Mesazhe të përjetshme atdhedashurie-Nga Sakip Cami


Mesazhe të përjetshme atdhedashurie(Shënime për romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos}Nga Sakip CamiRomani “Shpella e piratëve” është një roman që duhet ta lexojë dhe ta ketë në bibliotekë cdo fëmijë shqiptar kudo që të jetë.

Petro Marko ka shkruar shumë romane e libra që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqiptare si “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, Nata e Ustikës”, Ultimatumi”, “Stina e armëve”, “Ara në mal”, “Halimi”, “Një emër në katër rrugë”, “Një natë dhe dy agime”, “Tregime të zgjedhura”, “Fantazma dhe plani 3+4 “, “Intervistë me vetvehten”, dramën “Niku i Pjetër Gjinit” etj, por romani për fëmijë “Shpella e piratëve” e vecon atë sepse është një roman i rrallë që nuk e hasim as te shkrimtarët më të mëdhenj të botës për fëmijë, për mesazhin atdhetar që transmeton te fëmijët dhe te të gjithë brezat.
Romani “Shpella e piratëve është një roman që duhet ta lexojë dhe ta ketë në bibliotekë cdo fëmijë shqiptar kudo që të jetë.
Petro Marko është në lindur në vitin 1913 në Dhërmi të Vlorës, në bregun e detit Jon, pranë Himarës dhe pikërisht kujtimet e fëmijërisë së tij në vendlindje dhe për detin i ka përfshirë në romanin e tij me titull:”Shpella e piratëve”. Ka shkruar edhe me pseudonimin “Vlonjati”.
Subjekti i romanit është dëshira dhe veprimtaria e fëmijëve për të njohur dhe zbuluar historinë e lavdishme të të parëve të tyre.
Në këtë roman tregohet për pesë fëmijë, të moshës nga 10 – 14 vjec, të cilët, pa ju treguar prindërve, vendosin të bëjnë një eskursion të fshehtë, ndonëse i rrezikshëm, në det, për të parë nga afër detin dhe shpellën e piratëve, pasi kishin dëgjuar më parë nga prindërit për historinë e lavdishme të të parëvë për mbrojtjen e trojeve dhe bregdetit shqiptar.
Fëmijët, (personazhet e romanit), janë Ilir Kollmilli, motra e tij Lulja, Foto Varfi, Jani Thana dhe komandanti i skuadrës Lelua, të cilin e thërrisnin Gjonbaba, njëlloj si emrin e një trimi të shekullit të dhjetë, që luftonte kundër piratëve për mbrojtjen e detit dhe të bregdetit të Shqipërisë.
Këta janë personazhet realë të romanit, përvec personazheve historikë që shprehin luftën e popullit tonë për liri e pavarësi si Gjonbaba, Gjonbiri dhe Gjonnipi. Jo rastësisht është zgjedhur nga autori emri Gjon, i trashëguar nga brezi në brez, nga Gjonbaba te Gjonbiri dhe Gjonnipi.
Ngjarja fillon kështu:Fëmijët u bënë kurreshtarë të njihnin nga afër Niko Dabën, peshkatarin më të zot dhe më trim të krahinës dhe u betuan se do të organizonin një lundrim të det dhe do të takonin atë, atje ku ai rrinte në vendin e rrezikshëm që quhej:”Shpella e piratëve”. Në filmin me të njëjtin titull, Niko Dabo interpretohet mjeshtërisht nga aktori Fitim Makashi.
Niko edhe të jatin e kishte patur peshkatar të zot, por atë e kishte vrarë peshkaqeni, prandaj Niko ishte betuar se do ta mundte peshkaqenin, do ta merrte hakun e të jatit. Niko ishte ai, që notonte për tridhjetë orë në det, ai që shikonte në det edhe vrimën e gjilpërës. Një ditë edhe ai u përlesh me peshkaqenin dhe me thikën e tij të mprehtë që e mbante gjithmonë me vehte e kishte carë peshkaqenin dhe e kishte vrarë. -Ta mora hakun, baba, kishte bërtitur Nikoja. Në barkun e peshkaqenit u gjet thika e vjetër e babait të Nikos. Me thikën në dorë, me not, Nikoja doli në breg dhe u kthye në shtëpi.
