Mbytja e filozofit
Në kokën e filozofit flenë
dymijë pyetje dhe njëmijë ide
për pak të thëna
e shumë të pathëna…
Stepjet e mëdyshjet e dhimbshme
shtuan pyetjet për llambat e vëna
e pjestuan idetë për llambat e pritshme.
Kur një ditë ai guxoi të shpreh
vetëm tre dyshime dhe një ide,
iu turrën dhe e mbytën minjtë,
si në Trojë Laokontin e bijtë
për rrenën i mbytën gjarpërinjtë…
Pyetjet dhe idetë e tjera u shuan
e trasta mbeti zbrazur pa gjë…
Minjtë veshën kostume stofi,
e thanë për filozofin:
– Bën sikur flë…!