Mesazhe aktuale në romanin “COVID – 1984” të Namik Dokles-Halil RAMA-Mjeshtër i Madh


Mesazhe aktuale në romanin “COVID – 1984” të Namik Dokles
Halil RAMA-Mjeshtër i Madh

Pas suksesit me romanin “Vajzat e Mjegullës”, botuar dhe promovuar bujshëm edhe në Spanjë (i botuar më parë edhe në Turqi, Bosnjë dhe Bullgari), Namik Dokle befason lexuesin edhe me romanin “COVID – 1984”.
Ndonëse i zhvendos ngjarjet në një kohë disi të largët, Dokle sjell artistikisht ngjarje të trishta që përjetuam gjatë flamës globale “Covid-19” e që solli miliona viktima. Dhe këtë e bën me trajtimin e një subjekti interesant ku ndërveprojnë personazhe të së djeshmes në ndeshjen ballazi me progresistët e sotëm. Kështu, shefja e pavionit të një spitali me emër Borjana Damati, do të përjetonte me ankth vetëvrasjen e disa pacientëve të prekur nga Covid-19, duke u hedhur nga ballkonet e spitalit. Dhe personazhet e kësaj kategorie ishin pikërisht ata që e dinin se të jetuarit me ndjenjën e fajit ishte diçka e tmerrshme, të cilën po e ndjenin tashmë edhe në lëkurën e tyre.
Si njohës perfekt i mentalitetit, zakoneve e dokeve të zonës që i përket, por edhe më gjerë, Dokle, sjell që në fillim të romanit shprehje filozofike që të mbesin në mendje. Si një rrëfimtar mjeshtëror ai e trajton të kaluarën e njerëzve të dyshimtë, si një të kaluar që peshon më shumë se një pllakë varri. Ndërsa i mendon këto si shprehje të Dekartit, apo ndoshta edhe të Borhesit, Dokle sjell në analogji me sentencën filozofike përvojën e hidhur shqiptare nga “E kaluara (shqiptare”) që vret më shumë se pushka)” dhe nga ajo e kaluar që “kalb gurin, tret edhe burrin”, shprehje filozofike këto që përligjin fare qartë qëndrimet e personazheve të tillë si Fitim Zagora, kujtimet e të cilit do ta çonin mjeken Borjana Damati në një situatë të tillë “sikur iu mbush fytyra me puçrra ironie dhe e ndërpreu leximin e kujtimeve të tij…”.
Me gjuhë filozofike, kur përshkruan personazhe që për të shpëtuar nga “covid 19” vetëvriten, Dokle, ndërsa sjell në vëmendjen e lexuesit faktin se gërballat e tyre psikologjike po ktheheshin në stërmundim për mjekën Bora Damati..,sepse “Kishte frikë t’i shikonte në sy, sepse i përbirohej nëpër tru ajo pyetja e famshme që Frojdi kishte bërë për Niçen: Sa vëtëvrasës është ky pacient?!”, më tej (fq.73) shkruan se “Të gjithë e konsideronin atë covid, të mallkuar, të cilit, nuk dihej se kush, as pse, i kishin vënë atë numër, 1984, që të kujtonte titullin e një romani të famshëm të Oruellit”. Po ashtu, si teori konspirative, ai i referohet Prof.Rekës, se sëmundjen duhet ta kërkojmë aty ku të tjerët nuk e shohin. “Përpiqu të shpëtosh nga ndjenja e fajit, jeta bëhet skëterrë prej saj. Të shpëtosh veten dhe të tjerët…nga kalbja para se të vdesin, nga skëterra e jetës…”, filozofon kështu Dokle në kohë pandemie. Dhe përshkruan aq bukur personazhin Fitim Zagora, agronomin që fillimisht e bënë drejtues të gazetës lokale dhe më pas e katapultuan në lexonjës të titujve të gazetave për udhëheqësin e partisë, kur “ditë pas dite po kuptonte se në atë farë pune ku e kishin thirrur, rreziku rrinte gjithnjë prapa derës, ishte si në malin e vetëtimave…”. (Fq. 44-45, Kujtimet e Fitim Zagorës….). Dhe një një rast kur i kishte lexuar të Madhit një titull për vdekjen e një ish partizani që gazetarët e kishin quajtur shqiponjë “…udhëheqësit i kcyn gacat, shpërtheu gjithë inatin e botës: – Shqiponjë?! Ai shqiponjë? Ai ishte një zagar buçesh, asgjë më shumë…”. Në këtë rast Fitimit i vjen ndër mend rasti kurr ishte agronom në malësi, kur një burrë vdiq mbi të dashurën lakuriq. Dhe ndërsa Fitim Zagorën autori e përshkruan edhe si një personazh sarkastik, krejt ndryshe bën me Azize Murgën, e cila e ndodhur në të njëjtin pavion të atij spitali të kobëshëm me ish persekutorin e saj Zenun Vengu, kërkon të ikë sa më larg prej tij.
