Bajame Hoxha Çeliku

Mos u çudit, o Bajame!
E tmerrshmja urrejtje po na errëson sytë, dhe
s’dallojmë dot më të bardhën nga e zeza.
Por, e di ti? Të tilla na bëri koha!
Ah, kohë e paharruar, e ëmbla kohë!
Ndaj dhe jemi kthyer në egërsira në kohë paqe.
Ne që s’njohëm as Zotin e madhërishëm dhe
kur Zotin s’njohim neve, as ty nga vjen,
ti, e përvuajtura Bajame, ne nuk të njohim!
Ne, nuk të duam, nuk të pranojmë,
sikur dhe çmimin Nobel të marrësh ti,
ne, përsëri, nuk të duam!
Por ti, shkruan, shkruan…
E unë flas në emër të të gjithave,
Sepse ti shkruan për ata që nuk lexojnë,
për ata që nuk dëgjojnë, o Bajame!
Zëri yt ka humbur
në thellësi oqeanesh,
dhe s’e dëgjon askush më, askush!
Sepse ti ke mbetur larg, oh, sa larg…!
Në shkretëtirë…
Atje në Myzeqenë e apeleve,
atje, ku kryeje dënimin, o Bajame!
E sheh?
T’i thamë, e do të t’i themi të tëra,
dhe ato që kemi harruar pa t’i thënë,
do të t’i themi sot!
Të kujtohet, o Bajame, kazma, lopata?
Ato janë për ty, o Bajame!
Pena jote u thye që kur shkele në kampin
e ulërimës,
pikërisht, në kampin ku vdisnin
nga tridhjetë fëmijë brenda natës.
Atje thellë humbi dhe pena jote, o Bajame!
E di ti?
Ato varre na zunë të tërë fushën e Tepelenës,
ndaj dhe ne i shkulëm për t’i flakur.
Pastaj, ne i mbollëm anës lumit,
që ai kur të vinte furishëm,
t’i merrte.
Dhe ashtu u bë!
Humbën me qindra fëmijë.
Me qindra varre u zhdukën!
Kurse të tjerët i mori përpara traktori
në një ditë pranvere.
Eshtrat e tyre të njoma rënkonin,
nënat e reja vajtonin.
U përzien me dheun e shkriftë ato eshtra,
dhe me farën e elbit.
Me eshtra të buta, të dëlira, të pafajshme,
ai vit u mbush plot, e di?
Eshtrat e fëmijëve atë vit, u bënë plehu më i mirë,
dhe rendimenti u rrit, si kurrë më mirë.
Nga vjen, jo, jo, mos harro, o Bajame!
Mos u bëj kaq naive, apo je?!
Edhe je, domosdo, je!
Duke hapur kanale u bëre poete?!
Duke vaditur?
Duke prashitur te ai njëqind hektari?
Atje mes kampeve të shfarosjes,
Savër, Pluk, Gradishtë ?
Në gjirin e të internuarve,
aty mes skamjes dhe mungesës së ujit?
Atje u formove ti?!
Ishit kuaj të mirë, jo për gjë,
po kështu na kanë thënë,
mos qoftë thënë;
në gur e në dru,
të ishim pranë jush ato kohëra,
e të vuanim si juve,
unë dhe shoqet e mia!
Na kanë thënë, jo për gjë:
Ju torturonin, ju tërhiqnin zvarrë,
dhe u thahej buza për pikën e ujit.
Nëpër ato udhë të gjata të internimeve,
shpesh loti i fshehur ju turbullonte sytë.
Por, ama, të themi një herë të vërtetën:
Ecnit me krye lartë, o Bajame,
dhe çanit përmes fushave të Myzeqesë.
Juve na e zbukuruat atë, e bëtë madhështore,
hambarin e Shqipërisë e bëtë ju!
E çfarë nuk bërët ju, a e mjerë!
Skllevër të paepur ishit.
Po ne, ne, kishim kamxhikun e gjatë,
që ju përvëlonte shpirtin juve.
