Modena-Itali /Një spektakël dedikuar komunitetit shqiptar


Modena-Itali /Një spektakël dedikuar komunitetit shqiptar

Në Modena të Italisë, në datën 6 maj 2023 në Teatrin Komunal Pavarotti do të organizohet një spektakël dedikuar komunitetit shqiptar në kuadrin e ciklit të takimeve “Dentro Le Note” (Brenda notave) si pjesë e Festivalit Altro Suono (Tingull tjetër). Protagonistë do të jenë përfaqësues të njohur të komunitetit shqiptar në Itali siç janë: Irma Kurti poete dhe autore e teksteve të këngëve, Ndue Lazri gazetar dhe shkrimtar, Danaida Delaj avokate, Mario Sehtl violinist e pianist. Mitti Gilioli do të deklamojë poezitë, kurse regjizor i spektaklit është Carlo Stanzani.
“Ishim nisur nga Tirana… dhe Italia ishte një ëndërr”- është ky titulli referues i i kësaj shfaqjeje. Spektakli është fryt i bashkëpunimit midis Universitetit të Modenës dhe të Reggio Emilia-s dhe Teatrit Komunal e synon të tërheqë një audiencë sa më të gjerë spektatorësh që duan të eksplorojnë botën e muzikës përmes historisë së protagonistëve. Muzika konsiderohet si një instrument shkëmbimi dhe hapjeje ndaj kulturave dhe disiplinave të ndryshme dhe përqendrohet në përvojën konkrete e jetën e artistit që flet për veten dhe komunitetin e tij. Që nga viti i kaluar “Brenda notave” mbështetet nga Departamenti i Politikave Sociale, Pritjes dhe Integrimit për të përfshirë sa më tepër komunitet e huaja me banim në Modena.
Përfaqësuesit shqiptarë do të rrëfejnë copëza nga jeta e tyre në Itali, largimin nga Atdheu, vështirësitë dhe sfidat në një vend të huaj. Këto fragmente do të shoqërohen nga tingujt e muzikës.