M I K E S P J A N I S T E
Qysh në rini e kisha dëgjuar
Shpirti festoi sa nise të luash
Si mandolinë dhe si trompon.
Tingujt dhe notat lëshonin brenga
N’ ato fshihej melankoli
Si trëndafilat që mbajnë gjemba
Kur mbrojnë veten, bukurinë.
Qënke lënduar moj vogëlushe
Dhemb dashuria edhe mban vlagë
T’ artën këpucë do gjesh Hirushe
Mbulon, shëron koha çdo plagë.
Prura tek ty një buqetë lulesh
Pa rënë dielli, i mblodha vetë
Dertet veç thyeji, bëji daulle
Lartoje këngën ti përmbi retë!
Bëhu një lule që e lakmon shqota
Vish n’ zemër vjollca e lulebore
Lulet zbulo që përmbajnë notat
Μotive aromash, ngjyrash kurorë.
Bjer o gërnetë si kadifeja
Këndoji fuksies me plot merak
Britma hareje të nxjerrë amaneja
Të çelen ndjenjat si një zambak.
Zgjo brenda pianos nota violine
Gëzo gardenien petaleartë
Të bien notat erë rozmarine
Telat e shpirtit bëji kitarë.
Gonxhet e zemrës shpërthe
pianiste
Nuanca, e ngjyra plot melodi
Ngre për ndjenjat këngë lulishte
Për dashurinë një simfoni.
Lefter Shomo K124/ P.I.α.
