Mes dimrit dhe pranverës së një poeti(Vaso Papaj)


Mes dimrit dhe pranverës së një poeti

Poetët, lindur dhe jetuar me aromen e diktaturës së fundshekullit të XX, asaj komuniste, kanë diçka të njëllojtë, një mesazh të hidhur dhe tejet realist, të pikturuar me ngjyra gri, në kohë dimri, nën qiell me re të zymta, por me një ultimatum: triumfin.

Sa më shumë kthej kokën pas e shoh Solzhenicin, Vissily Grossman, George Orwellin, Golding, gjej jo humbëtirë, jo dhembje e aspak trishtim. Në rreptësinë e fjalëve të tyre, në vrazhdësinë e botëve që krijuan duke rrëfyer natyrën e pakuptimtë njerëzore në përgjithësi dhe etjen për pushtet, unë gjithnjë kam marrë forcë. Kjo edhe pse larg, kam parë dhe ndierë shenjat e pranverës.

Çfarë përcjellë Vaso Papaj – poet, Vaso Papaj – shkrimtar, intelektual, mësues, i përndjekur, njerëzor, por gjithmonë ithtar i lirisë kur thotë:

…E prapë,

Trageti ecën fort e s’do të ndalet.

Më ngjaka me një trim,

Gjersa një ditë nga lart do t’më thërras

I larti…,

Zoti im.

Apo kur thotë:

Çdo ditë më shpesh kujtoj përrallën time,

E çfarëdolloji qoftë, nuk reshtem ta tregojë.

Vishem me ëndërra dhe kështu i ngjaj në fëmije,

Që krijon iluzione sikur po loz me heronj.

Në vargjet e poetit ka shpërthime ndjenjash por edhe përshkrime ngjarjesh që krijojnë ndiesinë se e kaluara, fati, Zoti dhe e ardhmja janë të përziera dhe të mbrujtura me një lloj materriali që ka shkaktuar dhembje e vuajtje, por tashmë guximi për përmirësimin e kushteve që e bëjnë jetën të mirë dhe, kryesisht, për mundësinë e ekzistencës së lirisë individuale forcohet dhe shtohet nga një rrëfim në tjetrin.

Për shembull, në poezinë “Qetësinë ta bëj të flas”, poeti rrëfen se nuk është Zot dhe nuk di si ta shuajë heshtjen, e cila e bren. Ai kërkon krahë, ndofta kërkon hov, kurajë, nxitje që të mund të fluturojë në hapësirat e së vërtetës. Me fjalë që burojnë nga një lloj lodhje, dorëzimi, mos luftimi, duket sikur poeti proteston, bëhet rebel por gjithmonë duke mbetur njerëzor. Shijoeni fundin elegant:

Ndaj, nis e qesh,në krahë të marr

E humb në hapësirë.

Në sy, si ti, dhimbjen kam parë,

Kjo më ka bërë të mirë.

Do të doja krahë të fluturoj

E lart, më lart të ngas.

E nëse rrotull ka qetësi,

Qetësinë ta bëj të flasë.

Ai thërret për ndryshim, lëshon klithma, nxit për të mos vazhduar kështu, për të thyer qetësinë, për të mos heshtur, për të mos reshtur deri sa liria, ajo e plota, e paqta, e shtrenjta të jetë arritur.

Teksa lexoj vargje e rrëfime të poetit, kujtoj Fermën e kafshëve, revolucionin rus, ndryshimin e rendit, premtimet, vuajtjet e mijëra individëve që dhe i rezistuan këtyre vuajtjeve e i rrëfyen në romane, novela e poema, mbetën të vrarë gjithsesi. Si mund të riktheshë mbarrë, vitet e gjymtuara, shpirtin e plagosur, mendjen e lodhur, premtimet e zymta, gënjeshtrat shpresëdhënëse, vetminë, izolimin, ideologjinë që vrau, propagandën që u çorr, pushtetin që u mor e u mbajt me zor, demokracinë e hidhur dhe përsëri zgënjimin?

