” Më therr në shpirt vetmia…


 ” Më therr në shpirt vetmia, dhëmb më tepër se netët e acarta, vetmia i ngrin mendimet e mia aty në acarin e saj….!!!”

….Kishte vite e vite që rikthehej në qytetin e tij dhe nuk merrte guxim të shkelte ato rrugica aq të dashura dikur për të.
Ku gumëzhinte jeta, në çdo moment në çdo hap, vetëm “mirëmëngjes”, “si i ke nga familja”, vetëm buzëqeshje dhuronte pa fund. Por këtë verë, e trazuar dhe e kafshuar keq nga pandemia, edhe ai bëri “këmbë” në lagjen e tij.
Sa dhimbje ndjeu, në shpirtin e tij.
Një qetësi “hakmarrëse” për atë jetë që kishte bërë diku.
I dukej sikur ishte teh thike dhe po i rihapte plagën e vjetër, që kishte zënë koren e saj, si zmogu që dikur mbulonte qytetin e tij.
E shpoi thellë ai teh, e hapi plagën më tepër se sa ishte, i preu tentakula të reja jete, që e lidhnin me atë lagje, me ato rrugica.
E ndjeu veten të vetmuar në lagjen e tij, sa trishtim ndjeu, e krahasoi me netët e ftohta acar të qytetit të tij nën ulërimën e erës së tërbuar, që vinte nga Krasta, i fërshëllente në vesh dhe ja mpinte mendimet .
Po ndjeu thelle dhimbjen e zemrës së vetmuar të tij.
Çdo gjë e dhimbshme, dhëmb shumë.
Atë po provonte atë mëngjes në mes të lagjes së tij.
Çdo gjë aty, që e rrethonte dhimbte e shtonte dhimbjen edhe trishtimi i asaj dite gri pa ngjyrë pa ritëm.
E ndjeu dhimbjen, si kosa që kosit çdo gjë që gjen para..
I ngurtësoi ndjenjat, i bëri të ftohta kallkan mbase edhe për dikë që tenton ti afrohej kohët e fundit.
…Dhëmb fuqishëm dhimbja e përjetuar tërë jetën. Zvarrë mori rrugën e harrimit nga lagjia e tij edhe rrugicat duhet ta harronin atë, jo më njerëzit, që nuk ishin më….

Pirro Minella Millona

Tiranë, më 19 Gusht 2022. 

About Post Author