“Mister në ishull”-Ukshin Morina


Një copëz nga dashuria e Ulisit me vajzën e mistereve në ishullin “Santorini” në Greqi, nga romani më i ri “Mister në ishull”.

Fustani i shkurtër mbi gju, i hapur në formë V-je përpara, ia nxirrte në pah gjokset e kolme që të joshnin në robëri. Një drithërimë e këndshme e përshkoi zemrën e tij, kur ndeshi shkreptimën e syve t’i qeshnin gjithë mirësi.

– Më lejo ta ngre për lumturinë dhe shëndetin tënd, miku im! Jam kaq e lumtur që të shoh këtu sonte, Ulis! Nuk e di si ta shpreh gëzimin tim! – takoi gotën dhe shtoi: – Për ty, poet, për zemrën tënde të ndjeshme, që ngriti peshë hovet e mia rinore.

– Hajde, për zjarrin që ndezi sonte kjo nimfë detare! – iu përgjigj dhe thellë në zemër e përshkoi një hapësirë e paanë dhe ndjeu drithërima padurimi t’i shfaqeshin në trup. – Siç e shikon, kjo botë e vogël s’do të kishte kuptimin e saj të natyrshëm, pa njerëz zemërartë si ti, Xhesika, – theksoi Ulisi dhe ngriti gotën e verës së ëmbël.

Me duart që i dridheshin zhvendosi shishen e verës në anën e majtë të tryezës dhe shtoi duke buzëqeshur:

– Më fal, Ulis, mbase dhe po nxitoj me dëshirat e mia, por më beso që gjendem në mesin e një zjarri që po digjem.

– Dhe dua të mos digjesh vetëm, moj vajzë e ishullit, – i buzëqeshi dhe e zuri për dore. Teksa e mbante ashtu afër dhe ndiente trazimin e gjoksit, iu bë sikur bota po i rrotullohej.

– Unë të dashuroj, Ulis, madje që ditën kur të pashë. Të lutem, mos shko sonte! Së paku një herë në jetë dëgjoje zemrën e një vajze të huaj si lëngon nga dashuria. Më lejo të jem me ty, sikur edhe vetëm për një natë të fundit! – foli me zërin e kadifenjtë. – Jam një vajzë pasionante dhe kaq e ndjeshme, si dhe marrëzisht e dashuruar me ty.

Ulisi e mbante të ngjeshur pas vetes dhe ndjeu trokun e zemrës së tij t’i rrihte si kalorës në udhën e gjatë të shkretëtirës. Kaloi gishtërinjtë përgjatë faqeve, i zhyti në flokët e prera bukur dhe me delikatesën e një dore të dridhur ia ngriti kokën për nga vështrimi i tij.

– Je si drita e hënës, Xhesika! – pohoi me natyrën e një dhembshurie të butë dhe i ndjeu puhinë e afshit t’i shpërthente nga goja.

– Drita je ti, Ulis! – i pëshpëriti lehtë me vështrimin përcëllues në sytë e tij. Fjalët e saj e pushtuan në pamundësi durimi dhe e puthi lehtë në buzë.

– Të lutem, Ulis! Eja! Të përgjërohem! Po digjem e gjitha, – e zuri për dore dhe e udhëhoqi për në dhomën e gjumit. Po më rënkon zemra, – i foli e sunduar nga një afsh i madh tërbimi dhe ndaluan pranë krevatit.

Dhoma qe e mobiluar me pajisje të thjeshta dhe gjithçka shihej e sistemuar nga një dorë e kujdesshme, që i jepte mjedisit një atmosferë të ngrohtë familjare. Dritaret qenë veshur me perde të tylosura, ndërsa krevati prej druri mbulohej nga një amur mëndafshi i zjarrtë. Ulisi buzëqeshi, e mbështolli në krahë, e ngriti si të ishte një copëz hënë dhe e lëshoi krejt ngadalë mbi shtrat.

Në fytyrë i ndriste dëshira për të vazhduar dhe me vështrimin e mundur e pa Ulisin të përkulej mbi të. Frymëmarrja iu çrregullua. U largua një hap dhe e vështroi. Atmosfera mes tyre po evoluonte me furi. Vështrimi i tij blu ndryshoi ngjyrë. I gjithi po digjej nga brenda. Distanca mes tyre po ngushtohej. Zgjati duart dhe e tërhoqi për nga vetja atë krijesë të huaj dhe e kapërtheu mes gjymtyrësh trupin e saj të hajthshëm. Në shpirtin e tij ndjeu vragën e madhe të gjakut t’i vërshonte në deje dhe sytë iu errësuan…