Mëngjes prilli
Hamit Taka
Ty s’të flihet këtë mëngjes brilant
Kur gjelat vendin bilbilave ua lanë.
Mbi kaçube dafinash gjetheartë
Xhevairet e yjeve u shpleksën e ranë.
Loton vesa prej gjethit pikë-pikë,
Gurgullima ujrash shuhen nën barë.
Ca harqe ylberesh pleksur në qerpikë
Vetëm këtu unë ty t’i kam parë.
Të vjen ta bësh balonë kaltërsinë
Që me zemërgjerësi ta fal kjo ditë,
Po ti ia kalon njëqind herë me dlirësinë
Se qiellin të gjithë e ke futur në shpirt.
Thuaj “Mirmëngjes” fushës së verdhë
Grurit të ri që flladitet valë – valë,
Mëzit gazmor dhe pelës së pjellë
Që rendin galop drejt shtegut të bardhë!…
* * *