Mirupafshim vendet e mia-Violeta Kadriu


Violeta Kadriu

Mirupafshim vendet e mia,

zemra në dyshe sot m’ u ka nda,

ju lugje e kroje, ku rrija e pija,

frikësohem se syri më s’ ka me ju pa!

Mirupafshim kujtime jete fëmijërore,

mirupafshim imja shtëpi,

e atdheut tim e ëmbla strehë-foshnjore

ku ushqeva foshnjat me dashni, mall e gji!

Këto vende, të dashtun, ngado që shkela, shkelët,

që të gjitha qofshin bekue,

në shpirtin tim fanar me yje ngelët,

jeni t’ vetmit diej që kam dashurue!

Më mungon za i nanës e babës prore,

me emër “ Votë” e “ Letë” kur m’ kanë thirrë,

s’ kam mendue që kjo jetë mizore,

çdo gjë t’ ambël këtu do ma bëjë hirrë!

Ku së pari ngrita duart e iu luta Zotit

për jetë më t’mirë,kërkimfalje,mëshirë

ku shpeshherë u shpalla mejdan dhimbjes, lotit,

e u mundova t’ luftoj me çdo gjë t’ pështirë!

Ju bilbila e pëllumba, që aq shumë ju desha,

ju trëndafilë e manushaqe që ju erësova,

që pata thënë:” Si ju askund nuk ndesha”,

pishman s’ jam kurrë, se nuk gabova!

Në vende të huaja do ketë lule tjera,

por për mua ato s’ do t’ kenë erë,

do vijnë dimra, vjeshta, mugullojnë pranvera,

ardhja e tyre për mua s’ do ketë vlerë!

Ndoshta do t’ pi ujë n’ gurra më t’ ftohta,

do t’ notoj ndoshta n’ det më t’ thellë,

gurgullimat e tyre s’ do më jenë të ngrohta,

prapë do t’ ëndërroj këtë hanë e qjell!

Tash e tutje sa herë të agojë,

sa herë me hanën të vallëzojë terri,

shpirti i vramë do t’ më lotojë,

sikur dyert të m’ i hapë Ferri!

Nëse ndokend e merr malli për mue,

nëse m’ kërkon a për mua vetë,

kujtoni kangët që kam knue, poezitë që kam shkrue,

dijeni se për këtë dhe jam tretë!

Por, një ditë prapë kam me u kthye,

se veç n’ gji tuajin due me vdekë,

prapë n’ sofrën tuaj bukë e krip me ngjye,

t’ ma kujtojnë të amblën t’ atdheut hjekë!

Po, po një ditë unë prapë kam me u kthye,

të marr për herë të fundit frymë në këto anë,

t’ ma vënë shqipet një gur varri mbi krye,

e t’ pushoj përgjithmonë ku lash babë e nanë!

VIOLETA KADRIU, Shtator 2023, Podujevë, Kosovë