Mimoza Bici-Poezi


Ti tundon brendësinë time
Nuk ke më rrugë për të bërë
As unë…
Jam dashuruar me veten.

Kjo lëkurë syetur
joshur ledhatimeve të papërmbajtura
plas dëshirën të përpijë të tërin.
Unë bëj dashuri me veten
mbështjellë magjisë merimangë
Se gjithkush më duket ti.

Gjithkush përpëlitet rrjetës time
Dikur u pengova
shpërndarë copash
Dikush me duar të stërgjatura
pa këmbë pa kokë
i mblodhi për t’i tharë
brenda një guve
Më pas
mbodhi mbi to
rrënjë trëndafilash
si puhizë ia fali dritës
trupin e ri .

Fillova të njoh veten
shtrënguar e ngritur duarve
të hijes pa këmbë pa kokë.
duke kërkuar dashurinë..

Ah moj grua
Se paske harruar
Tharë mbeti botës së egër
Tani je lule, je tjetër!

Ah moj grua
Gjithë botën e nxinë
Gjithë botën e ndrin
Fuqi mbi perëndinë
Shembëllyrë të dashurosh dashurinë
Trëndafil i ferrit
Ndezur ngjyrash territ!

(mimozabici@ “Shembëllyrë dashurie”, poezi , Tiranë, janar 2023)