Histori të tilla që fëmijët kishin dëgjuar nuk ishin përralla, por ndodhi të vërteta, prandaj fëmijët donin që t’i shikonin nga afër. Fëmijët bënë planin dhe u betuan mbi shpatë se nuk do ta tregonin sekretin e tyre dhe se do të shkonin atje ku qëndronte Niko Dabo, te shpella e piratëve.
Ata shkuan te shpella e piratëve dhe atje u takuan me Niko Dabon. Niko u tregoi atyre për luftën e të parëve të tyre me piratët e detit, që vinin nga vendet e tjera për të marrë peshqit, për të pushtuar tokat e tyre. Nikoja u tregoi fëmijëve për Gjonbabën. Gjonbaba ka qenë një kapedan i dëgjuar qindra vjet më parë rreth shekullit të dhjetë, pesëqind vjet para kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kapedani Gjonbaba i dërmoi piratët dhe vrau komandantin e tyre Rusman El Namsur që vinte nga vendet arabe.
Fëmijët njëzëri e quajtën Lelon, përgjegjësin e tyre të grupit, Gjonbaba, pasi ishte trim njëlloj si Gjonbaba.
Lelua kur u nis për të rrezikuar jetën e tij, për të shkuar te Shpella e Piratëve ngriti duart lart dhe filloi të marrë frymë lirisht. Pa qiellin, detin, fshatin. Pa malin e Vetëtimës. C’bukuri të rralla që kemi! C’vend fantastik që kemi! O erë, o shokë, o det, sa ju dua… Përqafoi shokët dhe u nis drejt rrezikut.
Ai u kthye me fitoren në ballë. Ai i mposhti lakuriqët e natës që kishin vite që qëndronin në Shpellën e Piratëve.
Kush ishin piratët? Piratët ishin të huaj që sulmonin bregun tonë për të na grabitur. Grabitnin cfarë të gjenin, rrëmbenin gra e fëmijë. Ata ishin detarë me anije pa flamurë. Ata nuk kishin ligje, nuk kishin njerzillëk.
Ndërsa fëmijët anijen e tyre të vogël e pajisën me flamurin ushtarak të marinës shqiptare dhe i vunë emrin: “Delfini i pionerve”. Me anijen e tyre të vogël fëmijët arritën të shkonin te Shpella e Piratëve dhe të njiheshin me historinë e saj shekullore.
Autori Petro Marko ndalet shumë në paqyrimin e bukurive të bregut. Këtë vend të bukur, shkruan ai, e kanë lakmuar shumë të huajt, piratët që vinin nga të katër anët e botës dhe vecanërisht nga brigjet e Afrikës. Prandaj në këto kushte ne shqiptarët, kemi qenë të detyruar të lindim dhe të vdesim me armë në dorë, vijon shpjegimin për fëmijët autori, të bëhemi motër me Vetëtimën dhe vëlla me Tufanin , farefis me shqiponjat e maleve. Këtë det e kemi skuqur me gjak shqiptari. Faji nuk është i yni. Faji është i atyre të cmendurve, (pushtuesve), që u ka hyrë djalli në bark dhe duan me cdo kusht të bëhen zotër të këtij vendi. Po a do ta lejojmë një gjë të tillë?! Jo, kurrë.
Atdhedashuria dhe trimëria u trashëgua nga brezi në brez. Gjon biri i plagosur pas nëntë muajsh, nëntë javësh e nëntë ditë luftë, duke dhënë shpirt i dorëzoi të birit shpatën dhe i duke lënë amanetin:”O biri im, mbroje detin tonë dhe gjithnjë fytyrën e mbani drejt tij me krenari se është deti ynë, se është jeta jonë! Mësojuni bijve të tu dhe nipërve të tu mësimin e shenjtë të mbrojtjes së vatrave tona nga cdo shkelës. Këta male shekullore kanë qenë streha jonë dhe janë kështjella jonë shekullore. Mbrojini ato.”
Ky mesazh i madh historik përshkon nga fillimi deri në fund këtë roman për fëmijë, që është një vepër letrare unikale.
Sakip Cami