Mimoza Ajdhoni-Stinët e zemrës


Stinët e zemrës

Katër stinë ka zemra ime,
ti i kthen, i rrotullon,
një ditë ndihem mes pranverës,
tjetrën dimrit që gjëmon.

Sa herë mua më mendon,
vjen pranverë në zemrën time,
manushaqe në çdo mbrëmje,
trëndafila në agime.

Kur më flet i dashuruar,
verën më sjell përsëri,
vapa e Gushtit ndizet flakë,
nga zjarri i syve të mi.

Ah…kur ti shumë më mungon,
vjeshta vjen të hedhi gjethet,
shiu tokën e zhuritur,
e freskon dhe mua…ethet.

Nëse një çast më harron,
dimri vjen i egërsuar,
zemrën dhimbja e godet,
lë një shpirt të torturuar.

Zemër…foli zemrës tënde,
mblidhi stinët bëji një,
një pranverë të lulëzuar,
tjetër s’të kërkoj asgjë.

M. Ajdhoni

About Post Author