Më mungon… besoj e di!-Eva Gjoni

Më mungon… besoj e di!

Ai ishte ulur pranë dritares ku qe vendosur një tavolinë e vogël, me dy karrige përballë njëra-tjetrës. Po vështronte jashtë, binte një shi i imët dhe dita ishte gri, karrigia ishte bosh. Aty ulej Rea gjithmonë përballë tij.Çuditej me veten , si mund të duronte mos shikonte atë fytyrë aq të ëmbël, të mos dëgjonte zërin e saj të ngrohtë, i sillte një lloj qetësie unike që dinte ta përcillte vetëm ajo, gruaja e jetës së tij! Rea kushte muaj që ishte larguar drejt diçkaje ku ai shpresonte që të ndihej më mirë. Në muajt e fundit ajo nuk kishte dashur ta kishte pranë, nuk donte të shikonte vuajtjen e tij, nuk donte të shikonte si ajo po humbiste çdo ditë nga trupi i saj jetën. E donte shumë, ishte gjëja që kishte dashur më shumë në jetë, ishte pasion, dashuri, adhurim. Vuante  dhimbjen e tij, nuk donte t’ia bënte këtë, nuk donte ta linte vetëm, e dinte se ai nuk mundej.

Para se të ikte i kishte shkruar një letër…

Sot vajta për kontrollin rutinë që bëj, doktoresha që po bënte ekon ishte përqendruar në ekranin e vogël dhe sytë iu mbyllën pak, kuptova që diçka nuk shkonte.

– Çfarë është, më thoni?

Ato ishin mikesha prej vitesh, e njihnin mirë njëra-tjetrën.

Heshtje… hoqi syzet dhe u kthye nga Rea duke e parë drejt në sy, por nofullat i kishte të shtrënguara.

– Unë mund të përballoj çdo gjë, aq më tepër atë që ka ndodhur tashmë – i tha qetësisht mikes së saj!

– Keni një masë të konsiderueshme tumori, e cila duhet operuar sa më shpejt! Nuk e di si jemi me kohën, duhet vepruar shpejt!

Dëgjova fjalët e saj dhe të mendova ty, çfarë do bëje në ato çaste, sa do doja të mbështetesha në kraharorin tënd,  të më përqafoje gjatë.

U mbusha fort me frymë dhe i thashë: kjo është jeta! E imja është thënë të jetë kaq!

Mikja ime  vazhdonte të më shpjegonte procedurat, analizat, shtrimin, operacionin… dëgjoja si e mpirë, zëri më vinte si nga një botë tjetër drejt të cilës do shkoja, e huaj e pa njohur. Isha e dyzuar aty dhe në shtëpi me ty.

Dola dhe lotët nuk i mbaja dot, nuk do isha më, o tmerr që po më mbyste, pse mos të ishim dhe disa vite bashkë, nuk isha ngopur, e qenё e lumtur me ty. Shikoja rrugët , kalimtarët , pemët , shikoja jete kudo , ndersa brenda meje kishte filluar shkeputja. O Zot, pse?! Nuk do të shikoja, nuk do të dëgjoja, nuk do të prekja. Çfarë do ndodhte? Do ndjeja mall për ty. Si është të mos jesh më, si është vdekja? Thonë ka jetë tjetër, po si mund të jem aty pa ty. Ne ishim bërë si një qënije. Aq të lidhur ishim sa i ndjenim gjërat njësoj, i parandjenim së bashku. Ti kishe ditë që kishe një ndjenjë ankthi që nuk po e shpjegoje dhe unë isha në një melankoli trishtimi.Po ndodhte diçka, po vinte drejt meje e sigurt për qëllimin e saj!

Po ti? Çfarë do bëhej me ty? Unë e di sa më do, nuk do doja të dhuroja këtë dhimbje kaq shpejt, si do mundesh pa mua? Kush do të shtrojë me kujdes tavolinën, kush do ulet pranë teje, kush do bisedojë, kush do të struket ashtu si fëmijë në trupin tënd për të fjetur. Ne s’e kishim menduar kurrë vdekjen, na dukej shumë larg. Tani unë e kam me vete.

Mbas operacionit, kur shpresat nuk ishin më, e pashë që nuk mundesha ta mbaja më veten. Isha e dërrmuar, e marrë fund, nuk të jepja dot kurajë, nuk gënjeja dot që jam mirë dhe çdo gjë do rregullohet. E kisha pranuar vdekjen time. Jeta ishte treguar bujare me mua, më dha dashurinë tënde, më dha ty! Doja të ndaheshim kur isha akoma e fortë, për të shpjeguar që çdo njeri ka një jetë, që dëshiron ta ketë të lumtur. Unë e kam, por kaq ishte dhe e jetova atë që mu dha. Të lutem, më bëj të shkoj e qetë. Dua të vazhdosh jetën tënde, nuk do e refuzosh, më premto të lutem! Unë dua të jetoj edhe ca vite të tjera aty brenda teje, jeto për mua.

U largova dhe javët e fundit ishin tmerr. Lufta fizike ishte e përballueshme, por malli për ty ishte mbytës. Sa herë jam bëre gati të telefonoja që të vije, se po më plaste zemra,  shikohesha në pasqyrë nuk njihja më veten. Ti do dërrmoheshe, shpirti yt do shkërmoqej kur të më shikoje ashtu. Ndaj nuk të kam thirrur. Tani nuk po shkruaj më, s’e di sa më ka mbetur. Të dua shumë, je njeriu që çeli shpirtin tim, më ndryshove, e shikoja jetën si nuk e kisha parë më parë, çdo qelizë imja merrte jetë nga ty. T’i kam thënë në vite të gjitha, i dashur. Gjithmonë të thoja: mos u vono, po të pres. Tani të them: të lutem më lër ca kohë vetëm, atje ku do shkoj. Më duhet të mendohem a do të zgjedh të qëndroj përsëri me ty edhe në atë botë. Kam nevojë të mendohem gjatë. Po erdhe shpejt do të refuzoj! Kujdes, se nuk bëj shaka, mos qesh! Të dua…

Kështu e kishte mbyllur letrën e saj, të cilën e kisha mësuar përmendësh. Sa herë më shfaqej në mendime, përjetoja çdo gjë si të gjallë, qeshja me vete me kujtimet dhe bisedoja me zë me Rean nëpër shtëpi, i tregoja çdo gjë dhe e kisha në mendje përgjigjen e saj.

Dhe sot, në këtë ditë, po i them që më pëlqen grija. Është një ndjesi trishtimi melankolik, trishtim i ëmbël, e ti do më shikoje në sy dhe do më thoje: – Sa e dua këtë shpirtin tënd. –

S’e di si i shtyj ditët, por jam çdo moment me ty! Ti po më pret…