MEDITIM MBI KRIJIMTARINË
Besoj në vlerën e dashurisë dhe mirësisë,
në atë dritë që ndriçon shpirtin e krijuesit,
si një urë që na lidh me vetveten çdo ditë,
me madhështinë që buron nga thellësitë e shpirtit.
Meditoj në heshtje, në dritën e mendimit,
ku qëndron forca e vërtetë e krijimtarisë?
A është ajo, një gurrë që rrjedh nga jeta jonë,
plot dhembje e dëshpërim, shpresë e mundësi?
Jo se jeta varet nga poezia, nga fjala e shkruar,
por se poezia lind nga gjaku i jetës sonë,
nga vuajtjet, nga plagët që shkruajnë historinë,
nga frymëmarrja e dhimbjes dhe ëndrrave tona.
Pa këtë dhembshuri, pa këtë shpirt të gjallë,
poezia bëhet thjesht një tingull i shurdhër,
një fjalë e ngrirë në heshtjen e vetmisë,
pa dritë që të ndriçojë errësirën e kohës.
Ç’vlerë ka një krijim, nëse s’është ndjenjë e vërtetë,
nëse nuk pulson me ritmin e zemrës së njerëzisë?
Nëse nuk përcjell tragjeditë e epokës sonë,
ai mbetet si një statujë pa frymë, pa jetë, pa ngjyrë.
Krijuesi i vërtetë mban peshën e kohës në shpinë,
shndërron dhimbjen në fjalë që fluturojnë në dritë,
duke hapur një dritare drejt të vërtetës njerëzore,
ku lexuesi gjen vetveten, gjen shpirtin e tij të lirë.
Por sa krijime mbeten pa këtë shpirt të pastër?
Sa fjalë humbasin në rrugën e egoizmit vetjak?
Botojmë libra për famë, për të ndjekur një hije,
por sa prej tyre mbartin gjakun e jetës, shpirtin e pastër?
Krijimtaria është fryma që lidh jetën me fjalën,
është pasqyrë e dhembshurisë në botën e ftohtë,
është frymë që ngjall fjalët e vdekura në vargje,
për të çliruar shpirtin tonë nga prangat e kotësisë.
Nëse mbyllemi ndaj vuajtjeve dhe dhimbjes së kohës,
nëse jetojmë të humbur në botën e egoizmit,
atëherë krijimtaria jonë mbetet një hije pa jetë,
një zë që humbet në errësirën e fjalëve të heshtura.
Kjo është përgjegjësia e krijuesit të vërtetë,
të jetë zë i shpirtit, frymë e lirisë,
të mbartë ndjenjat e jetës në çdo varg,
duke ngjallur jetën në çdo fjalë që lind nga zemra.
#ismail aliu