Mes rreshtash-Zymer H.Haliti


Mes pikave t’shiut kërkova portretin

brenda kornizës me ngjyrë të bukur

por kur hëna me rrezet pushtoi detin

Ti mbete si lule ndër gurë e strukur.

Në agimet e hershme u luta për ty

që të të shoh më mundëso, o Zot

sa herë m’u përlotën këta dy sy

kurrë s’ndalova t’kërkoj deri më sot.

E si t’i harroj ata sytë e tu,sy liqeri

portretin tënd në netët pa gjumë

thonë se pas shiut shfaqet ylberi

çdo herë pas lotëve t’kërkoja unë.

Edhe mbrëmjeve vonë të kërkoj

si një dritëhënë e praruar vjeshte

e sa e sa vite çdo herë unë në lojë

e vë fantazinë shkruar të një jete.