Mimoza Ajdhoni-Të desha në tjetër kohë


Μαρια Αηδονη

  · 

Te desha në tjetër kohë

Mëngjes, tek pija kafen ashtu e menduar,

zilja e derës më hodhi përpjetë,

i zvarrita këmbët krejt e hutuar,

tek pyesja veten…vallë kush të jetë.

Surprizë më priste një buqetë,

djali që i pruri më pa në sy,

mendoi vallë për moshën time,

qënka e madhe për dashuri.

Duart mu drodhën, këmbët mu prenë,

kur mora zarfin për ta lexuar,

pa emër, por…ish shkrimi yt,

dy fjalë thjesht..”s’të kam harruar”

Njomur ishte ajo letër,

unë i njoh lotët e tua,

kodin di që ta zbërthej,

e fshehe fjalën “të dua”.

Pse ma zgjove të kaluarën,

që flinte e paharruar?

Të harroja sytë e tu,

a e di sa kam luftuar?

Lotët rrjedhin ngjyrën e gjakut,

që kullonte zemra ime,

të desha në tjetër kohë,

do të dua në kujtime.

S’kishim faj as unë, as ti,

ndoshta koha që jetonim,

fati luajti me ne,

njëri tjetrin ta harronim.

Vura lulet në një vazo,

thash..sa herë që ti shikoj,

do jetoj me ty një ëndërr,

pastaj jetën do vazhdoj.

M. Ajdhoni

9/11/2022

About Post Author