Mësonjësja….Suzana Rama


Edhe unë si të tjerë,

në jetë erdha nga një grua,

që më dha gjakun e saj,

për plot nëntë muaj.

………me përkëdhelje…

Më pas, ngadalë më rriti,

me gjirin e saj të ngrohtë,

në prehër ëmbël më nanuriti,

më thosh’ të bëhem e fortë.

……….me embelsi…..

Më mësoi të ngrihem në këmbë,

si të hedh vetë hapat e parë,

në fillim si të nis të belbëzoj,

më pas nga rrokjet të bëj fjalë.

………..me durim…..

Për dore më shoqëroi në shkollë,

mbi libra, fletore, ulej me mua,

bënim shënja, numra, çdo shkronjë,

dhe pse e lodhur dhe e sforcuar,

……….pa përtim…..

Më vonë dora e saj mbi flokë,

lehtë dhe ëmbël përkëdhel,

u bë edhe rrobaqepëse mode,

më bukur se shoqet t’më nxjerrë.

………..me dëshirë…….

Derisa një ditë në familje,

me lotin në sy ngadalë,

më uroi përjetësi lumturie,

duke më puthur ngrohtë në ballë,

…….. me dhëmbje…..

E pra, kjo është mësonjësja e parë,

për gjithkënd, që sjell në këtë jetë,

është ajo, më e shtrënjta, nëna,

që dhe mbas vitesh të vegjël na sheh,

………..e na bën krenarë….