Mimoza Cika:Për këdo që gjykon sot se do të kishte qenë më mirë që kosovarët të kishin mbajtur si gjuhë letrare gegërishten, sepse do të ishte një pasuri: Shqipëria me toskërishten, Kosova me gegërishten……


Mimoza Cika

Për këdo që gjykon sot se do të kishte qenë më mirë që kosovarët të kishin mbajtur si gjuhë letrare gegërishten, sepse do të ishte një pasuri: Shqipëria me toskërishten, Kosova me gegërishten……

Ismail Kadare: Nuk ka askund që dy dialekte të ecin paralelisht. Njëri do të jetë gjuhë standard, tjetri mundësisht të ndihmojë me pasurimin e tij. Nuk mund të ketë dy gjuhë shqipe. Kjo është naive nga ana shkencore ta mendosh, sepse në të gjitha vendet e botës ka pasur disa dialekte dhe njëri prej tyre, për një arsye ose tjetër, dialekti i një zone, i një qyteti, bile edhe i një njeriu, është bërë gjuhë standard. Që Shqipëria të bëjë përjashtim e të ketë dy gjuhë, këto më duken versione të sugjerimeve që i bëhen kombit shqiptar për t’u përçarë sa më shumë. Nuk ka pse Shqipëria të bëjë dallim dhe ndryshe nga Gjermania, e cila gjithashtu ka pasur dhe ka ende shumë dialekte, ose nga Franca apo Italia. Nuk ka pse Shqipëria të dalë tashti me dy gjuhë. Këto janë marrëzitë tona që vijnë ose nga injoranca, ose nga burime krejt të dyshimta. Shkencëtarët e intelektualët tanë kanë për detyrë morale, mision para popullit shqiptar, të sqarojnë se si ndodh që një dialekt të bëhet zotërues në një gjuhë. Që u bë njëri nga dy dialektet është një gjë krejt normale. Mund të bëhej dialekti i veriut, mund të bëhej ai i jugut. Natyrisht, politika shqiptare diktatoriale donte, në çdo mënyrë, të bëhej dialekti i jugut, për arsye që i dimë, për arsyet e armiqësisë së tyre, instinktive gati, për kulturën veriore, të shqiptarëve të veriut, sidomos kulturën katolike. Por, kjo nuk mund të bëhej me kokëfortësi kundër rregullave të përgjithshme të kulturës. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë indigjenësh që mund të merrej nëpër këmbë nga një byro politike, e cila përbëhej kryesisht nga injorantë. Gjuha shqipe është kaq e formuar sa që kurrsesi nuk mund të deformohej në këtë mënyrë.
Köln, 2001
(Shkeputur nga Libri”Kadare ndryshe”)

About Post Author