Meteor-Kastriot Fetahu


Kastriot Fetahu

Në orkestrën e njerëzve,
ajo kishte zgjedhur
të ishte shërbyese
me instrumentin natyral;
mbuluar me kapakë të rrjepur
nga koha e vjetëruar.

Salla ku luante
ishte cep rruge nate
me ndriçim hije trupash epshorë,
karikuar me energji djajsh
apo kthinë gjirizesh
ku për poltron
kishte tokën;
një sedilje makinash
të deformuar nga copa e zverdhur;
edhe krevate që qanin
sa herë e shikonin
apo stola indiferentë parqesh
me sekrecione gjethesh,
lëshuar nga koha e gjatë
e fjetjes së tyre në ato stola.

Muzika që luhej
tinguj pasthirrmash
që edhe ansambli i kafshëve
do t’i këndonte më bukur.

Në një botë kurtizane,
ajo ishte më e mira;
orkestrante e orkestrës,
edhe pse të gjithë luanin
me pentagramin e saj.