Kledi Shegani
Humbur persiatjesh eci në parkun e artë, ku gjethet kanë rënë e mendime stinësh kanë marrë me vete.
Është vjeshtë, e errësira nuk resht së fituari minuta, e dielli herë fuqiplotë, e herë mes reve përshëndet rrezatueshëm.
Kuptoj që mendimet nuk kanë stinë, edhe pse ditësh endem stolave të kujtesës duke të të kërkuar ty.
Sa shpejt u shua ai zjarr që aq vrullshëm ndeze e heshturazi e sheh si zvenitet sot.
Ndoshta për aq pak ngrohtësi kishe nevojë, për aq pak drithërimë shpirti…
Fëshfërima e gjetheve që zhurmshëm takojnë hapat e mi, më pëlqen si tingull vjeshte, që notat i hedh në pentagramin e shpirtit , duke krijuar sinfoninë e ëndrrës që e kam me vete në çdo stinë.
Melodi vjeshte luan shpirti im në stinë mendimesh që të kërkojnë ty…
