranë 2018”.

        Duke sjellë në libër episode, fjalë e shprehje konkrete me gabime drejtshkrimore, z. Cenko na këshillon sesi të shkruajmë ndarjen e  fjalëve në fund të rreshtit, përdorimin drejt të bashkëtingëllores h apo r,  apo l dhe ll, apo të grupeve të zanoreve -ue, -ye, përdorimin e presjes, përdorimin e saktë të kohëve të foljeve, si duhet të shkruhet shumësi i emrave, përemrave pronorë, shumësi i disa emrave femërorë, si duhet përdorur shumëpikëshi, foljet kam dhe jam, si duhen shkruar titujt e librave, emërtimet e emisioneve televizive etj., ndërkohë që shpjegon  edhe kuptimin e shprehjeve me prejardhje nga frëngjishtja apo latinishtja, si: “Ç` ka bërë frëngu!”, ”Tabula rasa” etj. 

      Në hartimin e këtij libri, autori sjell edhe mendime të personaliteteve të kulturës, të arsimit dhe të letërsisë, sikurse fjalë dhe shprehje të nevojshme që nënvizojnë rëndësinë, vlerat dhe nevojën për ta pasuruar vazhdimisht gjuhën e bukur shqipe, e cila është si një organizëm i gjallë që kërkon përkujdesje të vazhdueshme. Personalisht do ta quaja “Këshilluesin gjuhësor” të Muhamet Cenkos një libër praktik tavoline, por që ka vendin e vet edhe në bibliotekë, në krah të shumë veprave të tjera të shkruara nga gjuhëtarët tanë. E, në këtë atmosferë gjuhësore, ndiej tek më tingëllojnë shumë aktuale fjalët e albanologut të shquar danez Olger Pedersen, i cili mes të tjerash, shkruante: ”Gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.

                            Kush është Muhamet Cenko?   

Muhamet J. Cenko lindi në fshatin Pirg të krahinës së Gorës, Korçë, më 1 dhjetor 1953. Është diplomuar për gjuhë-letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.  Në vitin akademik 1984-1985 mbaroi kursin pasuniversitar për psikologji-pedagogji, pranë Fakultetit Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës, njësuar në janar 2010 me titullin “Master i nivelit të dytë”, nga Fakulteti i Shkencave Sociale. Prej vitit 1976-1982 punoi si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë në shkolla 8-vjeçare e të mesme dhe më pas, në vitet 1982-1990, si inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës, pranë Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Librazhdit.

Gjatë viteve 1990-2001 ka punuar si drejtor në dy shkolla të qytetit, në shkollën 8-vjeçare “Genc Leka”  dhe në gjimnazin “Ibrahim Muça” në Librazhd. Për shumë vjet punoi si drejtor i Arkivit Shtetëror Vendor të qarkut të Tiranës. Është bashkautor dhe redaktor gjuhësor e shkencor i librit “Fjalor shqip i termave arkivore”, botuar në vitin 2015. Ka një bibliografi të pasur të punimeve shkencore e profesionale (psikologjike, pedagogjike e të mësimdhënies) të botuara në organe të ndryshme të medias së shkruar (rreth 40 shkrime). Në vitin akademik 2009-2010 shkroi librin me titull “Psikopedagogjia” për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, drejtimi “Shërbime sociale e shëndetësore”. Ka punuar si redaktor dhe korrektor gjuhësor me më shumë se 50 libra në prozë, poezi, publicistikë etj. Ka përkthyer mjaft shkrime nga gjuha italiane në gjuhën shqipe. Ka qenë dhe është hartues dhe administrator i faqes “Këshilluesi gjuhësor”, duke filluar nga viti 2013 e në vazhdim në facebook. 

Literatura:

1.“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973,

2.Eqrem Çabej, “Për pastërtinë e gjuhës”. Gazeta “Mësuesi”, 28 mars 1979.

3.Ismail Kadare, “Gjuha shqipe, një nga makinat më të përsosura të Evropës”. Gazeta “Tema”, 23 nëntor 2017.