MIGJENIT, POETIT TË DAMARIT E SHPIRTIT TIM…


VIOLETA KADRIU

Sa herë shoh Diellin” të nxejë me dhëmbë”,

më kujtohesh, Migjen,

duke udhëtuar, herë këmbë e herë me biçikletë,

me ditar nën sqetullë,

e mijëra zëra fëmijësh, si zgjua bletësh vërshëllejnë veshët e mi,

e të nderoj e përulem, Migjen!…

Sa herë shoh lustra këpucësh,

këpucë të grisura e të përbaltura,

prap më kujtohesh, Migjen,

më del para syve ajo këmbë e Lulit Tënd,

teksa kërkon t” i fshihet ngricës brenda opingës-rrjetë e leckamane,

e të përgëzoj, Migjen, për shpirtin Tënd bujar!

Sa herë shoh trung kumbulle të lulëzuar,

prap më del para syve silueta Jote, Migjen,

parafytyroj, se edhe në ditët e sotme, si atëherë,

ndonjë familje do ta ruajë me zili gjerësa t” i piqen frutat e saj,

se i ka të vetmin ushqim,

e prap e ndiej

se i paharruar do të ngelesh, Migjen,

sa të ketë mirësi e dhembje!…

Sa herë ziej patate të paqëruara,

ah, Migjen, i Madhi Migjen,

po si mos të të nderoj , Migjen,

kur para sysh më përfytyrohet kazani i asaj nëne të gjorë të tregimit tënd,

ai kazan , mbush me gurë e ujë të valë,

e në vesh, si jehonë, më vjen ninula për fëmijët e saj të gjorë,

për patatet e ziera vonë,

e që kurrë, në realitet, s” u zien ?!….

Sa herë shoh minare xhamishë

e kryqe kishash e manastiresh,

oh, prap të kujtoj, Migjen,

rrënqethem, turbullohem, më zihet fryma,

të lartësoj në mendjen time, Migjen,

se e di, se si unë, edhe Ti e ke ditur se Zoti,

çdoherë ka ekzistuar e ekziston,

por ne, ” nuk ekzistojmë si njerëz”!

Qofsh i Parajsës , Migjen,

shpirt i dhemshur e i mirë,

POET i fëmijërisë e i rritës sime,

Poet i damarit e shpirtit tim!…

About Post Author