Më përqafojnë kaltërsitë-Poezi  Nga  Panajot  Boli


Poezi  Nga  Panajot  Boli

Më përqafojnë kaltërsitë

Ajo që më çudiste kur isha i vogël,

Ishte qielli.

Nuk i gjeja as fillimin  e as fundin

Varte një llambë në qafë , hajmali si unë

Të dukej më i bukur

…Dhe ishte i kaltër…i kaltër

Lumi ka edhe ai shpirt si njerezit,

Më thoshte gjyshi

Veçse nuk fle,ecen e i këndon gurgullimës

I ktheva fytyrën Bistricës sime, e pashë

Më buzëqeshi

…Dhe ishte e kaltër…e kaltër

I paduruar kërkova neraidat e përralave

Te një breg më çuan

Sytë fërkova kur pashë një shesh magjik kaltërsi

Jam det Jon , më tha, e më puthi me valët

Një vals kercente

..Dhe ishte i kaltër…i kaltër

Çudi, edhe endrrat tani i shoh të kaltëra

E pranverën të kaltër

Më erdhi edhe princesha ime me fustan të kaltër

Me sytë e qiellit që ndez mengjeset e prillit

Me xixellonja mbi flokë

…Dhe ishte e kaltër …e kaltër

Më përqafojnë kaltërsitë

E unë,

Në krahët e tyre nanuritem

DILEMË

U përgjum ankthi në parvazin e dritarës

Herë-herë zgjohet e përpilitet

Në heshtjen e natës.

Diku,

Dy sy luajnë kukafshehti

Si Neraida në liqen

Buzëqeshin sytë?!..prapë ankthi përpilitet

Të Sirenës janë apo të Neraides?

E buzët e eshkura zgjat…

T’i puth

Po ato ikin duke qeshur.

Humbasin në liqen

Dhe ankthi përpilitet

Në heshtjen e natës…

Është stinë që në lendinë s’ka lule margarite

Të ndjej drithërimën në petalet e bardha

Më duan, s’më duan

E gjitonia

Fallxhorja jonë e mirë u mplak

Filxhanin e la.

U përgjum ankthi në parvazin e dritarës

Herë-herë zgjohet e përpilitet

Në heshtjen e natës

Befas sheh…

Ato janë…si dritë

Sytë e saj që më zgjojnë

Dhe ankthi përpilitet e zgjohet

I thotë agu: janë dy yjet e fundit  që largohen

BARBARËT  E DETIT

Miq ishim bërë, me të mirin, detin tim

Shpesh kuvendonim, gjer në përendim.

Vend më zgjodhi në bregun shkembor

Mbi krye si kasketë ,gjelberimin kurorë.

Do ta ruaj për ty, thoshte  duke u tundur

T’i vemë edhe një emër :Foleja  e bukur.

Më priste me mall, kur shkoja në verë

Më puthte me valët,  më rrufste të terë.

Luanim të dy bashkë, në mbretërinë e tij

Harronim moshën, gëzoheshim si fëmijë.

-Ti ma vodhe ngjyrën, ngjyrose sytë e tu-

Në pjatë e vinte magjinë,me shpirtin  blu.

Dhe ky mall na priste,si mysafir çdo vit

Po tela me gjemba, seç gjetëm një ditë.

Ca pushtues hiena,detin seç ma sulmuan

Folenë time të bukur, si barbarë e shuan.

Bedena bajlozash ngriten,vipat të pushojnë

Ma prangosen detin, valët rrinë e vajtojnë.

Bregu hesht i trishtë, barbarët kanë ardh

I xhindosur deti,nxjerr shkumbë të bardhë