Të kujtohet kur të demaskuan
para popullit?
Të diskriminuam disa herë keqas a e varfër!
Të kujtohet, posi!
Të kujtohet, kur të ngriti në mbledhje,
gjiganti i komunizmit?
Pastaj, thirri me zë të lartë, e
duke skërmitur dhëmbët t’u drejtua:
– Gjidi, gjidi Bajame Çeliku,
barut e çelik u bë këtu!
Lexon dhe libra të huaj pa le!
Kush është ky… Hygo, ky Balzak…
Pa na thuaj pak?
Kërkon anglo-amerikanët ë?!
Dhe ti, iu ktheve me një buzëqeshje ironike
që shkrepi papritur mbi buzët e tua:
-S’është faji im, o gjiganti komunizmit
që ti, nuk njeh as kolosët e letërsisë botërore.
Sa dritë shkurtër që jeni…Medet!
-Mos shiko nga perëndimi, o Bajame!- thirri ai si i çmendur.
këtu do të kalbesh këtu, në baltën e internimeve!
Dhe ti, ishe vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe atëherë.
Do të ta shtypim kokën si të miut, kështu! – tha ai.
Dhe me këmbë shtypi dheun,
sikur poshtë potinave të tij, ishe ti, Bajame!
Tek sytë e tu u duk një shkëndijë trimërie,
dhe triumfoi në krenarinë tënde guximi.
Një guxim vërtet prej heroine, Bajame!
Gjiganti i komunizmit u tmerrua,
u tërbua vërtet, dhe t’u kthye,
kur ti, i the pa ta bërë syri tërë:
– Ktheji në adresën tënde të tëra, zotëri!
– Mbylle gojën, Bajame Çeliku! – ulëriu ai.
Ti duhet të ulësh kurrizin,
të bëhesh urë.
E unë, të shkel mbi ty!
Të të qëlloj me litar,
e ti, të më thuash:
Faleminderit, që më le gjallë.
Pooo, çudi, ke harruar ti?
Ne s’i kemi harruar, se ju ishit skllevërit tanë,
e neve, talleshim me juve, Bajame!
Talleshim me fustanet tuaja aq të pastra,
kur nxitonit si flutura fushave,
llërë përveshur.
Ishte bukur, ishte bukur, Bajame,
kur ju shikonin parcelave si lule të shpërndara,
dhe kjo, e bënte Myzeqenë më të bukur,
më madhështore.
Dhe nga njëzet qindarka shpesh në ditë
ju jepnim…
Por edhe ne ama,
ka tridhjetë vjet që s’e kemi të lehtë…
Kemi marrë plot para, çmime, çmime e dekorata…
Po a e di ti, se këto, ne i kemi blerë me euro?!
I kemi blerë posi, me djersën e ballit mooj…!
Jo, jo, ti s’e di!
Ti di vetëm të shkruash o Bajame!
Por ti, s’ke para si neve, moj varfanjake!
Që të marrësh çmime si neve, duhen para.
Nuk e shikon? Juve keni mbetur te ura, a të vraftë!
Por, edhe për neve, erdhi kjo kohë të na rrjepin,
të na rrjepin edhe lëkurën ama…
Të gjitha po na i rrjepin, na këmba e deeeri te koka…
Por, më i ëmbël qenka çmimi, më beso!
Dekorata, televizioni…përkëdheljet…
Paguajmë, oh, sa paguajmë për të gjitha këto!
Fjalët e bukura që na joshin,
që na përkëdhelin.
E neve, na rritet nuri, lartësohemi,
bëhemi madhështore,
ngrihemi deri në piedestal.
Ti Bajame, ndoshta po pret,
të dëlirë era kohën,
po s’mundet.
Na përkëdhelin vetëm neve, sedrën tonë të sëmur!
Vitet e madhështisë ne po provojmë, na beso!
E ti?!
Di vetëm të shkruash, oj Bajame!