Mina T. QIRICI-Emri im është partizan


Mina T. QIRICI

EMËRI IM ËSHTË PARTIZAN

Tregim i jetuar

-Me rastin e 29 Nentorit, dita e lavdishme e çlirimit te Atdheut-

Erdha në jetë, bashkë me lirinë.

Mëngjesin e 29 nëntorit 1944!

Infermierja partizane, më mbështolli me shallin e kuq dhe tha e perlotur:

-Djalin do ta quajmë Partizan!T’i ngjajë atit, dëshmorit të atdheut, Kanan Gjomemo!

Klithmat mbushën shtëpinë, si me dritë të bardhë, zbritur nga malet bashkë me lirinë.

Gjyshja më shtrëngoi në krahëror.

-Partizani i nënës!

Ende nuk ishte tharë balta mbi varrin e tim eti, në rrënjët e lisit të moçëm të fshatit.

Sime mëje i ngrinë dy pika lot në cepat e syve të kadifenjtë.

Pazrtizani vuri pranë shtrojeve borinë.

-Ishte e Kananit!

Mëma e permbajti klithmën e dëshpërimit.

-Nuk harriti ta shohë të birin…

Një javë ndenji martuar dhe doli partizan.

Iu ngjit malit përpjetë, me këngën e vjetër në buzë.

“Të më zgjosh, moj nënë

Me yllin e Karvanit

Do të lidh në gushë

Shallin e partizanit!”

-Boria e betejave të përgjakshme!- tha indermierja partizane.-Tingujt e saj na grishnin të hidheshim në sulm, mes plumbave të armikut.

Boria, zemra dhe shpirti i Kanan Gjomemos!

-Para partizaaannëëë!

Shiu binte me rrëbeshe atë ditë.

Shkrepëtimat ndriçonin qiellin.

Bubullimat çanin malet.

Midis qiellit edhe maleve ,përhapeshin, si të zjarrta vetëtima, tingujt luftarakë të bories.

Komandanti i kompanisë sokëlliu:

-Na dhe krahë shqiponje, o bir!

-Kalova vetëtimthi pranë tij dhe u ngurosa!- tha partizani.-Qafa e Kananit ishte mbuluar nga gjaku. Plumb e kishte marë mes përmes gurmazit dhe kishte ngecur në fundin e bories prej tunxhi të verdhë.

Borizani shtrëngote me dy gishtat e dorës së djathtë vrimat hyresë dhe dalëse të plumbit, ndërsa me dorën e majtë shtrëngonte borien.

Përzierë me gjak, erën e barotit, krismat e bombave dhe të pushkëve.

Boria shpërndante tinguj rrëqethës.

Ndala hapat t’i mjekoja plagën, por ai ma bëri me sy të vazhdoja sulmin…

Sot, më 29 nëntor 2022 do festoj 78 vjetorin e datëlindjes, por edhe 78 vjetorin e çlirimit të atdheut nga fashizmi dhe tradhëtarët e vendit.

Lavdia u takon fitimtarëve!

PS: Portreti eshte mare nga tabloja “Tenda e Qypit” e piktorit te madh ushtarak Fatmir Haxhiu.

About Post Author