Mimoza Ajdhoni:Rrugica e dashurisë


Rrugica e dashurisë

Sa herë vetes i premtova,

mos kaloja përsëri,

te rrugica ku kujtimet,

hedhin valle, ngrene dolli.

Te rrugica që mban ende,

aromën e dashurisë tonë,

do ta ngjalli përsëri,

edhe pse është tepër vonë.

I flas mëndjes të harrojë,

rrugën ku veja e vija,

i flas zemres, e qortoj,

po s’urdhëroj këmbët e mia.

Ato shpesh aty më çojnë,

sikur kohën do kthejnë pas,

malli mendjen e pushton

dhe llogjikën do të vras.

Por gjithë jetën dhe të shkoj,

nuk i shoh më ata sy,

vetëtimë në rrufe ndjenjash,

nuk do jenë më kurrë aty.

I flas shpirtit të harrojë,

ç’ka kaloi pas nuk kthehet,

mos të zhytet në kujtime,

se pa pirë….askush nuk dehet.

About Post Author