Por poeti çon zërin, thërret, ulëret, tërbohet, rrëfen dhe përsërit: si s’kupton ti, ti lexues, si s’ngrihesh, s’lufton, s’mbron lirinë, atë të çmuarën, të vyerën, të shtrenjtën, jetëdhënësen?

Titulli i përmbledhjes, “Koncert nën narkozë” simbolozon mpirjen e qytetarëve, popujve, shtresave të shtypura, të dobëta ose të forta, të pafuqishme ose të atyre që besojnë se janë të pafuqishëm. Retë, dimri, vetmia, ftohtësia që përcjell ballina e vëllimit sikur kërkon të pranojë faktin që e tashmja është e tillë: e errët, e murëzuar. Por mesazhi që përcjell nëpërmjet mikrofonit është i tjetërllojtë, ndërsa ndërthuret bukur me shkëlqimin, qoftë të zbehtë të një mëngjesi: është ftesë për ngritje zëri, për rebelim të fjalës, për solidaritet njerëzor, për hedhje poshtë të padrejtësive, për një shoqëri të arsyeshme, për kërkim të të drejtave – atyre njerëzore, shoqërore dhe individuale.

Poeti sikur thotë: ja ku është mundësia. Tani folni!

Vaso Papaj flet nëpërmjet vargjeve dhe rrëfimeve, personazheve dhe ideve që përcjell në poezitë: Më sill pak det, Shi i shpirtit tim, Luftohej në Athinë, Ujku, E prapë Zoti më mungon, Trageti, Timo apo Agustin. Në çdo njërën prej këtyre poezive Ai sfidon heshtjen dhe kërkon të ndjekim shembullin e tij, të zgjohemi një mëngjes, të dalim nga kjo ammulli apo agoni, të kërkojmë rrezen e diellit që ta tres këtë “narkozë”, të fitojë pranvera mbi dimrin, të triufojë morali i shëndoshë.

Poeti, pra, lufton të na zgjojë dhe e bën këtë duke sjellë aromën e detit, duke na kujtuar një mik, një shok, duke zgjuar ndjenja të fjetura me poezinë e shiut dhe të shpirtit, duke na bërë të ndërgjegjëshëm për gjëndjen tonë, por dhe harrohet nganjëherë në vargje lirike që të mbesin në mendje gjatë për brishtësinë, sinqeritetin dhe kundërvështrimin si: Aromë gruaje, Nën kasollen e anuar, Jam i yti, Të më duash të dielave, Dhe diellin s’kam ç’e dua, Vallë kundravajtje?!…

Janë të çmuara fjalët e poetit: janë sfidë, ushtimë, zgjim.

Vetë disa nga titujt e poezive janë thirrje: Në sheshin “Liria”, Nën të njejtin qiell, Sonte nata është e jona, Zonjë lumturi, Do jem me ju, Vjeshta e zinxhirëve, A do të dim të qeshim?, Zgjohu!, Ik!, Erdha…, Kënga e refugjatit…

Mendimi im i ngjan një zogu të shtegtuar,

Ikën në prag vjeshte, të gjejë pak ngrohtësi.

Se rruga është e hapur, telat me dhëmbë rrëzuar,

Mos më kërko. S’më mban, I lidhur dot nuk rri.

Disa nga ne ikën, braktisën zhgënjimin, nuk qenë aq të fortë sa të luftonin, sa të luftonin dhe më. Si zogj në një shtegtim pa kthim, mbetëm tej oqeanit, përtej kufirit e vëzhgojmë për së largu atë atdhe që është aq i dashur, aq i ëmbël, aq i vuajtur.

Le të falenderojmë ata që mbetën, që ende luftojmë, që ende thërrasin.

Le të falenderojmë Poetin qoftë edhe për këtë.

Iva Gjoni

Master në letërsi, anglisht, pedagogji-Bashkëpunëtore e gazetës Illyria

New Jork, 13 mars 2013