Këtu është trauma që ka pësuar ajo, të cilën Dokle e sjell edhe si aktakuzë për sistemin e kaluar monist. Se ajo nënë fatzezë provoi atë kalvar, vetëm e vetëm pse fëmija i lindi më 11 prill dhe nga insistimi i bashkëshortit për ta regjistruar në gjendjen civile me këtë datëlindje, e burgosën dhe madje e detyruan të vetësakrifikohej. Dhe ajo fatzeza Azize, edhe në spitalin anti covid bisedonte dhe ofshante çdo ditë me shpirtin e të voglës, me të cilin ajo u bë brajz. Dokle, si askush tjetër sjell nëpërmjet fjalës artistike bëmat e një ish sigurimsi famëkeq si Zeno Vengu, që edhe në kohë covidi ia trazojnë shpirtin fatzezës Azize. Këtë autori e bën mjeshtërisht, kur sjell në kujntesë “Shumë gjëra që ia trazuan shpirtin pas atij takimi. Natën zgjohej e tromaksur se shikonte në oborr makinën e internimit, një ‘zis’, apo ‘zil’, nuk e kujtonte, por që targa i qe fiksuar në çdo cep të trurit: 0033. Një numër i tmerrshëm që i kujtonte ‘Ferrin’e Dantes, ashtu siç ia kishte shpjeguar mësuesi i letërsisë në maturë…”. Ndoshta, nga këto kujtime (që vijnë si rrëfim mjeshtëror i Dokles) edhe mjekja Borjana Damati ndjente hekje akulli, që i ftohnin dhe shponin trupin.
U ndala shumë në subjektin e këtij romani, jo pa qëllim, por për të sjellë në vëmendjen e lexuesit ligjërimin estetik të Namik Dokles, që ka shkruar dhe botuar një roman, nga leximi i të cilit gjithkush do të gjente vetveten në pjesë të veçanta të tij. Autori në romanin e tij “COVID-1984” na ofron një material faktik jetësor që, me pak përjashtime, është në funksion të plotë të idesë që ai kërkon t’i transmetojë lexuesit.
Në procesin përzgjedhës, kuptohet qartë se si Dokle ka qenë i vëmendshëm e i kujdesshëm ndaj personazheve si bartës e shprehës të karaktereve të caktuar, por dhe në funksion të plotë me synimet ideoartistike të romanit.
Nëpërmjet një përzgjedhjeje të përcaktuar saktë e qartë të materialit jetësor, nga dy periudha kohore të ndryshme dhe ndërthurjes së tyre në mënyrë origjinale, ai ia ka arritur të realizojë me sukses një kohezion ideor mes së shkuarës e të tashmes. Madje, siç vlerëson Behar Gjoka – i mirënjohur për analiza perfekte të veprave letrare si një nga kritikët më të mirë letrar në rang vendi e më gjerë: “Me Çovid – 1984’, Namik Dokle shpalos një rast unik, të bashkëlidhjes së murtajës së shekullit të njëzetëenjëtë, me absurdin që përçon romani oruellian”. Kjo sipas kritikut Gjoka edhe për faktin se “Ky roman, përpos të tjerash, ka dy shenja të përveçme: e para, pavetëdijshëm është paralajmëruar më herët në romanin ‘Ditët e lakuriqëve të natës’, së dyti, kemi të ngjizur, tanimë me vetëdije të shpallur, terapinë shpirtërore dhe estetike”.